Pavijoni i përbashkët Kosovë-Shqipëri. Foto: QKK.

Berlinale, Kosova e Shqipëria me pavijon të përbashkët në Tregun Evropian të Filmit

Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë edhe këtë vit përfaqësohen me pavijon të përbashkët në edicionin e 74-të të Tregut Evropian të Filmit (EFM) i cili zhvillohet gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (Berlinale).

Edicioni i 74-të i Berlinales do të mbahet nga 15 deri më 25.02.2024 në Berlin, Gjermani.

QKK ka bërë të ditur se EFM është ndër tri tregjet kryesore të takimit të industrisë ndërkombëtare të filmit dhe medias. Sipas QKK-së, lidhja e ngushtë me Berlinalen si një festival filmi publik dhe pozicionimi i tij në zemër të Berlinit janë karakteristikat kryesore të këtij tregu, i cili e ka pozicionuar veten edhe si një platformë për inovacion e ndryshim.

“Gjatë këtyre ditëve në pavijonin me numër 138, i cili gjendet në Hotel Marriott, krahas promovimit të filmave tanë, do zhvillohen edhe takime të ndryshme me fondacione filmi, partneritete ndërkombëtare, përfaqësues festivalesh, prodhues e distributorë nga e gjithë bota. Ndër materialet promovuese të filmave tanë, vizitorët po ashtu do mund të shfletojnë edhe katalogun e fundit me filmat e mbështetur nga QKK të cilët janë në faza të ndryshme të prodhimit”- thuhet në njoftimin e QKK-së.

Pavijoni i Kosovë dhe Shqipërisë në EFM do të jetë i hapur deri më datën 21.02.2024.

Filmi “Afterwar” i regjisores daneze Birgitte Stærmose dhe i bashkëprodhuar nga “Kabineti” sh.p.k., i mbështetur nga QKK do të ketë premierë më 19.02.2024 në Berlinale.

Filmi “Afterwar” rrëfen për historinë e disa fëmijëve të cilët për të mbijetuar në Kosovën e pas luftës duhet të shisnin kikirikë e cigare nëpër rrugë.