Foto: ZKM

Kurti vizitoi Trustin: Fuqizimi i institucionit është i rëndësishëm

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, kanë vizituar sot Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust).

Sipas njoftimit, në këtë vizitë Kurti ka konfirmuar mbështetjen për institucionin, sidomos në avancimin profesional dhe ngritjen e resurseve njerëzore në fushën e financave.

“Ai shtoi se fuqizimi i institucionit është i rëndësishëm, marrë parasysh peshën e madhe që fondi ka krahas ekonomisë, por edhe si instrumenti kryesor për sigurimin e një pensioni të dinjitetshëm në të ardhmen”- thuhet në njoftim.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në këtë takim prezentë nga ana e Trustit ishin kryetari i bordit, Emanuel Bajra dhe anëtarët Mimoza Mustafa, Trim Shala dhe Shpresim Vranovci, si dhe Adrian Zalli, drejtor menaxhues.

“Kjo ishte vizita e parë e një kryeministri të shtetit në zyrat e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, që prej pavarësisë”- thuhet në njoftim.

Në janar të këtij viti vëmendja e qytetarëve u rikthye edhe një herë te mjetet e Trustit. Kjo për shkak se Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi Projektligjin për Trustin, i cili parashikonte tërheqjen e deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi Pensional (Trusti).

Kjo iniciativë është dërguar në Kuvend si nismë legjislative pas mbledhjes së më shumë se 20 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.

Gjatë vitit 2020, Qeveria Hoti kishte vendosur që t’u lejojë qytetarëve të tërhiqnin 10 për qind të shumës së tyre të grumbulluar në Fondin Pensional.