Perparim Rama
Rama flet për punët e 6 mujorit e parë të këtij viti, jep detaje edhe për plane të reja
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ka shpalosur raportin e punës për 6 mujorin e parë të vitit 2023.
Në seancën e Kuvendit Komunal e cila u bojkotua nga dy parti opozitare, Rama foli për punime e projekte të sektoreve të ndryshme në kryeqytet.
Rama para asamblistëve tha se një numër i madh i projekteve që janë tenderuar në vitin 2022 kanë filluar të zbatohen këtë vit.
“Nisëm rrugën ‘Jim Xhema’- rrugë që përpos se zgjidh problemin e kolektorit, do krijojë një jetë rë re për reth 20 mijë qytetarë, kemi nisur zgjatjen e rrugës B, kemi zgeruar rrjetin e Termokos për 40 mijë qytetarë shtesë, kemi nënshkruar ndërtimin e pesë shkollave dhe tre tjera janë në ndërtim e sipër”- tha Rama.
I pari i kryeqyteti foli edhe për planet që ka për projekte të reja.
“Kemi dizajnuar transformimin e ish ndërtesës së Gërmisë, për Sallën koncertale dhe muzeun e artit. Identiteti i ndërtesës do ruhet tërësisht. Jemi duke dizajnuar edhe ndërtimin e sheshit të Prishtinës së vjetër nga Xhamia e Qarshirsë deri te Gjimnazi “Sami Frashëri”- shtoi Rama.
Ai theksoi se janë duke punuar edhe për ndërtim të tunelit në rrugën ‘Agim Ramadani’ si dhe për tregun e ri.
“Janë duke u dizajnuar edhe platforma ndërlidhëse ‘Arbëri’ dhe Pallat të Rinisë dhe nënkalimi Kalabri-Dardani si dhe një park shtesë”- shtoi Rama.
Rama foli edhe për fushën e shëndetësisë dhe planet që ka komuna.
“E hapëm qendrën e mjekësisë familjare në Veternik, Spitali i Qytetit është duke u dizajnuar dhe punët do nisin këtë vit”- tha Rama.
Derisa, në fushën e Sportit, Rama deklaroi se kanë synim të organizojnë lojërat olimpike mesdhetare 2030.
“Po punojmë që në vitin 2024 të nisnim me ndërtimin e stadiumit të kryeqytetit si dhe qendrës olimpike në Bërnicë. Këtë javë do marr pjesë në eventin e komitetit olimpik në Greqi ku do vendoset për organizim të lojërave Olimpike mesdhetare për vitin 2030, ne kemi shpreh interesin tonë, kemi përkrahje të organizatave dhe Qeverisë. Gjasat për të fituar të drejtën e organizimit të këtyre lojërave janë shumë të mëdha dhe shpresoj se pas datës 9 shtator të kthehem me një lajm të mrekullueshëm për kryeqytetin”- tha Rama.
Ai po ashtu theksoi se kanë krijuar drejtorinë për sigurinë dhe emergjenca dhe kanë filluar procesin e themelimit të drejtorisë së policisë për kryeqytetin.
Kuvendi Komunal i Prishtinës është duke mbajtur seancë, e cila u bojkotua nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
LVV në Prishtinë bojkoton Kuvendin Komunal: Nuk shkojmë të hënën në seancë