Skenë nga filmi ‘Afterwar’. Foto: Kabineti.
"Afterwar", filmi që rrëfen pasojat afatgjate të luftës në Kosovë përzgjidhet për në Berlinale
Filmi “Afterwar” i regjisores daneze Birgitte Stærmose dhe i bashkëprodhuar nga “Kabineti” sh.p.k., është përzgjedhur për edicionin e 74-të të Festivalit të Filmit në Berlin – Berlinale në Gjermani.
Edicioni i sivjetmë i Berlinales do të mbahet nga 15 deri më 25 shkurt 2024.
Filmi “Afterwar” sjell historinë e disa fëmijët të cilat për të mbijetuar në Kosovën e pas luftës duhet të shisnin kikirikë e cigare nëpër rrugë.
Shtëpia filmke kosovare “Kabineti” ka bërë të ditur përmes një njoftimi për media se ky film është një testament kinematografik mbi pasojat afatgjata të luftës, i bashkëkrijuar për një periudhë 15-vjeçare.
Regjisorja daneze e filmit, Birgitte Stærmose, thuhet në njoftim e nisi incizimin e një filmi të shkurtër me një grup fëmijësh në Kosovë para 15 vitesh.
“Fëmijët po shisnin kikirikë e cigare në rrugët e Prishtinës për të mbijetuar pas luftës. Të njëjtët fëmijë bëhen burra para syve tanë, përderisa përpjekja për mbijetesë bëhet përpjekje për një të ardhme. Në një bashkëkrijim me kastën, Stærmose e ka bërë filmin “AFTERËAR” film mahnitës në rrafshin kinematografik e mbërthyes në rrafshin emocional, dhe një portret kolektiv të një gjenerate të tërë të të mbijetuarve, i cili menjëherë tërheq paralele me të gjithë fëmijët e kapur nga luftërat sot”- thuhet në njoftimin e “Kabinetit”.
Filmi “Afterwar”është prodhuar nga “Magic Hour Films”, në bashkëprodhim me “Kabineti” nga Kosova, “Vilda Bomben Film” nga Suedia dhe “Bufo” nga Finlanda, me përkrahjen e Institutit Danez të Filmit, Qendrës Kinematografike të Kosovës, Institutit Suedez të Filmit, Fondacionit Finlandez të Filmit, AVEK, Yle dhe Fondacionit “Fritt Ord”.