FOTO: KALLXO.com

Konferenca e BIRN-it për lajmet e rreme, sfidat dhe rëndësia e verifikimit të fakteve

Organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) në partneritet me Internews Kosova dhe me FindBug, në Prishtinë të hënën u mbajt konferenca për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, me temën “Ballafaqimi me fakte: Si të kundërshtohen ndikimet e dëmshme nga jashtë”.

Kjo konferencë, e  cila zgjati më shumë se katër orë, mblodhi së bashku gazetarë, redaktorë, profesionistë të medias, ekspertë të tjerë, të cilët diskutuan rreziqet nga ndikimet e dëmshme nga jashtë, veçanërisht ato nga vendet e fuqishme si Kina e Rusia.

Në panelin e parë me temën “Si të luftohen ndikimet e dëmshme nga jashtë – mësimet nga bota?”, u diskutua për rëndësinë dhe vështirësitë e verifikuesve të fakteve për luftimin e dezinformimit dhe lajmeve të rreme nga lufta e nisur nga Rusia në Ukrainë.

Panelistët vlerësuan punën e gazetarëve të cilët raportojnë nga frontet e luftës në Ukrainë, duke diskutuar për rëndësinë e verifikimit të fakteve dhe edukimit medial gjithashtu.

Drejtoresha e BIRN-it në Kosovë, Jeta Xharra në hyrje të konferencës tha se në këtë ditë duhen kujtuar gazetarët të cilët u vranë gjatë luftës në Ukrainë.

“Tetë gazetarë kryesisht ukrainas, por edhe ndërkombëtarë kanë vdekur gjatë invazionit rus në Ukrainë. Ata e kanë paguar me gjak jetën e tyre për të na e sjell të vërtetën”, tha ajo.

Svitlana Slipchenko, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së VoxCheck, nga medoa VOX Ukraine (anëtare e Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikim të Fakteve në Ukrainë), nga Kievi tha se në këtë situatë lufte është qenësore të merret me verifikimin e lajmeve të rreme.

“Sfida jonë është t’i kundërvihemi shumë narrativave për t’i përballur me narrativat tona. Shembulli i fundit ka qenë ballafaqimi me narrativën ruse se nuk ka pasur sulm në spitalin e maternitetit në Mariupol, kur e dimë se çfarë ka ndodhur atje”, tha ajo.

Në anën tjetër, Enock Nyariki, menaxher i  Angazhimit dhe Impaktit në Komunitet, nga Rrjeti Ndërkombëtar për Verifikim të Fakteve, foli për mobilizimin e këtij rrjeti për vetifikimin e lajmeve të ndryshme për luftën në Ukrainë.

“Ne e kemi ditur qe keqinformimi dhe dezinformimi do të dalë nga kontrolli dhe do të përhapen në tërë botën. Kështu që ne u mblodhëm dhe krijuan ueb-sajtin publik me emrin Facts of Ukraine ku i kemi verifikojmë raportimet në lidhje me luftën në Ukrainë”, tha ai.

Në panelin e dytë me temën “Si të luftohen ndikimet e dëmshme nga jashtë – mësime nga Ballkani Perëndimor” u përmendën arsyet e shpërndarjes së dezinformatave dhe propagandës, nga faktorët politik, ekonomik dhe social.

Panelistët theksuan rëndësinë e edukimit medial dhe mendimit kritik si formë për të luftuar lajmet e rreme.

Ivan Angelovski, Redaktor i Hulumtimeve Regjionale të BIRN dhe Producent i Asocuar i CBC Canada, tha se keqinformimi duhet luftuar në çdo nivel.

“Keqinformimi duhet luftuar në çdo nivel dhe në mënyrën sa më të saktë dhe profesionale duke renditur faktet”, theksoi ai.

Filip Stojanovski, drejtor i “Metamorphosis” dhe verifikues i certifikuar faktesh në Maqedoninë e Veriut u shpreh se është dëshmuar që verifikimi i fakteve është pjesë e gazetarisë profesionale.

“Është çështje jete a vdekje. Duhet të avancohet kjo temë dhe të gjendet zgjidhje për sferën e dezinformimit. Interneti është parë dhe krijuar për nivel akademik qe të shpërndahet dija, kurse tash përdoret për elemente që janë kundër lirisë së shprehjes, kemi gjuhë të urrejtjes”, tha ai.

