Mustafa akuzon Mujën se po i ikë përgjegjësisë së tij si deputet

Arben Mustafa, ekonomist nga PDK-ja, në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka akuzuar Armend Mujën e Vetëvendosjes se po i ikë përgjegjësisë së tij si deputet dhe si kryetar i Komisionit për buxhet, financa e transfere.

Sipas Mustafës, deputeti Muja po flet për diçka që s’mund të ketë kurrfarë ndikimi, ndërsa më së paku për atë që është i thirrur.

“Muja po flet më shumë për nga perspektiva e menaxhmentit të Trustit, po flet qysh ka lëvizur çmimi i njësisë së aksioneve, pra aspekte që nuk ka fare as ndikim, as përgjegjësi edhe po i ik diskutimit për pjesën ku ka përgjegjësi” – ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, Muja ka mundur të ndikojë që Trusti sot të ketë bord.

“Ti zoti Muja nuk mund të ndikosh në rritje të çmimeve, përgjegjësia jote ku ti ke mujtë me ndiku është që Trusti sot me pasë bord, e pikërisht për këtë temë po na flet më së paku dhe po ashtu po relativizon shumë rolin e juve si parti në pushtet, ku i keni krejt institucionet. Me këtë logjikë qysh ka dështu zgjedhja e bordit të Trustit po dështon edhe zgjedhja e guvernatorit për shkak se ju s’keni probleme me procese por me emra” – ka thënë Mustafa.

Ndërsa Armend Muja nga LVV ka thënë se PDK-ja dhe LDK-ja janë shumë të interesuar se çfarë po ndodh me BQK-në.

“Nuk e kam ditë pse sepse këta në baza ditore diskutojnë këtë punë e unë s’e kam kuptu derisa i kam parë listat e personave që mbikëqyrin bankat” – ka thënë tutje Muja.

Ndërsa Mustafa i ka thënë atij që të fillojë të marrë përgjegjësi sepse nuk është opozitë.

“Filloni të merrni përgjegjësitë që ju takojnë pasi që tash jeni në pushtet” – ka thënë Mustafa.