Kurti takon kryekuvendaren e Shqipërisë Lindita Nikolla, e informon për marrëveshjen e Ohrit

Gjatë vizitës së punës në Republikën e Shqipërisë, kryeministri Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Begaj, u prit në takim nga kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Sipas komunikatës së qeverisë, gjatë bisedës, u theksua intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet dy kuvendeve,  bashkëpunimi i deputetëve në forume dhe organizata ndërkombëtare, dhe ai ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e integrimit evropian, krahas marrëdhënieve të ngushta ndërmjet dy vendeve tona.

“Kryeministri Kurti e falënderoi kryekuvendaren Nikolla për mikpritjen e ngrohtë. E njoftoi atë me rezultatet e qeverisjes së deritanishme, që javën e kaluar mbushi dy vjet, për indikatorët ekonomikë, me theks te rritja e vazhdueshme e eksporteve dhe për raportet ndërkombëtare që dëshmojnë progresin në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, dhe reformat e ndërmarra”- thuhet në komunikatë.

Tutje në këtë komunikatë bëhet e ditur se kryeministri Kurti a ke informuar kryetaren Nikolla për takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe për dakordimin e arritur për zbatimin e Marrëveshjes Bazë.

Marrëveshja e Ohrit sipas komunikatës së qeverisë, nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla është cilësuar si hap të mirë përpara për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rrugëtimit evropian të Kosovës.

Sot në Shqipëri Kurti ka takuar edhe presidentin Bajram Begaj të cilin poashtu e ka informuar për marrëveshjen e Ohrit si dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë arritur dakordim për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian.

Kurti informon Begajn për marrëveshjen e Ohrit