Komuna e Rahovecit

Investimi afro 200 mijë euro që i shkoi dëm Komunës së Rahovecit

Afro 200 mijë euro i ka kushtuar Komunës së Rahovecit projekti për qendrën e Hemodializës, i cili ende nuk është funksionalizuar.

Rreth 40 pacientë të kësaj komune të cilët janë të diagnostifikuar me Hemodializë nuk mund ta marrin këtë shërbim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Kjo sepse kjo qendër nuk është funksionalizuar asnjëherë përkundër faktit se ishte përuruar me 14 nëntor të vitit 2017 nga Ministria e Shëndetësisë dhe ish kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shërbimi i Hemodializës bën pjesë në ato sekondare dhe terciare dhe nuk mund të jepet si shërbim në QKMF.

Komunës së Rahovecit projekti në tërësi i ka kushtuar 306 mijë e 660 euro dhe shuma që ka investuar kjo komunë është 169 mijë e 324 euro, ndërsa donatori i projektit, kompania Meditech ka përkrahur projektin me 137 mijë e 337 euro.

Për Gazetën Jeta në Kosovë, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se hapja e qendrës së Hemodializës në Rahovec është në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi sepse shërbimet e dializës janë të organizuara vetëm në nivel të Spitaleve të Përgjithshme dhe të QKUK-së.

Në përurimin e kësaj qendreje në vitin 2017 ministri Uran Ismajli ishte zotuar se të gjithë pacientët me Hemodializë këtë shërbim do ta marrin në QKMF në Rahovec.

“Sot jemi këtu me kryetarin Idriz Vehapi, për hapjen e një njësie të Hemodializës në Rahovec e cila është një punë jashtëzakonisht e madhe, e cila është bërë nga komuna e Rahovecit në bashkëpunim me spitalin e Prizrenit, duke iu krijuar mundësi mbi 30 pacientëve që kanë qenë të Rahovecit nuk kanë mundur ta marrin këtë shërbim dhe tash e marrin në komunën e Rahovecit”, kishte deklaruar Ismajli.

Mungesa e stafit dhe problemet teknike janë problemet kryesore të kësaj qendreje.

Drejtori i shëndetësisë në komunën e Rahovecit, Samir Mustafa, ka pohuar për  Gazetën Jeta në Kosovë se kjo qendër është jashtë funksionit dhe përballet e këto probleme.

“Përveç problemeve teknike ne ballafaqohemi edhe probleme në staf mjekësorë pasi që me datën 19.05.2016, Komuna e Rahovecit së bashku me Kompaninë Meditech ka nënshkruar marrëveshje për trajnime të stafit mjekësor: një mjek, pesë teknikë medicinal dhe një inxhinier i elektros ku trajnimet i kanë mbajtur teknikët medicinal dhe inxhinieri i elektros ndërsa mjeku nuk ka mbajtur trajnim”, ka treguar Mustafa.

Në marrëveshjen e nënshkruar në mes të Komunës së Rahovecit dhe kompanisë Meditech për trajnimin e stafit mjekësor thuhet se ky staf do të trajnohet për më së paku gjashtë muaj dhe të gjitha shpenzimet për trajnim të stafit dhe ato të udhëtimit do të paguhen nga Komuna e Rahovecit nga mallrat dhe shërbimet.

Sipas marrëveshjes Komuna e Rahovecit për gjashtë muaj do ta paguajë mjekun Ibrahim Vuçitërna për gjashtë muaj nga 180 euro shpenzime mujore që në total i bie të jetë 1 mijë e 80 euro.

Por, sipas drejtorit Mustafa, mjeku Vuçitërna nuk ka vijuar trajnimin dhe si rrjedhojë edhe nuk është paguar dhe mjetet kanë mbetur të pashfrytëzuara.

“Komuna e ka nxjerrë vendimin edhe për mjekun Ibrahim Vuçitërna por mjeku në fjalë nuk i ka vijuar trajnimet si dhe nuk është paguar nga mjetet të cilat i kemi pasur nga donatori Meditech”, ka shtuar Mustafa.

Por, sipas kësaj marrëveshjeje në këtë qendër do të punonin edhe pesë teknikët medicinal dhe për gjashtë muaj do të paguheshin secili nga 150 euro shpenzime mujore që në total kushtuan 4 mijë e 500 euro.

