CEFTA Ende e Njeh Vetëm Kosovën e UNMIK-ut

Në një konferencë për gazetarë, Aleanca Kosovare e Biznesit shprehu shqetësimin për diskriminimin dhe trajtimin e pabarabartë të Kosovës në CEFTA, pasi sipas saj dokumentet e publikuara nga ana e CEFTA-s për Kosovën ende janë me emrin UNMIK.

Nënkryetari i AKB-së Burim Piraj potencoi se qëllimi i konferencës është sensibilizimi i qytetarëve të vendit dhe institucioneve shtetërore që të ndërmarrin hapa për ndryshimin e gjendjes aktuale.

“Në takimet që janë organizuar nga CEFTA mungojnë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe ne si AKB kemi dashur që me anë të kësaj konference ta sensibilizojmë vendin tonë, institucionet tona që të ndërmerren hapat e duhur në drejtim të trajtimit të barabartë të Kosovës me vendet tjera anëtare të CEFA-s,” tha Piraj.

AKB-ja bëri të ditur në konferencë se ka dërguar dy letra për shqetësimet e rreth përmbajtjes së Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë-CEFTA, njërën në adresë të Kryeministrit Mustafa dhe ministrive përkatëse, e tjetrën drejt shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar.

Në letra sipas AKB-së kërkohej që Kosova të trajtohet si shtet me simbolet e veta shtetërore si dhe ndonjëri nga dhjetëra takimet që mban CEFTA të organizohet në Kosovë.

Letrat u bënin thirrje ministrive përkatëse dhe ministrave duke përfshirë edhe Edita Tahirin që në bisedime me Serbinë të diskutohej bllokimi i mallrave me origjinë shtazore nga ana e Serbisë, të lejohej tranziti i mallrave sipas marrëveshjes së CEFTA-s, e jo përmes aplikimit të lejeve të veçanta.

Rrugët alternative që përdorë Kosova për transportim të mallrave me origjinë shtazore nga Evropa për në Kosovë për të mos aplikuar në institucionet e Serbisë për marrjen e lejeve të tranzitit kanë një kosto të lartë dhe janë barrë për bizneset, u tha në konferencë.