Shamku-Shkreli: S’ka pse të ketë dhe nuk do të ketë më dy albanologji

Përfaqësuesit e Akademisë së Studimeve Albanologjike kanë nënshkruar një aneks në marrëveshjen që e kanë me Universitetin e Prishtinës, më saktësisht me Fakultetin e Filologjisë, për të bashkëpunuar në studime albanologjike.

Ledi Shamku – Shkreli, gjuhëtare nga Akademia e Studimeve Albanologjike, në emisionin “Kallxo Përnime” është shprehur e emocionuar për këtë marrëveshje.

Si koordinatore e kësaj marrëveshjeje, ajo ka thënë se nuk ka gëzim më të madh sesa të punojnë bashkë Kosova e Shqipëria.

“Ne e kemi pasur një marrëveshje, e kemi nënshkruar më 18 nëntor të vitit 2022, në parim, pra le të biem dakord që Akademia e Studimeve Albanologjike dhe UP-ja, si dy institucione të arsimit të lartë të bien dakord të punojnë bashkë, në këtë fushë. Por kemi vendosur të mos i lëmë këto marrëveshje për të cilat po biem dakord sepse ne jemi dakord, pra le të shkojmë në detaje” – thotë ajo.

Më tej ajo ka shtuar se me këtë aneks-marrëveshje synojnë të krijojnë mundësi të reja që studentët të përfundojnë master të përbashkët, doktorata në albanologji, botime revistash, konferenca e seminare.

“Nuk ka pse të ketë dhe sigurisht nuk ka me pasë më dy albanologji, nuk ka kuptim që unë në Tiranë të studioj një realitet gjuhësor që nis në Sarandë e mbaron në Shkodër, ndërkohë që flas po të njëjtën gjuhë. Nuk ka kuptim që të ndalen aty, pra unë kam shumë nevojë për mendime shkencore të Prishtinës dhe besoj që unë mundem me dhanë në Prishtinë, mendime shkencore të Tiranës” – tha Shamku – Shkreli.