Programi i Ballkanistikës, risi në Universitetin e Prishtinës

 

Në listën e programeve të akredituara në Universitetin e Prishtinës këtë vit përfshihet edhe një program unik, ai i Ballkanistikës, i cili humbi akreditimin në vitin 2015. Në procesin e riakreditimit të këtij programi, siç bën të ditur dekanja e Fakultetit Filologjik, prof. dr. Lindita Rugova, janë bërë një sërë ndryshimesh sipas rekomandimeve të Agjencisë për Akreditim, partnerëve mbështetës të këtij programi dhe gjetjeve pas hulumtimit në tregun e punës.

“Në fillim kur e kemi akredituar ka qenë program më shumë i profilit shkencor, pra ka qenë program taman për lidhjen gjuhësore ballkanike, për karakteristikat e përbashkëta, për dallimet që i kanë gjuhët ballkanike, dhe që i ka ngjasu shumë programeve të tjera të ballkanistikës që janë nëpër botë”, thotë Rugova.

“Në ndërkohë, pas hulumtimit të tregut, ka dalë të ketë shumë nevojë për përkthyes gjyqësorë edhe në përgjithësi për administratë që i njeh të dy gjuhët zyrtare në Kosovë. Kështu që ne e forcuam pak më shumë profilin për përkthim; askpekti shkencor mbetet (lidhja e gjuhëve ballkanike), dhe futëm pak mësimdhënie. Të diplomuarit tanë do të kenë më shumë mundësi në treg të punës nese i dijnë shqipen, serbishten, anglishten dhe ndonjë gjuhë tjetër ballkanike”.

Programi i Ballkanistikës ka përmbajtje unike prej programeve të tjera që ofrohen në Fakultetin Filologjik, duke përfshirë në të jo vetëm aspektin shkencor të gjuhëve në Ballkan por edhe aspektin kulturor, politik, historik dhe letrar.

Në këtë program që tashmë është akredituar për tri gjenerata, do të pranohen gjithsej 30 studentë të cilët shprehin interesim për t’u aftësuar në këtë drejtim. Studentët që do të pranohen pritet të jenë nga të gjitha komunitetet e Kosovës meqë këtë e lejon laramania e gjuhëve të programit. Megjithatë, pa marrë parasysh shtetësinë dhe gjuhën amë të studentëve, njohja e gjuhës shqipe është e obligueshme.

Gjatë dy viteve të para të studimit, studentët do të kenë mundësi ta arrijnë kompetencën e duhur gjuhësore, qoftë në gjuhë amtare apo në gjuhën e dytë ballkanike, përmes lëndëve të programit dhe kurseve shtesë që mund t’i ndjekin në Qendrën e Gjuhëve pranë Fakultetit Filologjik.

Pofesoresha e asociuar, Seniha Krasniqi, që do të jetë një prej ligjerueseve në këtë program, tregon për njërën prej sfidave që e presin programin e Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës.

“Programi do të ndahet në 2 grupe, 2 vitet e para, grupi me gjuhë shqipe si gjuhë amtare dhe grupi me gjuhë të tjera ballkanike. Këto grupe do të bashkohen në disa lëndë dhe sipas gjendjes dhe kërkesës, disa lëndë do të ligjërohen edhe në gjuhën angleze. Depërtimi në mënyrë të barabartë deri tek këta studentë të nacionaliteteve të ndryshme do të jetë një sfidë e re për ne, me të cilën mezi presim ta sfidojmë veten”, thotë Krasniqi.

Pavarësisht risisë së programit, të diplomuarit do të kenë mundësi të shumta për zgjedhje të profesionit.

“Për karrierë ka mundësi të shumta”, thotë dekanja Rugova. “Për shembull, përkthyes, interpret, hulumtues, mësimdhënës dhe mund të përgatisim diplomatë të ardhshëm”. Laramaninë e zgjedhjeve për karrierë i mundësojnë lëndët të cilat nuk ofrohen në programet e tjera të UP-së.

“Folklor i gjuhës amtare” është një prej lëndëve të cilat do t’i ligjerojë profesoresha Krasniqi. “Kjo lëndë do të ofrojë një pasqyrë të folklorit ballkanik nga perspektiva historike, politike dhe antropologjike”, thotë ajo.

