Ilustrimi: Vigan Kada/2vo.eu

Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve nga BIRN

Me qëllim të shënimit të Ditës së Verifikimit të Fakteve të IFCN, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në Kosovë, në partneritet me Internews Kosova dhe me FindBug, do të mbajë një konferencë me prani fizike dhe online, me gazetarë, redaktorë, profesionistë të medias, rregullatorë dhe vetë-rregullatorë, ekspertë të medias dhe teknologjisë dhe akterë të tjerë ndërkombëtar dhe rajonal.

Në panelet e organizuara do të diskutohet për rreziqet e ndikimeve të huaja të dëmshme, posaçërisht ato nga shtete të fuqishme si Kina e Rusia. Krahas kësaj, në të do të diskutohet nevoja gjithnjë në rritje për verifikim të fortë e të shëndoshë të fakteve. Tema e përgjithshme e diskutimeve do të jetë ‘Ballafaqimi me fakte: Si të kundërshtohen ndikimet e dëmshme nga jashtë’.

Konferenca do të mbahet të hënën, më 4 prill, me fillim nga ora 14:00.

BIRN Kosova dhe partnerët e saj, me mbështetjen e Ambasadës së ShBA-së, janë angazhuar me një varg aktivitetesh për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, e cila shënohet që nga data 2 prill 2017.

Kjo ditë, nën udhëheqjen e Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve (IFCN) të Poynter, shënohet nga organizata mediatike të ndryshme në botë si ditë kur festohet e vërteta.

E caktuar qëllimisht një ditë pas Ditës së Rrenave, 1 prillit, Dita Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve qartazi thekson aspektin binar të ‘rrenës kundër faktit’ dhe faktet tani janë më me rëndësi se kurdoherë më parë.

BIRN Kosova dhe Internews Kosova kanë një instrument të verifikimit të fakteve, Krypometrin, i cili ka shërbyer si instrumenti primar i verifikimit të fakteve në Kosovë që nga viti 2015, dhe është bërë pjesë e rrjetit IFCN në dhjetor 2016.

Të interesuarit mund të bashkohen edhe online përmes platformës ZOOM duke u regjistruar në linkun: https://us02web.zoom.us/webinar/register/WN_6Z-_I1xDRburUi0y29-31g 

Kjo konferencë do të ndahet në tre sesione apo panele:

PANELI 1: Si të luftohen ndikimet e dëmshme nga jashtë – mësime nga bota

Moderon: Jeta Xharra, Drejtore Ekzekutive e BIRN

Jeta Xharra

Jeta Xharra është drejtoreshë dhe themeluese e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN Kosova), si dhe moderatore dhe redaktore e emisionit “KALLXOPërnime” që transmetohet në TV Dukagjini. Ajo themeloi emisionin “Jeta në Kosovë” që u mor me tema tabu dhe hulumtuese dhe u transmetua në RTK për rreth 15 vjet. 

Panelistë:

– Enock Nyariki, Menaxher i Angazhimit dhe impaktit në Komunitet, IFCN

Enock Nyariki

Si menaxher i angazhimit dhe impaktit në Rrjetin Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve (IFCN), Enock Nyariki punon për të fuqizuar verifikuesit e fakteve në mbarë botën. Më parë, ai punoi si redaktor menaxhues i PesaCheck, ku drejtoi ekipin për ekspozimin e dezinformatave në 13 shtete afrikane për të luftuar informacionet e dëmshme në disa prej mjediseve mediatike më të ashpra në botë. 

Jasna Jelisić, Kryetare e Task Forcës së Ballkanit Perëndimor në Divizionin e EEAS për Komunikim Strategjik dhe Analizë të Informacionit

Jasna Jelisić

Është udhëheqëse e Task Forcës për Ballkanin Perëndimor në Divizionin e Komunikimit Strategjik të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian. Duke punuar për BE-në që nga viti 2006, ajo ka pasur një gamë të gjerë përgjegjësish që kanë të bëjnë me çështje të shumta komplekse që lidhen me zbatimin e politikave të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Gjatë viteve 2015/16, ajo ka kontribuar edhe në zhvillimin e Strategjisë Globale të BE-së, duke argumentuar për pozicionimin e diplomacisë publike si një nga shtyllat kryesore të veprimit të jashtëm të BE-së.

