Vdekjet e punëtorëve

Gashi: S’ka respektim të Ligjit të punës pa u bërë shkëputja mes bizneseve e politikës

Në KallxoPernime, u diskutua për sigurinë e punëtorëve në vendin e punës si dhe hulumtimi dyvjeçar i BIRN me titull “Viktimat e padrejtësisë”.

Redaktori përgjegjës i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka thënë se nuk bëhen përmirësime në respektimin e të drejtave të punëtorëve, pa u bërë shkëputja e politikës me bizneset.

“Ata janë miq të politikës dhe kjo ta derivon edhe debatin publik, nëse na në 24 vjet në Kuvendin e Kosovës nuk e kena pa asnjë deputet t’u dalë me thanë, i kam bo 10 fotografi ku po shkelet Ligji i Punës, kjo neve na kallxon shumë. Këto foto mund të bëhen shumë lehtë në Prishtinë. S’kam pa asnjëherë asnjë deputet që thotë unë jam në anën e punëtorëve, sepse në fund të ditës, bizneset janë afër politikës dhe çështja mbetet pa u zgjidhë” – tha Gashi.

“Ajo që mendoj që duhet të shtyhet përpara është edhe presioni mbi këta njerëz, të cilët e kanë rolin e përfaqësimit të qytetarëve edhe njerëzit e politikës duhet me e shty presionin mbi agjencitë edhe institucionet e tjera që ata me implementu ligjin sepse na mujna me qit një inspektorat të punës edhe me i thanë s’po e kryn mandatin e vet, po s’mundet me 30, 40, 50 inspektorë me e bo” – tha Gashi.

Zëvendësministri i Financave dhe Punës, Agon Dobruna, ka thënë se duhet një fokus më i madh i politikës në këtë çështje, por sipas tij fakti që del në inspektim me kryeinspektorin vet personalisht, tregon që është duke ndërruar diçka në këtë drejtim.

“Ne kemi aksione të përbashkëta me Inspektoratin e Punës dhe Administratës Tatimore” – tha Dobruna.

Më 14 dhjetor 2023, BIRN ka prezantuar raportin mbi gjetjet e të drejtave të punës dhe sigurisë në punë për punëtorët për vitin 2023, të titulluar “Viktimat e padrejtësisë”.

Të dhënat nga ky raport dokumentojnë se ekzekutivi dhe gjyqësori kanë bërë një zhvillim të vogël në adresimin e çështjeve lidhur me marrëdhënien e punës, veçanërisht tek siguria në punë pasi aksidentet me fatalitet në vend vazhdojnë të rriten.

“Gjatë viteve 2021 – 2023, 33 punëtorë kanë vdekur nga 763 aksidente në punë. Statistikat tregojnë që vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 kanë vdekur 9 punëtorë. Kjo tregon një rritje të rasteve të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e aksidenteve në vendin e punës” – thuhet në raportin e publikuar.

Raportin e plotë “Viktimat e padrejtësisë” mund ta gjeni në këtë LINK.