Sa do të kushtojnë studimet e përbashkëta albanologjike mes Kosovës dhe Shqipërisë?

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth bashkëpunimit albanologjik mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Lindita Rugova, dekane e Fakultetit Filologjik të UP-së, tha se duhet menduar edhe buxheti për vitin e ardhshëm.

“Sot e çela këtë temë në mbledhje, thash ne duhet të bëjmë konceptin por edhe duhet të planifikojmë buxhetin sepse ai duhet të jetë nga niveli qendror. Shembull ne si fakultet nuk kemi buxhet tonin, varemi nga rektorati, por në anën tjetër rektori nga Shqipëria më tha se kanë fonde të caktuara për organizim të konferencave” – thotë Rugova.

Një telash sipas saj është akreditimi.

“Nëse ne duam t’i akreditojmë këto programe me vlejtë edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, rregullat në dy shtetet janë të ndryshme. Ne duhet së pari të marrim edhe një përkrahje shtetërore sepse kemi të bëjmë me albanologjinë, me diçka që është e jona” – thotë ajo.

Rugova ka shtuar se deri në fund të qershorit dy grupet punuese, nga Shqipëria e Kosova, do të bëjnë planin për buxhetin.

“Ne duhet të tregojmë se sa kushton, sepse aty ka me pasë edhe antropologji, edhe histori, jo vetëm letërsi. Bile kjo e fundit më së paku është përmendur. Atëherë ne duhet t’i caktojmë ato dhe të themi që kjo ka me kushtu kaq” – tha më tej Rugova.