– Rainer Schüller, Der Standard, Austria

Rainer Schüller

Është zëvendës-kryeredaktor i gazetës DER STANDARD që nga viti 2013. Ai iu bashkua DER STANDARD në vitin 2000 dhe që atëherë është përfshirë në zhvillimin e edicionit online të gazetës. Fillimisht si redaktor për politikën e më pas si shef i departamentit për politikën e brendshme dhe redaktor menaxhues, tani Schüller është përgjegjës për redaksinë e integruar në DER STANDARD. Përveç kësaj, ai punon si lektor i jashtëm në Institutin për Studime të Medias dhe Komunikimit në Universitetin e Vjenës.

– Ed Vulliamy, The Guardian/Observer

Ed Vulliamy

Punoi si reporter ndërkombëtar në Guardian dhe Observer për më shumë se 30 vite. Temat të cilat ai i mbuloi gjatë kësaj kohe përfshijnë edhe luftërat ballkanike ndërmjet viteve 1991-95. Puna e tij në Ballkan i dha atij shumë çmime, duke përfshirë këtu çmimin për “Korrespondentin e Huaj të Vitit 1992” dhe “Gazetarin Ndërkombëtar të Vitit 1992”. Vulliamy gjithashtu raportoi për Luftërat në Irak dhe punoi si korrespondent i Nju Jorkut pas sulmit terrorist të 11 shtatorit.

– Svitlana Slipchenko, UD drejtoreshë e VoxCheck, VOX Ukraine (anëtar të IFCN në Ukrainë)

Svitlana Slipchenko

Nga 1 dhjetori 2021, ajo është ushtruese e detyrës së drejtoreshës së VoxCheck. Vitet e fundit, Svitlana ka qenë zv.drejtoreshë e VoxCheck duke mbikëqyrur verifikimin e fakteve, programin e praktikës dhe praktikantët. VoxCheck monitoron dhe verifikon deklaratat e politikanëve dhe liderëve, të cilat ata i japin në një audiencë më të gjerë.

PANELI 2: Si të luftohen ndikimet e dëmshme nga jashtë – mësime nga Ballkani Perëndimor

Moderon: Besa Luci, Drejtore Ekzekutive e Kosovo 2.0

Besa Luci

Besa Luci është kryeredaktore dhe bashkëthemeluese e Kosovo 2.0 (K2.0). Në periudhën 2012-2019 ka qenë asistente në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës. Besa mban diplomë të nivelit Master në Gazetari/Shkrim Gazetaresk nga Shkolla e Gazetarisë e Universitetit të Misurit në Kolumbia, SHBA.

Panelistë:

– Tijana Cvjetićanin, Raskrivanje.ba dhe Anëtare e Bordit të IFCN

Tijana Cvjetićanin

Tijana Cvjetićanin është bashkë-themeluese e dy platformave të vetme për verifikimin e fakteve në Bosnje dhe Hercegovinë: Istinomjer (2010), platformë e cila mat autenticitetin e deklaratave të zyrtarëve publikë dhe ndjek premtimet zgjedhore të partive politike; dhe Raskrinkavanje (2017), një projekt mediatik për verifikimin e fakteve. Gjatë periudhës 2018-19, ajo ishte gjithashtu kryeredaktorja e ‘FemFacts’, një projekt ndërkombëtar për verifikimin e fakteve që ndiqte raportimin mbi gratë dhe çështjet e lidhura me gratë në mediat evropiane. Tijana aktualisht shërben si pjesëtare e Bordit Këshillimor të Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve (IFCN).

– Ivan Angelovski, Redaktor i Hulumtimeve Regjionale të BIRN dhe Producent i Asocuar i CBC Canada

Ivan Angelovski

Ivan Angelovski është gazetar hulumtues dhe redaktor që punon në projekte afatgjata ndërkombëtare me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese. Ai është gjithashtu producent i asociuar i CBC-së në Kanada. Ivani kreu hulumutimin e investimeve të Kinës në Ballkan, të botuar nga BIRN-i në dhjetor 2021, të cilin mund ta gjeni këtu: https://china.balkaninsight.com/.

– Filip Stojanovski, Drejtor i Metamorphosis dhe verifikues i certifikuar faktesh në Maqedoninë e Veriut

Filip Stojanovski

Si Drejtor për Partneritet dhe Zhvillim të Burimeve, ai shërben si një nga anëtarët udhëheqës të ekipit të Fondacionit Metamorfoza, që punon në projekte që përfshijnë luftimin e dezinformatave, promovimin e shkrim-leximit mediatik dhe të menduarit kritik, dhe avancimin e verifikimit të fakteve si një segment integral i gazetarisë profesionale. Si përfaqësues i Fondacionit Metamorfoza, ai shërbeu si anëtar i Task Forcës për Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Shoqërisë së Informacionit (2005) dhe një sërë organesh të tjera shtetërore, duke mundësuar bashkëpunimin e shoqërisë civile me aktorë të tjerë.

