array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=5"
  }
}

Rrena e Haskukës për barazi gjinore në drejtoritë komunale

Deklarata

Nga 13 drejtori do t’i reduktojmë në 10, pesë prej tyre do të udhëhiqen prej grave

Mytaher Haskuka

Vlerësimi

Rrenë e kryptë

Haskuka është larg realizimit të premtimit për emërimin e grave në krye të drejtorive. Aktualisht, nga trembëdhjetë drejtori sa janë në këtë komunë, vetëm dy udhëhiqen nga gratë.

Artikulli

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ende është larg realizimit të premtimit për emërimin e grave në krye të drejtorive.

I pari i Prizrenit pati premtuar që 50 për qind e drejtorive në mandatin e tij do të udhëhiqeshin nga gratë.

“Nga 13 drejtori do t’i reduktojmë në 10, pesë prej tyre do të udhëhiqen prej grave”, pati theksuar kandidati i VV-së, Mytaher Haskuka.

Haskuka nuk e ka ulur numrin e drejtorive në këtë komunë.

Aktualisht, nga trembëdhjetë drejtori sa janë në këtë komunë, vetëm dy udhëhiqen nga gratë.

Sevil Kazaz udhëheqë Drejtorinë e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik që nga fillimi i mandatit në 2017-ën.

Xhemile Thaçi Vezgishi që nga dje ka marrë timonin e Drejtorisë së Arsimit në Prizren pas shkarkimit të Gani Gërmizaj nga posti i drejtorit, pasi ai dyshohej për parregullsi në themelimin e komisioneve për konkurse të hapura pranë drejtorisë së Arsimit në Prizren.

Para Gërmizajt, Drejtoria e Arsimit në këtë komunë ishte udhëhequr nga Skënder Susuri, deri në muajin maj të këtij viti.

Susuri ishte larguar nga kjo drejtori pas kërkesës së NISMA-s Socialdemokrate.

Konkurset për mësimdhënës, konkursi i përsëritur për drejtorë të shkollave, akuzat e shumta për punësime familjare a partiake, kanë qenë sfidat që i kanë shoqëruar drejtorët e Nismas.

Kjo ka bërë që Haskuka të emërojë në krye të kësaj drejtorie një kandidate apartiake grua.

Flaka Siqeca ka udhëhequr Drejtoria e Shëndetësisë por ajo është liruar nga detyra në Komunë deri në përfundim të studimeve post diplomike në Mbretërinë e Bashkuar.

Drejtoria e Shëndetësisë pas lirimit nga detyra të Flaka Siqecës, udhëhiqet nga Visar Shehu, i cili kishte qenë këshilltar i Mytaher Haskukës për çështje ekonomike dhe financiare, që nga fillimi i mandatit.

Emërimi i Visar Shehut në Drejtorinë e Shëndetësisë kishte bërë që dymbëdhjetë drejtori të Komunës së Prizrenit të udhëhiqen nga burrat, deri në emërimin e Xhemile Thaçi Vezgishi.

Drejtori për Financa në komunën e Prizrenit, Ertan Simitçi, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij pasi është vënë në akuzë nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës dhe ende nuk dihet nëse kjo drejtori do të udhëhiqet nga ndonjë burrë apo grua.