Ndërkaq, Kreshnik Gashi nga platforma e KALLXO.com – Krypometri, që është verifikues i certifikuar faktesh nga Rrjeri Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve (IFCN) në Kosovë, renditi disa prej qëllimeve të prodhimit të lajmeve të rreme.

“Qëllimi i parë i lajmeve të rreme është ndryshimi i të kaluarës historike, pra duke tentuar të ndryshohet ajo. Elementi tjetër është influenca qe vjen nga jashtë vendit sidomos prej burimeve qe vijnë kryesisht të financuara nga Rusia qe kanë qellim krijimin e pasigurisë më vendin tonë dhe tentohet të krijojnë panik. Elementi tjetër është ai influencës së brendshme që suportohet nga partitë politike dhe bizneset në vendin tonë”, tha ai.

“Në Kosovë nuk duhet lënë pa kaluar fakti që ka pasur tendenca nga partitë politike të prodhohen lajmet e rreme për kundërkandidatit e tyre, për të marrë pushtetin”, shtoi Gashi.

“Si të luftohen ndikimet e dëmshme nga jashtë? – mësime nga Kosova” ishte tema e panelit te tretë të konferencës në të cilën morën pjesë udhëheqësit e disa prej mediave në Kosovë.

Drejtoresha e Grupit Koha, Flaka Surroi tha se për lajmet nga jashtë janë përpjekur të bëjnë një përzgjedhje të mediave nga të cilat marrin informacioneve, duke shfrytëzuar mediat profesionale ndërkombëtare.

Ndërsa, Afërdita Saraçini drejtoreshë e Radio Televizioni 21, përmendi zhvillimin e teknologjisë si indikator për ndikimin e madh tek njerëzit të lajmeve të rreme.

“Rrjetet sociale dhe teknologjia kanë mundësuar globalizimin, kështu që njerëzit janë më të ndikueshëm se dikur, në masë të madhe nga lajmet e rreme”, tha ajo.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Radiotelevizionit të Kosovës Shkumbin Ahmetxhekaj, tha se ndër masat e para që kanë marrë në RTK, kanë qenë ndryshimet në ueb-faqen e mediumit.

“Ne jemi koncentruar që të kemi lajme të prodhuara vet nga RTK, dhe më pak të marrim lajme nga agjencitë dhe mediat tjera. Nuk kemi më bombardim të lajmeve të ndryshme në portal”, tha ai.

Ahmetexhaj bëri të ditur se kane marrë masa, pasi RTK publikoi ne televizion lajmin e rremë të 1 prillit [Ditës së Gënjeshtrave], se kryeministri shqiptar Edi Rama është bërë sekretar i NATO-s.

Kurse, drejtori i portalit “Telegrafi”, Gentian Llula tha se kanë rritur personelin brenda portalit dhe po tentojnë të sjellin inovacion.

Drejtoresha dhe kryeredaktorja e Kossev, media që publikon lajme në gjuhën serbe dhe angleze, Tatjana Lazereviç, tha se e shqetëson censurimi i informacioneve dhe dezinformimi.

“Ajo çka më frustron është censurimi i informatave dhe dezinformimi i publikut në nivel global. Unë jam shumë radikale në atë kuptim qe nuk duhet të ekzistojë asnjë censurë në informimin e publikut”, tha ajo.

BIRN Kosova dhe partnerët e saj janë angazhuar me një varg aktivitetesh për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, e cila shënohet që nga data 2 prill 2017.

Kjo ditë, nën udhëheqjen e Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve (IFCN) të Poynter, shënohet nga organizata mediatike të ndryshme në botë si ditë kur festohet e vërteta.

E caktuar qëllimisht një ditë pas Ditës së Rrenave, 1 prillit, Dita Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve qartazi thekson aspektin binar të ‘rrenës kundër faktit’ — dhe faktet tani janë më me rëndësi se kurdoherë më parë.

BIRN Kosova dhe Internews Kosova kanë një instrument të verifikimit të fakteve, Krypometrin, i cili ka shërbyer si instrumenti primar i verifikimit të fakteve në Kosovë që nga viti 2015, dhe është bërë pjesë e rrjetit IFCN në dhjetor 2016.