LVV në Prishtinë bojkoton Kuvendin Komunal: Nuk shkojmë të hënën në seancë
Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, kanë njoftuar përmes një komunikate se nuk do të marrin pjesë në seancën e radhës të Kuvendit Komunal, që pritet të mbahet të hënën.
Vetëvendosje po konteston zgjedhjen e kryesuesit të ri të Kuvendit Komunal dhe kjo është bërë shkak për bojkotim të seancës së radhës.
“Siç jeni në dijeni, për ne, është e kontestueshme zgjedhja e Kryesuesit të ri dhe rrjedhimisht e kontestojmë edhe ftesën për këtë seancë që vjen nga një autoritet për legjitimitetin e të cilit do të vendosin organet e drejtësisë” – thuhet në reagimin e asamblistëve të LVV-së.
“Duke ditur faktin se tashmë në Gjykatën Themelore në Prishtinë është inicuar një konflikt administrativ në mes të MAPL-së dhe Komunës së Prishtinës, ndër të tjera edhe për çështjen e Kryesuesit, vlerësojmë se thirrja dhe organizimi i kësaj mbledhje në këtë kohë është i panevojshëm dhe tendencioz” – thuhet tutje në komunikatë.
Vetëvendosje thotë se me këtë paqartësi juridike, të gjitha vendimet e dala nga Kuvendi Komunal mund të ketë pasoja juridike që mund të ndiqen me ndjekje e kallëzime penale.
“Kërkojmë nga partitë në pushtet në Komunën e Prishtinës, koalicioni LDK-PDK-NISMA-LB, të përmbahen nga çfarëdo vendimi e veprimi në këtë fazë dhe gjithashtu kërkojmë nga Gjykata Themelore në Prishtinë që sa më parë, me prioritet, ta trajtoj çështjen në fjalë” – thuhet në komunikatën e LVV-së
Kuvendi Komunal i Prishtinës në qershor të këtij viti kishte shkarkuar kryesuesin e deriatëhershëm Fehmi Kupinën, i cili u shkarkua pas propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ndërsa në korrik të këtij viti, asamblistët kishin zgjedhur Pëllumb Bajqinovcin si kryetar të Kuvendit Komunal.
Pëllumb Bajqinovci zgjidhet kryekuvendar i Prishtinës