Kurti tregon për përplasjen me kryeministren e Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, ka kërkuar që Serbia të njohë sa më shpejt Kosovën.

Kurti tregoi që me homologen e saj nga Serbia Ana Bërnabiq, ka pasur polemika shkaku që nuk dëshironte ta pranonte Kosovën shtet të pavarur e sovran.

“Ka ekzistu një lloj polemike për shkak se nuk dëshironte të pranonte që Kosova është shtet i pavarur e sovran. Unë theksova që Serbia do të duhej të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Milloshevioqit dhe trashëgimia e tij me qenë se nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të njihet pavarësia e Kosovës. Ne duam të integrohemi në BE, në NATO”, tha Kurti.

Kurti shtoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është e mirë vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë.

“Njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është mirë vetëm për Kosovën qe besa është jo më pak e vlefshme edhe për vetë Serbinë e cila në këtë mënyrë po e mbanë vetën peng. Para 13 vjetëve Kosova e ka shpall pavarësinë nga Serbia është koha e fundit që edhe Serbia ta shpall pavarësinë nga Kosova”, tha Kurti.

Kurti gjithashtu tha se populli i Kosovës është shteti më proevropian në Europë dhe se janë të vendosur për t’i zbatuar reformat të shumfishta.

“Në fjalën time unë fillova duke konstatuar përderisa 6 shtete e Ballkanit Perëndimor janë në Evropë, BE nuk është ende Evropë sepse nuk është e kompletuar pa u antarësu edhe 6 vendet tona. Kosova e ka pozitën më të vështirë për shkak se nuk kemi as liberalizim të vizave. Ndërkohë populli i Kosovës është shteti më pro evropian në Evropë dhe jemi të vendosur për t’i zbatuar reformat tona të shumëfishta. Potencova që të gjitha këto nisma ngecin për shkak se mungon njohja e Republikës së Kosovë si shteti i pavarur nga Serbia. Njohja nga Serbia do krijonte situatën në të cilën jo vetëm Kosova e Serbia por të gjitha vendet do bashkëpunonin më shumë”, tha Kurti.

Kurti tha se në tryezën e bisedimeve me liderët e Ballkanit Perëndimor, hodhi një ide të re për tregun e përbashkët rajonal.

“Nuk mjafton tregu i përbashkët por nevojiten edhe vlerat e BE të vendosen brenda secilit shtet edhe në raportet midis shteteve. Dhashë edhe një propozim si mund të ecim përpara dhe është modeli i marrëveshjes siç është EFTA, që e kanë Lihteshtejni, Norvegjia dhe Islanda që të hyjmë në marrëdhënie të përbashkëta. Propozimi im është që të kalohet nga CEFTA në SEFTA”, tha Kurti.