“Këtu do të mësohet për folklorin dhe etnografinë, besimet ballkanike, besëtytnitë dhe festat vjetore. Një theks i veçantë do t’i kushtohet ritualeve dhe zakoneve, përbërjeve gojore, dhe gojëdhënave… Më tej, do të mësohet letërsia folklorike, tregimet popullore, përrallat dhe fabulat, anekdotat, magjitë, mallkimet dhe betimet, dollitë dhe bekimet, gjëegjëzat, fjalët e urta dhe thëniet, si dhe elementet e ciklit jetësor: lindja, martesa dhe vdekja në besimet dhe zakonet e popujve ballkanas”, perfundon Krasniqi.

Tutje, profesori i asociuar i Fakultetit Filologjik, Isa Sülçevsi, i cili do të ligjerojë lëndët që lidhen me teorinë dhe praktikën e përkthimit, pranon që ky program është, në përbërje, shumë i ri dhe ndryshe nga programet ekzistuese ndaj do të ketë nevojë për ndërhyrje të vazhdueshme gjatë zhvillimit të tij.

“Ende nuk ka materiale të mjaftueshme didaktike (në lidhje me përkthimin mes gjuhëvë ballkanike)”, thotë profesori Sülçevsi, duke shtuar se këto materiale do të duhet të zhvillohen përgjatë studimeve të gjeneratave të para në këtë program.

Për më tepër, dekanja Rugova, tregoi se riarkeditimi i Ballkanistikes u mundësua nga mbështetja e partnerëve vendorë e ndërkombëtarë të UP-së për krijimin e infrastrukturës së nevojshme.

“Kur kanë dëgju që kemi program të ballkanistikës, më kontaktuan prej OSBE-së (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë), prej IOM-it (Organizata për Migrim Ndërkombëtar), Ambasadës Britanike dhe Zyrës së Komisionerit për Gjuhë pranë Zyrës së Kryeministrit, edhe e shprehën përkrahjen që nëse ne konkurrojmë edhe një herë në akreditim me Ballkanistikë do të donim t’ju ndihmonim me staf e infrastrukturë”, thotë Rugova.

Ishte mungesa e profesorëve me status të rregullt të UP-së në programin Ballkanistikës ajo që ndikoi në mosakreditimin e tij më 2015. Në procesin e sivjetëm të akreditimit, programi ka konkurruar me profesorë vendorë me status të rregullt si dhe me ndërkombëtarë që financiarisht mbështeten nga OSBE-ja dhe IOM-i deri në momentin që UP-ja do të shpallë konkurs.

Zyrtarët e misionit të OSBE-së në Kosovë pohojnë se e kanë mbështetur këtë program për shkak të rëndësisë që ai ka në përgatitjen e kuadrove që do të shërbejnë në institucionet kosovare.

“Misioni ynë është që t’i ndihmojmë insitiucionet e Kosovës në përmbushjen e obligimeve të tyre ligjore dhe kushtetuese”, ka thënë Josip Ivanoviç nga OSBE-ja. “Përveç që e adreson problemin jetëgjatë të mungesës së perkthyesve dhe interpretëve të kualifikuar për gjuhën shqipe dhe serbe në mbarë Kosovën, ky program mund të ndihmonte në krijimin e një afërsie mes komuniteteve në Kosovë duke i zvogëluar barrierat ekzistuese gjuhësore mes tyre”.

Sipas Ivanoviç-it, nevoja për një program të tillë është parë edhe gjatë monitorimeve ligjore që misioni i OSBE-së i bën në Kosovë.

“Rishikimi i drafteve të ligjeve dhe akteve nënligjore, vazhdimisht ka treguar mospërputhje mes versioneve shqip dhe atyre serbisht të dokumenteve ligjore apo vendimeve të qeverisë; ose në raste të shumta, përkthimi në serbisht ka munguar plotësisht. Meqë të drejtat për gjuhë janë të drejta themelore të njeriut, misioni ynë do t’i mbështesë institucionet në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe ligjeve vendore në këtë fushë”, ka përfunduar Ivanoviç.

Të gjitha palët e përfshira në rikonstruktimin, riakreditimin dhe implementimin e programit të Ballkanistikës, pajtohen që nevoja për një program të tillë është e madhe, ndaj kështu është edhe nevoja që programi të jetë tërheqës për studentë, më vonë profesionistë, të kësaj fushe.