Çështja e dinarit përplas profesorin Alban Zeneli dhe gazetarin Branisllav Kërstiq

Profesori i UP-së, Alban Zeneli, ka folur për dezinformatat rreth çështjes së dinarit serb.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin serb ka qenë e ditur se do të shfrytëzohet për t’i keqinformuar apo dezinformuar qytetarët serbë në Kosovë.

“Për arsye etnike demek u bo vendimi për dinarin. Ideja është që vendimi ka qenë për me vendosë qarkullimin e vetëm një valute në Kosovë. Kjo nuk është bërë kundër komunitetit serb, por ajo hapësirë që nuk janë informuar siç duhet qytetarët serbë u shfrytëzua prej mediave që janë në shërbim të Vuçiqit me fry këtë narrativë, këtë ide” – tha Zeneli.

Këtë e ka kundërshtuar gazetari nga Mitrovica e Veriut, Branisllav Kërstiq, duke thënë se qytetarët serbë në veri nuk janë informuar siç duhet.

“Kjo është e njëanshme dhe një lloj gjuhës së urrejtjes. Edhe guvernatori ka treguar se ky vendim është bërë njëanshëm. Asnjë person i nacionalitet serb nuk është kundër euros por qysh me i bo modelet për serbët lokalë me mujtë me i marrë rrogat nga Beogradi zyrtar. Po thoni që serbët nuk janë të informuar por edhe ju jeni duke bërë një propagandë ndaj serbëve” – shtoi Kërstiq.

Ai tha gjithashtu se është dashur të ketë një fushatë për t’i informuar qytetarët e komunitetit serb.

“Një fushatë me na informu sepse Kushtetuta e Kosovës na garanton pakicën në shtetin e Kosovës, që kemi të drejtë t’i kemi dy nënshtetësi. E dimë çka është ideja e shtetit të Kosovës edhe shumica e elitës në veri e pranon që është një vendim korrekt edhe që është i pranueshëm” – tha tutje ai.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, muaj më parë ka publikuar raportin për dezinformatat “Vorbulla e rrenave”, i cili përshkruan jo vetëm dezinformatat, por edhe narrativat e tij.

I financuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, raporti ka ‘hartuar’ dezinformimin në Kosovë duke ofruar njohuri për dinamikën e dezinformimit dhe pasojat që ai ka te qytetarët e Kosovës në fusha të ndryshme.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë ‘“Vorbulla e rrenave”.