Ilustrim

Dosja e lajmeve të rreme dhe dezinformimi në sferën e sigurisë 

Lajmet e rreme dhe dezinformimi janë diskutuar në emisionin “Kallxo përnime” të datës 24.03.2024. Të shpeshta në Kosovë janë lajmet e rreme që kanë të bëjnë me sferën e sigurisë. Lajme të tilla shpërndahen sa herë qe ka ndonjë incident ne zonën e veriut. 

Këto lajme marrin vëmendje dhe bëjnë dëm edhe më të madh në ndonjë situatë të ndejshme siç ishte sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023. Situata atje u përdor për raportime të rreme. 

Në platformën e KALLXO.com për hulumtimin e dezinformatave janë zbuluar disa lajme për ngjarjet në Mitrovicë. Sipas këtyre të dhënave, dezinformata e parë ishte në ora 9 në mëngjes. Në një lajm u raportua se KFOR-i e ka marrë situatën e kontrollit në Banjskë. KFOR-i nuk e mori në dorë situatën atje, ndërsa lajmi u vlerësua si i rremë. 

Visar Prebreza nga ‘Krypometri’ – platformë e KALLXO.com kundër dezinformatave, theksoi se lajmet e rreme për ngjarjet në Bajnskë kanë nisur po atë ditë kur ka ndodhur sulmi terrorist. 

“Është e qartë se lajmet e rreme kanë edhe qëllime politike, një pjesë e tyre që janë publiku për veriun e vendin kanë pasë për synim destabilizimin e vendit. Me këtë u synu me ju thanë qytetarëve serbë atje që Policia e Qeveria e Kosovës nuk kanë për qëllim me i mbrojtë,  kjo ka ndodhur edhe ne rastin e Banjskës”- thotë Prebreza, i cili gjithashtu ka shtuar se edhe gjatë sulmit në Banjskë ka pasur edhe lajme të rreme për FSK-në. 

“FSK po niset drejt veriut, FSK po ushtron në veri, Policia e Kosovës i ka marrë peng disa serbë atje, të gjitha këto kanë pas për synim që në një farë mënyre me destabilizu veriun e Kosovës dhe për këtë arsye edhe janë publiku këto lajme të rreme për FSK”- shtoi ai.   

Sektori i sigurisë dhe lajmet e rreme për këtë sektor më së shumti lidhen me veriun e Kosovës. 

Veton Elshani, nga Policia e Kosovës në veri, thekson se nga prilli i vitit 2023 në katër komunat veriore ka dëgjuar më shumë dezinformata apo lajme të rreme se sa ka dëgjuar në 24 vite të përvojës së tij në organet e rendit. 

“Në fakt, ju e dini se unë e kam edhe përvojën e zëdhënësit të Policisë nga viti 2006 deri në vitin 2009 para gjatë dhe pas pavarësisë së Kosovës. Dita e pavarësisë se Kosovës për zëdhënësin e Policisë se Kosovës ka qenë mbytje e thashethemeve sepse ka pasur shumë dezonformata atë ditë, beso që për 24 vite përvojë punë që unë i kam në Policinë e Kosovës në jetën time nuk kam pa më shumë dezinformata se sa gjatë kohës sa unë jam këtu në veri të vendit” – thotë Elshani. 

Gazetari nga Mitrovica Branisllav Kerstiq thotë se lajmet e rreme në veri ndikojnë më së shumti tek njerëzit që kanë të shprehur nacionalizmin sepse tek qytetarët nuk kanë ndikuar shumë as në rastin e Banjskës. 

“Serbët e veriut kanë refuzuar me qenë pjesë e rezistencës në Banjskë ndaj policisë së shtetit të Kosovës dhe kundër institucioneve të shtetit. Ne kemi pasur Banjskën rreth 5 kilometra e atje kur do njerëz janë tu luftu por në Mitrovicën veriore kemi pasur 3 kolona me dasma”- thotë Kerstiq. 

Çështja e targave në veri, dhe sulmet në Banjskë, e po ashtu çështjet e shpërthimit të bombave atje, sipas Muhamet Hajrullahut nga portali “Telegrafi”, në disa media kanë ndodhur sepse janë ngutur të pasojnë informacionin. 

Ai thotë se për t’u ruajtur nga lajmet e rreme mediat, duhet të përdorin burime zyrtare, ndërsa qytetarët të lexojnë nga mediat qe ju besojnë.

“Ka pasur informacione në mediat e Kosovës, të cilat nuk kanë qenë të konfirmuara zyrtarisht pastaj mediat e ndryshme ose i kanë largu ose i kanë ndërru titujt ose diçka të tillë. Çka duhet me pas kujdes sidomos raportimi ne temat e ndjeshme qysh është veriu, trazirat apo sulmi terrorist në Bajskë duhet me pas kujdes që me publiku informacione të vërteta”- theksoi Hajrullahu. 

Propagandë ruse e serbe në Kosovë e posaçërisht ne veriun e Kosovës ka pasur edhe në të kaluarën, mirëpo ka edhe sot e thotë Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë. 

Sipas tij këto lajme tentojnë të nxitin tensione apo konflikte në atë pjesë. 

“Duhet pasur parasysh që çdo herë duhet lidhur me kontekst kohe se është situata e qetë, situata e tensionuar apo një situatë të një konflikti luftarak apo një konflikti të brendshëm siç ishte ndërhyra apo agresioni i një grupi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë. Ne nga Serbia kemi në vazhdimësi lajme të rreme, por ndikimi rus është me i madhi në Ballkan”- tha Ibishi. 

ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli thekson se ne Kosovë lajmet e rreme vijnë me agjenda nga Rusia nëpërmjet Serbisë, e për qëllim sipas tij e kanë destabilizimin e vendit dhe kjo është arsyeja pse e përdorin veriun dhe FSK-në.   

“Lajmet e rreme zakonisht janë agjenda që vinë nga jashtë dhe perdoren kryesisht për qëllime politike destabilizimit të çështjeve të sigurisë. Ajo që është e sigurt dy drejtime janë më se të sigurta pra nga Rusia nëpërmjet Serbisë e edhe faktori i brendshëm këtu grupet e caktuara kriminale të cilat shfrytëzojnë çdo mundësi për shpërndarjen e lajmeve te rreme me qëllim të shkaktojnë efektin të cilin edhe janë të porositura” – tha ai.

Se lajmet e rreme janë të shpeshta në Kosovë e thotë edhe Ramadan Ilazi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS). Sipas tij Kosova në mënyrë të qëllimshme tregtohet nga akterë shtetërorë e jo shtetërorë me qëllime të përbashkëta. 

“Lajmet e rreme në Kosovë vijnë nga akter shtetërorë kryesisht Rusia dhe Kina, por rajoni ka qenë target edhe i lajmeve të rreshme të prodhuara nga Irani por ndonjëherë janë lajmë të rrejshme të prodhuara nga akterë jo shtetërorë që veprojnë brenda shteteve që janë aleat strategjik të Kosovës, pra jo çdo herë burimi është nga akterët që i quajmë dashakeqës siç është Rusia dhe Kina”- tha Ilazi.  

ndërkaq, profesori në Degën e Gazetarisë së Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Jahiri thekson se lajmet e rreme janë problem edhe për Kosovën si për shumë vende të botës. 

Sipas tij në Kosovë janë dy kategori të lajme të rreme, e para që ka të bëjë me përfitimin nga klikimet, ndërsa e dyta me propagandën ruse. 

“Edhe Kosova si edhe gjithë bota po ballafaqohet me lajme të rreme me dezinformimin, me çrregullimin informativ, por natyrisht kur vendet perëndimore kur kanë një ngritje një kapacitet shume ma të lartë qoftë të dijes qoftë te arsimimit e kanë këtë problem çfarë mundë të flitet për neve si Kosovë si një vend në tranzicion ku realisht gjithçka është jashtë kontrollit si në aspektin rregullativ si ne aspektin vetërregulltiv, por edhe ne aspektin e vetëdijes sociale”- thotë Jahiri.  

Sipas të dhënave, mbi 40 dezinformata janë shpërndarë gjatë muajve të fundit në Kosovë, e të cilat kanë pasur qëllim sigurinë e vendit. Brenda më pak se 6 muajve në Kosovë janë shperndarë hiç më pak se 38 lajme të rreme për Policinë e Ushtrinë e Kosovës. 

Në platformën e KALLXO.com, për hulumtimin e dezinformatave janë zbuluar disa lajme për ngjarjet në Mitrovicë.

“Boom”-i i lajmeve të rreme lidhet me situatat e krizave ndëretnike e sidomos me rastin e Banjskës.  Sipas të dhënave dezinformata e parë ishte në ora 9 në mëngjes. Në një lajm u raportua se KFOR-i e ka marrë situatën e kontrollit në Banjskë. KFOR-i nuk e mori kontrollin atje, ndërsa lajmi ishte i rremë. 

Nga ky hulumtim del se lajme të tjera të rreme ngritën pretendime që Policia e Kosovës ka marrë peng njerëz e madje ka shkaktuar dëme në pronat e qytetarëve. Edhe këto informacione dolën të jenë të falsifikuara.

Lajme të rreme të shumta ka pasur edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës.  Këto dezinformata ishin se FSK-ja niset drejt veriut, e po ashtu se FSK-ja po ushtron në veri. Lajme të rreme për FSK-në ka pasur edhe në kohen e sulmit terorist në Banjskë.