Ende në pritje, ‘frika’ e kineastëve për bërjen e një filmi për Komandantin Legjendar

Kinematografia shqiptare, si ajo në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, nuk ka arritur të realizojë një film artistik për heroin Adem Jasharin. Pavarësisht se përpjekjet për një film nuk kanë rreshtur.

26 vjet më parë, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat policore e ushtarake serbe, rrethuan familjen e Adem Jasharit në Prekaz të Skenderajt. E rrethuar në shtëpitë e tyre dhe e prirë nga Ademi, familja Jashari, për tri ditë u rezistoi bombardimeve të ashpra të policisë dhe ushtrisë serbe.

Sikurse premtimet, nga viti në vit barten edhe arsyet për mos realizmin e një filmi për Komandantin Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mungesa e mjeteve financiare e kompleksiteti i figurës së Adem Jasharit, dalin të jenë barrierat e deri tashme që po ua pamundësojnë kineastëve tanë bërjen e një filmi për heroin.

Regjisorët, studiuesit e kritikët e filmit thonë për KALLXO.com se duhet ‘guxim’ për të ekranizuar figurën e Ademit.

Rruga për një film

Regjisori Luan Kryeziu ka thënë për KALLXO.com se është në rrugë e sipër për realizmin e një filmi për qendresën e Familjes Jashari, duke përfshirë edhe komandantin legjendar Adem Jashari.

“Ne kemi intervistuar thuajse të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre, kemi filmuar dhe intervistat. Pas kësaj faze kemi vazhduar me skenarin”- ka thënë ai.

Sipas tij, një film me një përgjegjësi të tillë morale, profesionale dhe kombëtare kërkon përgatitje serioze e cila, siç është shprehur ai, merr kohën e duhur dhe kërkon kushtet e duhura.

“Kur them kushtet, besoj kuptohet se një film i tillë kërkon buxhet të mirë. Ky film nuk është një temë e cila mund apo duhet të realizohet me ndihmën e miqve apo përkrahjen e sponzorëve por kërkon përkrahjen institucionale dhe buxhet serioz shtetëror. Për fatin e mirë, tani me ligjin e ri për kinematografinë janë afruar kushtet që filmi ta merr përkrahjen e merituar dhe t`i hapen rrugët për realizim”- ka thënë ai.

 Dilemat për filmin

Regjisori Ben Apolloni thotë se buxheti është arsyeja e mos bërjes së një filmi për Adem Jasharin.

Secili kineast do ta ketë menduar që të bëjë një film për Familjen Jashari dhe besoj secili është stepur kur e ka menduar se sa do të mund të kushtonte një projekt i tillë. Ne nuk kemi industri të filmit, ne nuk kemi mundësi për fonde pos atyre që ndanë QKK e që edhe krejt buxheti vjetor që ka Qendra është i vogël për një projekt të madh çfarë do të ishte një film për Jasharët”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Shkrimtari Reshat Sahitaj ka përmendur disa faktorë për mos bërjen e një filmi për Adem Jasharin. Sipas tij, mos bërja e filmit tregon tendencat për të zhvlerësuar figurën e heroit dhe luftën e UÇK-së.

“Zhvlerësimin e luftës së UҪK-së nuk është duke e bërë Serbia, por jemi duke e bërë ne, vetë shqiptarët. Ku keni parë e dëgjuar në një vend të botës që të bëhen shfaqje e skeçe të ndryshme kundër një komandanti legjendar”- ka thënë Sahitaj.

Sociologu Avndi Rudaku thotë për KALLXO.com se ka mungesë të skenarëve dhe guxim për të bërë një film për heroin Jashari.

“Mungesa e vullnetit, mungesa e skenarëve cilësorë e me kode të tilla tematike, mungesa e profesionalizmit të lartë në vend për të hulumtuar gjatë rrëfimin për Jasharajt e për ta shndërruar në skenar, kompleksi me u marrë me kodet tematike të luftës, ikja nga çështjet e luftës nga çdo fushë, frika se si do të pritej një film i tillë për një familje aq të veçantë heroike të luftës dhe frika nga pritjet e larta të publikut të gjerë, e shumë arsye të tjera të investimeve të keqdrejtuara kombëtare në politikat kinematografike”- ka thënë ai.

Sipas tij, Qendra Kinematografike e Kosovës ka mundur të shpallë thirrje publike, duke i ftuar regjisorët e skenaristët, me temë “Adem Jashari”, duke nxitur dhe imponuar llojin e përmbajtjes së skenarit për ta subvencionuar.