Si po i lufton dezinformatat Këshilli i Mediave të Shkruara?

Qerim Ondozi nga KMSHK ka thënë se ankesat më të mëdha si Këshill i kanë për dezinformatat.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se e kanë të vështirë të bëjnë identifikimin e këtyre dezinformatave dhe nga vijnë ato.

“Më së shumti raportime marrim për raportimin e së vërtetës, kryesisht ankesat d.m.th. na vijnë sepse një medium, sipas pretendimit, nuk e ka tregu të vertetën, ka dezinformu, ka keqinformu, e ka bo këtë me qëllim, e ka bo këtë pa qëllim etj.” – tha Ondozi.

Ai tutje ka shtuar se pavarësisht këtyre ekziston një përmirësim te mediat sa u përket lajmeve për ndarjen etnike.

“Me gjasë mediat e Kosovës janë rritur, nuk po u duket më interesant kjo temë. E kemi një përshtypje se janë përmirësuar. Fokusi tash është më global, nuk ka më përdorim të termeve pezhorative, tek mediat në Serbi mund të shohësh termin ‘shiptari’, kurse te ne s’mund të shohësh terme denigruese për minoritetet në Kosovë, ndoshta për grupe të tjera përdorin terme pezhorative, të orientimit seksual, fetar etj. por s’kemi ankesa që përdoret një gjuhë fyese kundrejt një komuniteti etnik. Më duket që ka kapërcy ajo fazë” – tha tutje ai në emisionin “Kallxo Përnime” ku po diskutohet për lajmet e rreme gjatë këtij viti.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, muaj më parë ka publikuar raportin për dezinformatat “Vorbulla e rrenave”, i cili përshkruan jo vetëm dezinformatat, por edhe narrativat e tij.

I financuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, raporti ka ‘hartuar’ dezinformimin në Kosovë duke ofruar njohuri për dinamikën e dezinformimit dhe pasojat që ai ka te qytetarët e Kosovës në fusha të ndryshme.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë ‘“Vorbulla e rrenave”.