Grafike 170621-Importi nga Serbia janar-prill 2021

Trendi i rritjes së importit nga Serbia, parasheh përfitime qindra milionëshe për Serbinë

Të dhënat për katër muajt e parë të sivjetmë, janar-prill, tregojnë se importi i mallrave nga Serbia sa vjen e rritet. Nga 14.1 milionë euro sa ishte në muajin e parë, kaloi 26 milionë euro në muajin prill apo 72 për qind më shumë se prilli i 2020-ës. Në anën tjetër, eksporti vendas karshi fqinjit verior, mbetet i pafuqishëm. Me një trend të tillë të rritjes, të shkëmbimit tregtar të mallrave Kosovë-Serbi, kjo e fundit grumbullon qindra miliona euro në vit. Nga historiku i anëtarësimit të Kosovës në CEFTA ku bëjnë pjesë edhe tre vendet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, duket se nuk qe e shëndetshme për ekonominë vendore. Për shkak të trajtimit të pabarabartë të Kosovës, në të kaluarën u shqyrtua edhe mundësia e tërheqjes nga CEFTA. Së fundmi, kryeministri i Kosovës propozoj që CEFTA të shndërrohet në SEFTA sipas modelit të marrëveshjes së Litejshtajnit.

CEFTA në të kaluarën u krijua për qëllim të eliminimit të pengesave në mes vendeve anëtare dhe në konceptin e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së shëndoshë.

Në dhjetor të vitit 2006, në emër të Kosovës, UNMIK-u, nënshkroi marrëveshjen e CEFTA-së, ku Kosova u bë anëtare e plotë me 26 korrik të vitit 2007. Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, Kosova ndërroi vulat doganore nga ato të UNMIK-ut në Dogana e Kosovës si dhe vendosi edhe simbolet e reja, mirëpo ende Kosova vazhdon të trajtohet e pabarabartë në CEFTA. Për shkak të ndërrimit të vulave Kosova, Serbia dhe Bosnja i bënë bllokadë eksporteve të Kosovës drejt vendeve të tyre apo edhe si transit.

Rreth 5 vite e gjysmë më parë, në një konferencë për media, Aleanca Kosovare e Biznesit, respektivisht nënkryetari i saj, Blerim Pirja kishte shprehur shqetësimin lidhur me trajtimin e pabarabartë të Kosovës në CEFTA. Sipas tij, CEFTA-a Kosovën e njeh vetëm nën ombrellën e UNMIK-ut.

“Në takimet që janë organizuar nga CEFTA mungojnë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe ne si AKB kemi dashur që me anë të kësaj konference ta sensibilizojmë vendin tonë, institucionet tona që të ndërmerren hapat e duhur në drejtim të trajtimit të barabartë të Kosovës me vendet tjera anëtare të CEFA-s,” citohet të ketë thënë atëkohë Piraj.

Që Kosova të trajtohet e barabartë, AKB-ja u kishte dërguar dy letra për shqetësimet e rreth përmbajtjes së Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë-CEFTA, njërën në adresë të ish kryeministrit Isa Mustafa dhe ministrive përkatëse, e tjetrën drejt ish shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar.

Vendet anëtarë të CEFTA-së, ku bënë pjesë edhe Kosova janë: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Moldavia. Tri nga vendet anëtare të CEFTA-së, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Moldavia nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës.

Dhjetë vite më vonë nga nënshkrimi i marrëveshjes së CEFTA-së, përkatësisht në muajin maj 2016, Aleanca Kosova e Biznesit (AKB) përmes një prezantimi kishte thënë se Kosova nuk i ka parë hairin Marrëveshjes për Tregti të Lirë me shtetet e Evropës Lindore e Qendrore (CEFTA).

AKB kishte thënë se brenda asaj periudhe, CEFTA ka krijuar një bilanc negativ tregtar dhe se bizneset e vendit janë ballafaquar gjatë gjithë kohës me një konkurrencë të ashpër e në shumicën e rasteve kanë qenë të rrezikuara për mbijetesë për shkak të aplikimit të politikave jo të krahasueshme me vendet që e aplikojnë këtë marrëveshje.

Në muajin nëntor të vitit 2017, ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Bajram Hasani, kishte thënë se Kosova do të shqyrtonte mundësinë për t’u tërhequr nga CEFTA nëse nuk merret parasysh kërkesa e saj për përfaqësim të drejtpërdrejtë – në vend që të përfaqësohet nga UNMIK-u.

Njoftimi i Kosovës se ajo mund të tërhiqet nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore, CEFTA, për shkak të asaj që shihet si trajtim të pabarabartë, shkaktoi një debat në lidhje me këtë plan dhe me pasojat e tij të mundshme.

UNMIK, i cili përfaqëson Kosovën në CEFTA, i kishte bërë thirrje Qeverisë në Prishtinë të rishqyrtojë kërcënimin, ndërsa shumica e ekspertëve vendas paralajmëronin se një lëvizje e tillë do të rriste çmimet e shumë mallrave të importuara.