Ndërsa, inxhinieri i elektros do të paguhej për gjashtë muaj nga 150 euro, që në total i bie 900 euro.

Por në raportin vjetor 2016 të ish kryetarit të Rahovecit, Idriz Vehapi, shifrat e paguara për stafin nuk janë të njëjta.

Në raport thuhet që pesë teknikë medicinal janë paguar nga 100 euro shpenzime mujore për gjashtë muaj radhazi, e që sipas raportit kanë kushtuar në total tre mijë euro.

Inxhinieri i elektros sipas raportit është paguar 100 euro shpenzime mujore për gjashtë muaj e që në total i bie të jetë 600 euro.

Për këtë qendër Komuna e Rahovecit ka nënshkruar marrëveshje bashkëfinancimi dhe bashkëpunimi me kompaninë “Meditech”, për “Trajnimi i personelin shëndetësor të QKMF-së, në Qendrën Spitalore të Dializës në Prizren si dhe në Repartin Nefrologjik pranë QKUK-së për aftësim profesional”.

Poashtu, në raport thuhet se ka përfunduar trajnimi i personelit shëndetësorë në Qendrën e Hemodializës në Prizren në periudhë kohore nga data 01 qershor të vitit 2016 deri më  30 nëntor të po atij viti me ç ‘rast personeli është certifikuar ku janë aftësuar ne profesionin e vetë për kryerjen e punëve dhe detyrave të punës në Hemodializë.

Tutje në raport thuhet që Komuna e Rahovecit ka blerë autoambulancë për bartjen e pacientëve në dializë në vlerë prej 24 mijë e 680 euro.

Në renovimin e vitit 2016 të QKMF-së në Rahovec është përfshirë edhe rregullimi i Repartit të Dializës, ku i gjithë projekti ka kushtuar 127 mijë e 809 euro dhe ka pasur kontratë dy vjeçare (2016-2017).

Më tej në raportin e ish-kryetarit Vehapi thuhet që “Komuna e Rahovecit dhe kompania “Meditech” kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e projektit “ Trajnimi i Personelit Shëndetësor të QKMF-së, (vlera e donacionit 6.480 euro) në Qendrën Spitalore të Dializës dhe në Repartin nefrologjik në QKUK”.

Jeta në Kosovë ka kontaktuar edhe Spitalin Regjional të Prizrenit rreth qendrës së Hemodializës në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Rahovec.

Shefajet Berisha, zyrtar i komunikimit ka thënë për JnK se Spitali i Prizrenit ka bërë trajnimin e stafit dhe do të japin asistencë ligjore në fazën e parë të hapjes.

“Ne si spital që nga fillimi kemi treguar gatishmëri për të ndihmuar dhe ofruar gjithë asistencën dhe kryerjen e obligimet ligjore për hapjen e Hemodializës në Rahovec. Janë trajnuar 5 infermierë dhe një inxhinier i elektros për 12 muaj (dy herë nga gjashtë muaj). Spitali i Prizrenit në fazën e parë do të bëjë mbikëqyrjen dhe asistencën profesionale, si dhe kryerjen obligimeve që kërkohen me ligj”, ka thënë Berisha.

Poashtu nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se ShSKUK duhet ta analizojë nëse këto shërbime duhet të organizohen në qendrën e Hemodializës në Rahovec.

“Para se të vendoset për çfarëdo hapi, duhet analizuar baza ligjore, aspekti i resurseve profesionale, numri aktual i pacientëve në dializë nga Rahoveci dhe incidenca e mundshme, kost-efektiviteti dhe aspekte të tjera që lidhen me shërbimin dhe pacientët. Deri atëherë, pacientët e komunës së Rahovecit, qytezës dhe fshatrave të saj, do t’i marrin shërbimet e dializës në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit dhe Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës, varësisht prej përcaktimit individual të pacientëve”, kanë thënë nga MSh.

Gazeta JnK ka provuar të kontaktojë edhe me donatorin, kompaninë Meditech, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

13 Prill 2019 - 19:15

Drenushë Ramadani 13/04/2019 - 19:15
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend