Rrenat e Vitit

Në Ditën e rrenave, KALLXO.com përmes platformës Krypometri sjell disa prej Rrenave të Vitit, të cilat janë evidentuar dhe verifikuar si të tilla, përgjatë zhvillimeve aktuale në Kosovë, rajon dhe në botë, nga 1 prilli 2021 deri më 31 mars 2022.  

Mediat kanë shpërndarë lajme të rreme nga më të ndryshimet, për shëndetin, sigurinë, politikën e personazhet publike. 

Platforma Krypometri, si pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikuesve të Fakeve (IFCN) monitoron në vazhdimësi mediat që publikojnë lajme në gjuhën shqipe për çështje të ndryshme. 

Ndërkaq, më 2 prill shënohet Dita Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve.

Kurse më 4 prill, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) në Kosovë, në partneritet me Interneës Kosova dhe FindBug do të shënojë Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve me një konferencë dhe webinar që mbledh së bashku gazetarë, profesionistë të medias, rregullatorë të mediave dhe vetë-rregullatorë, ekspertë të medias dhe teknologjisë, për të diskutuar rreziqet nga ndikimet e dëmshme nga jashtë, veçanërisht ato nga vendet e fuqishme si Kina e Rusia. 

Në konferecë do të diskutohet nevoja gjithnjë në rritje për një verifikim më të madh të fakteve. Tema e përgjithshme e diskutimeve do të jetë ‘Trajtimi me fakte: Si të kundërshtohen ndikimet e dëmshme nga jashtë’.

Në vazhdim ju sjellim një përmbledhje të rrenave që u publikuan nga mediat gjatë tërë vitit:

1.https://kallxo.com/krypometer/lajmi-rreme-per-kthimin-e-eshtave-te-ukshin-hotit/ 

Duke u thirrur në burimet brenda Kryqit të Kuq u raportua se eshtrat e intelektualit Ukshin Hoti do të kthehen në Kosovë. Madje titulli i lajmit ishte: “Ekskluzive: Ukshin Hoti kthehet në Kosovë”. Lajmi ishte i rremë. Lajmi është demantuar nga familjarët e Ukshin Hotit dhe nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Ukshin Hoti ende konsiderohet i zhdukur dhe nuk ka konfirmim zyrtar se ai është vrarë.

2. https://kallxo.com/krypometer/lajmi-i-rreme-per-liberalizimin-e-vizave-per-kosoven-nga-holanda/ 

Lajmi se Holanda liberalizon vizat për kosovarët ishte i rremë. Ai nuk mbështetej në asnjë burim. Për më tepër, Holanda është pjesë e zonës Schengen dhe nuk mundet e vetme t’i heq vizat për qytetarët e Kosovës.

3. https://kallxo.com/krypometer/lajmi-i-rreme-per-videon-e-personit-me-thike-ne-fyt-ne-peje/ 

Lajmi se në Pejë është parë një person të cilit i është ngulur një thikë në fyt ishte i rremë. Policia e ka demantuar lajmin duke thënë se personi në fjalë ka qenë i dehur.

4. https://kallxo.com/krypometer/rrena-mediale-se-kryeministri-albin-kurti-nuk-eshte-kercenuar/

KALLXO.com kishte raportuar ekskluzivisht për kërcënimet që kishte pranuar kryeministri Albin Kurti. Lajmi u tentua të demantohet duke thënë se nuk kishte kërcënime për Kurtin. Por, Policia dhe Zyra e Kryeministrit konfirmuan shtimin e sigurisë, për shkak të kërcënimeve të pranuara në adresë të kryeministrit Kurti.

5. https://kallxo.com/krypometer/lajmi-i-rreme-per-vdekjen-e-pronarit-te-argjendarise-ne-prizren/

Në ditën kur është raportuar, lajmi ka qenë i rremë. Nga Emergjenca e Spitalit të Prizrenit kanë konfirmuar se asnjë nga të plagosurit nuk ka vdekur.

6. https://kallxo.com/krypometer/lajmi-i-rreme-per-vdekjen-e-aktorit/

Media të shumta në Kosovë e Shqipëri kanë raportuar se aktori Mirush Kabashi ka vdekur. Lajmi ishte i rremë. Disa orë pas publikimit të lajmit në shumë media të ndryshme, aktori Mirush Kabashi tha se është është gjallë dhe është mirë me shëndet.

7. https://kallxo.com/krypometer/portalet-bien-pre-e-faqes-satirike-publikojne-foton-e-montuar-si-lajm-te-vertete/

Faqja “CoolnFresh Magazine” qëllimisht e ka montuar fotografinë, duke hequr disa shkronja, duke ia humbur kuptimin instalacionit ‘Mirë se vini në Prishtinë’. Kjo faqe satirike nuk ka thënë se ndriçimi është dëmtuar, por vetëm ka pyetur “Per sa dite?”. Ky postim u ripublikua pa asnjë verifikim nga shumë media, në stilin e gazetarisë Copy-Paste. Fotografia ishte e montuar e lajmi ishte i rremë.

8. https://kallxo.com/krypometer/rrena-per-ndarjen-e-300-eurove-per-qytetaret-e-kosoves/
https://kallxo.com/krypometer/rrena-mediale-per-terheqjen-e-30-te-kursimeve-pensionale-nga-trusti/
https://kallxo.com/krypometer/lajmi-i-rreme-per-ndarjen-e-300-eurove-per-personat-qe-e-kane-kaluar-covid-19/
     https://kallxo.com/krypometer/lajmi-i-rreme-per-ndarjen-e-250-eurove-per-cdo-qytetar-te-kosoves/

Që nga 1 prilli i vitit të kaluar janë publikuar me dhjetëra lajme të rreme që targetojnë qytetarët në nevojë. Qeveria nuk i ka ndarë nga 300 euro për secilin qytetar apo për qytetarët që e kanë kaluar COVID-19. As lajmi i publikuar se do të mundësohet tërheqja e 30% të kursimeve pensionale nuk ishte i vërtetë në kohën e publikimit.

9. https://kallxo.com/krypometer/lajmi-i-rreme-se-ish-deputeti-blerim-grainca-shpenzoi-10-mije-euro-per-derivate/

Mediat publikuan gabimisht që Blerim Grainca t’i ketë shpenzuar 10 mijë euro për udhëtim gjatë kohës sa ishte deputet. Lajmi doli të ishte i rreme, pasi Grainca nuk ishte deputet në periudhën për të cilën thuhet se janë bërë shpenzimet.

10. https://kallxo.com/krypometer/lajm-i-rreme-per-vrasjen-e-presidentit-te-ukraines/

Portalet përdorën fotografi të vjetra dhe video nga video-lojërat për të pasqyruar luftën në mes të Rusisë dhe Ukrainës që ka nisur me datë 24 shkurt 2022. Në portalet në gjuhën shqipe u publikua një lajm i rremë për vrasjen e presidentit të Ukrainës.

11. https://kallxo.com/krypometer/lajmi-i-rreme-se-shqiperia-u-ben-thirrje-shtetasve-te-saj-te-luftojne-ne-ukraine/

Ky lajm është i rremë. Asnjë institucion i Shqipërisë nuk ka bërë thirrje për qytetarët e saj që t’i bashkohen luftës në Ukrainë.