Hasani kërkonte që Kosova të tërhiqej nga CEFTA-s edhe më vonë edhe kur nuk ishte më në posti e ministrit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

Ndryshe, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor i cili u mbajt ditë më parë, tha se në marrëveshjen e CEFTA-s, Kosova vazhdimisht është trajtuar e pabarabartë dhe padrejtë, dhe më pas hodhi në tavolinë një ide të re. Sipas tij, ideja ishte që CEFTA të kalonte në SEFTA [Marrëveshje e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë] sipas modelit të marrëveshjes që e kanë Litenshtajni.

“Nuk mjafton tregu i përbashkët por nevojiten edhe vlerat e BE të vendosen brenda secilit shtet edhe në raportet midis shteteve. Dhashë edhe një propozim si mund të ecim përpara dhe është modeli i marrëveshjes siç është EFTA, që e kanë Lihtenshtejni, Norvegjia dhe Islanda që të hyjmë në marrëdhënie të përbashkëta. Propozimi im është që të kalohet nga CEFTA në SEFTA”, kishte thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit Kurti, këtë propozim e dha ditë më parë edhe në takimin trepalësh në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Madje ishte propozimi i parë nga katër propozimet që Kurti kishte dhënë atë ditë në takim.

Shkëmbimi tregtar i Kosovës me vendet e CEFTA-s, nga viti 2010 e këndej

Nga viti 2010 e këndej, Kosova mesatarisht importoi çdo vit rreth 744 milionë euro nga vendet anëtare të CEFTA-së. Në anën tjetër, 134.4 milionë euro rezulton të jetë vlerë mesatare e eksportit që Kosova u shiti këtyre vendeve çdo vit.

Vlera më e lartë e importit të Kosovës evidentohet në vitin 2017 me 856.1 milionë euro ndërsa më e ulët ajo e vitit 2019 me 502.7 milionë euro.

Ndërsa vlera më e lartë e eksportit të Kosovës regjistrohet në vitin e kaluar me 210.7 milionë euro dhe vlera më e ulët evidentuar e eksportit të mallrave drejt CEFTA-s ishte mbi 66.8 milionë euro në vitin 2010.

Për më shumë se një dekadë, shkëmbimi i përgjithshëm i mallrave të Kosovës me vendet anëtare të CEFTA-s rezulton të jetë mbi 8 miliard euro për import dhe mbi 1.4 miliardë euro për eksport.

Rreth gjysmë miliardi euro brenda një viti arriti importi nga Serbia

Serbia për më shumë se dhjetë vjet, Kosovës i shiti mallra çdo vit mesatarisht rreth 294.2 milionë euro ndërsa nga Kosova bleu mesatarisht mbi 25.5 milionë euro.

Vlera më e lartë e importit nga Serbia e regjistruar nga viti 2010 e këndej evidentohet në vitin 2017 me mbi 449.9 milionë euro apo rreth gjysmë miliardi euro ndërsa ajo më e ulët u evidentua në vitin 2019 në rreth 5.8 milionë euro.

Rënie drastike e importit nga Serbia, në vitin 2019 ishte si rezultat i vendosjes së taksës 10 e më pas 100 për qind nga Qeveria e Kosovës udhëhequr nga ish kryeministri Ramusha Haradinaj, e cila më pas u hoq nga Albin Kurti sa ishte kryeministr në detyrë ku njoftoi se do ta heqë taksën 100 për qind nga data 1 prill e atij viti për ta zëvendësuar me reciprocitet.

Ndryshe nga importi, eksporti i Kosovës vlerën më të lartë të tyre e arritën në vitin 2017 në vlerë mbi 48.2 milionë euro ndërsa më e ulët ajo e vitit 2010 mbi 3.9 milionë euro.

Përgjatë viteve 2010-2020, në raport me vendet tjera anëtarë të CEFTA-s, përqindja e pjesëmarrjes së Serbisë në importet e Kosovës sillet rreth 39 për qind ndërsa në eksporte 18 për qind.

Të dhënat e fundit për sivjet, deri në muajin prill tregojnë për një trend rritës. Ndonëse muajin e parë 2021, importi nga Serbia ishte në vlerën e mbi 14.1 milionë euro në muajin prill kalon mbi 26 milionë euro.

Në muajin prill 2021 në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, importi nga Serbia i bie se u rritë për 72 për qind më shumë.

Në anën tjetër, eksporti i Kosovës nga muaji janar deri në muajin prill sillej në mes 1.7 milionë deri në mbi 3.8 milionë euro. Përkundër se eksporti i Kosovës u trefishua në muajin prill të sivjetmë në raport me të njëjtin muajt të vitit 2020, pra nga mbi 1.1 milionë euro sa ishte në mbi 3.8 milionë euro prapë mbesin të papërfillshme në raport me mallrat që vijnë nga Serbia.

Grafike 170621-Importi nga Serbia 2010-2021[/caption]

Grafike 170621-Importi nga Serbia 2010-2021

Grafikë 170621-Importi nga Serbia 2010-2021