– Kreshnik Gashi, Krypometër, verifikues i certifikuar faktesh nga IFCN, Kosovë

Kreshnik Gashi

Është kryeredaktor i platformës anti-korrupsion “KALLXO.com” dhe një nga autorët e programit të njohur televiziv “KallxoPërnime”. Të dyja këto produkte mediatike kanë kontribuar vazhdimisht në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, duke trajtuar çështje që mbulojnë drejtësinë, policinë dhe sigurinë. Gashi është shpërblyer me çmime nga UNDP, Agjencia Kundër Korrupsionit, Asociacioni i Gazetarëve dhe Bashkimi Evropian për raportimin e tij kundër korrupsionit. Ai gjithashtu ka njohuri të specializuara për trajnimin e gazetarëve, organizatave mediatike, gjyqtarëve dhe prokurorëve në fusha të ndryshme si: gazetaria e thelluar hulumtuese, verifikimi i fakteve si dhe mjetet dhe parimet e tij, të folurit publik etj.

PANELI 3: Si të luftohen ndikimet e dëmshme nga jashtë – mësime nga Kosova

Moderon: Kreshnik Gashi, Krypometër, verifikues i certifikuar faktesh nga IFCN, Kosovë

Panelistë:

– Flaka Surroi, Koha Ditore

Flaka Surroi

Para luftës në Kosovë të vitit 1999, Surroi ka punuar në disa OJQ ndërkombëtare, ndërsa pas luftës ka udhëhequr një fondacion vendor. Ajo punoi për një periudhë të shkurtër si Sekretare e Përhershme e Kryeministrit të Kosovës, por pas rihyrjes së vëllait të saj Veton Surroit në politikë në vitin 2003, Flaka Surroi mori drejtimin dhe pronësinë e vetme të ndërmarrjes familjare Koha Group. Koha Group përbëhet nga transmetuesi televiziv kombëtar i quajtur “Kohavision”, gazeta më e madhe ditore në Kosovë “Koha Ditore”, shtypshkronja, ofruesi i shërbimeve të internetit “Koha Net: dhe një biznes i verërave. Aktualisht ajo është në krye të Kohës Ditore.

– Afërdita Saraçini, RTV 21

Afërdita Saraçini

Është themeluese dhe drejtoreshë e përgjithshme e Radio Televizionit 21. Pasi humbi punën si gazetare e Radiotelevizionit të Prishtinës në vitin 1990, ajo u frymëzua që ta themelonte Radio 21-shin. Ajo ka shërbyer edhe si Kryetare e Odës Ekonomike të Grave në Kosovë.

– Shkumbin Ahmetxhekaj, RTK

Shkumbin Ahmetxhekaj

Është ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm në Radio Televizionin e Kosovës. Ai më parë ka qenë redaktor në RTK dhe ka raportuar për çështje aktuale dhe lajme nga bota. Ai gjithashtu ka punuar për disa media ndërkombëtare, duke përfshirë këtu Radio Evropa e Lirë.

– Tatjana Lazarević, KOSSEV

Tatjana Lazarević

Është redaktore e medias online Kosova Veriore – KoSSev, media kryesore (deri vonë edhe më e reja) në gjuhën serbe në Kosovë, me audiencë aktuale prej mbi 7 milionë shikime në vit. Shkollimi i saj universitar është në filologji, marrëdhënie me publikun dhe komunikim.

– Gentian Lluka, Telegrafi

Gentian Lluka

Në vitin 2010 ai kaloi ne industrinë e mediave nga dizajni grafik. Në një kohë kur e ardhmja e mediave online ishte e pasigurt dhe e mjegullt, Gentian Lluka mori nën udhëheqje portalin Telegrafi.com me vetëm katër të punësuar. Sot, më shumë se një dekadë më vonë, numëron mbi 60 punonjës, të shtrirë në tri shtete – Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Lluka qëndroi aktiv në sektorin e mediave duke kontribuar në menaxhim, zhvillim dhe inovacione të reja dhe duke ruajtur me fanatizëm pavarësinë editoriale dhe duke sjellë modelin profesional e funksional të medias online ne Kosovë.