Drejtorët e ‘parehatshëm’ të Arsimit prishin koalicionin VV – NISMA në Prizren

Drejtoria Komunale e Arsimit po del të jetë sfidë për kryetarin e Prizrenit Mytaher Haskuka.

Gati 2 vjet prej kur Mytaher Haskuka qeveris në Prizren, ajo ka qenë drejtoria më e kritikuar, ndërsa këtë drejtori që nga fillimi i mandatit e kanë udhëhequr drejtorët e zgjedhur nga partneri i koalicionit, Nisma Social Demokrate.

Fillimisht Skender Susuri, e së fundmi Gani Gërmizaj janë dy drejtorët që së bashku arritën të përfundojnë vetëm gjysmë mandati qeverisje.

Konkurset për mësimdhënës, konkursi i përsëritur për drejtorë të shkollave, akuzat e shumta për punësime familjare a partiake, kanë qenë sfidat që i kanë shoqëruar drejtorët e Nismas.

Në mbledhjet e rregullta të Asamblesë Komunale në Prizren, kuvendarët nga opozita por edhe nga koalicioni qeveritar kanë drejtuar akuza të shumta ndaj ish-drejtorit, Skender Susuri.

Punësimet partiake e familjare në Prizren ‘përplasin’ drejtorin e arsimit me asamblistët

Skender Susuri, më 15 maj, ishte larguar nga detyra e Drejtorit të Arsimit me kërkese të partisë së tij Nisma.

Ai kishte thënë se subjekti të cilit i takonte nuk e përkrahte, dhe se kishte pasur presione të mëdha lidhur me konkurset në sektorin që e udhëhiqte.

Nisma ndërron Drejtorin e Arsimit në Prizren

Ndërsa Gani Gërmizaj i panjohur për publikun deri atë ditë, ishte emri i ri i propozuar nga Nisma për drejtor të Arsimit.

KALLXO.com ka raportuar se drejtori i Arsimit deri në ditën e emërimit si drejtor ka qenë i angazhuar edhe si gjyqtar futbolli pranë FFK-së, dhe në të njëjtën kohë ka punuar si profesor i edukatës fizike në Prizren.

Drejtori i ri i Arsimit në Prizren, refer i futbollit

“Na priftë e mbara”, kishte shkruar Gërmizaj në ditën kur ishte emëruar drejtor, por as ky nuk ishte jetëgjatë në pozitën e tij.

Konkurset për punë për të cilat ish-drejtori Skender Susuri kishte thënë se ka pasur presione të mëdha, kanë qenë arsyeja që kryetari i komunës Mytaher Haskuka ka shkarkuar nga detyra drejtorin Gërmizaj.

Ndaj këtij vendimi të Haskukës për shkarkimin e tij Gërmizaj ka reaguar përmes një postimi në Facebook  duke thënë se “nuk ka rënë pre e presioneve dhe kërkesave të jashtëligjshme lidhur me konkursin nga Mytaher Haskuka, dhe klani që e rrethon atë”.

Drejtori i shkarkuar: Nuk kam rënë pre e kërkesave të jashtëligjshme të Mytaher Haskukës

Drejtori i shkarkuar pretendon se konkursi për të cilin u shkarkua nga detyra ka qenë në përputhje me ligjin e arsimit parauniversitar, dhe për dilemat që janë shfaqur gjatë konkursit i njëjti ka kërkuar edhe opinion nga Ministria e Arsimit, e cila i ka dhënë të drejtën në vazhdimin e procesit të konkursit.

Ditën kur Gërmziaj ishte emëruar drejtor në një postim në Facebook me disa gabime drejtshkrimore kishte thënë se do ta respektojë ligjin.

Pikërisht mosrespektimi i ligjit, dhe shkeljet ligjore në konkursin e fundit në Drejtorinë e Arsimit pretendohet se ishte arsyeja e shkarkimit të tij nga detyra.

Kur kishin kaluar 24 orë nga shkarkimi i Gërmizajt nga detyra, Nisma nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tyre në Facebook kanë njoftuar për largimin nga koalicioni me Vetëvendosjen, e cila mbetet e vetme në qeverisje me LDK-në dhe partnerët nga partitë minoritare.

Shkarkimi i drejtorit, NISMA del nga koalicioni me Haskukën

Kjo parti përmes një postimi në ‘Facebook’, e ka quajtur ‘veprim fëmijëror’ atë të Haskukës, por që shtojnë së konkursi i fundit në Drejtorinë e Arsimit, ishte në përputhje me Ligjin e Arsimit.