Sherri 10 Vjeçar nga Tregtia e Lirë

Aleanca Kosova e Biznesit (AKB) ka thënë të enjten se Kosova nuk i ka parë hajrin marrëveshjes për tregti të lirë me shtetet e Evropës Lindore e Qendrore (CEFTA).

Në një prezantim të bërë 10 vjet pasi Kosova u bë anëtare e këtij rrjeti shtetesh, AKB tha se brenda kësaj periudhe, CEFTA ka krijuar një bilanc negativ tregtar dhe se bizneset e vendit janë ballafaquar gjatë gjithë kohës me një konkurrencë të ashpër e në shumicën e rasteve kanë qenë të rrezikuara për mbijetesë për shkak të aplikimit të politikave jo të krahasueshme me vendet që e aplikojnë këtë marrëveshje.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së në prezantimin e këtij hulumtimi tha se Kosova ka qenë importuesi më i madh i produkteve nga këto vende dhe se disa nga këto produkte të importuara mund të ishin zëvendësuar me prodhimet vendore.

“Nga ky hulumtim dalin rezultatet që vendi ynë ka qenë importuesi më i madh i produkteve të ndryshme dhe të gatshëm në shkëmbim të kësaj ne kemi eksportuar para të gatshme me miliarda euro, ku me këtë kemi varfëruar edhe buxhetin familjar dhe atë shtetëror, sepse disa nga këto produkte të importuara mund të ishin zëvendësuar me prodhimet vendore”, tha Shahini.

Por pavarësisht bilancit negativ, Shahini tha se Kosova edhe më tutje duhet të vazhdojë rrugën drejt integrimit të tregjeve të veta në Bashkimin Evropian, mirëpo në anën tjetër duhet “me çdo kusht t’i mbrojë prodhuesit vendorë që në vend janë të paktë dhe të cilët mezi po i mbijetojnë konkurrencës”.

Ndërsa, Suad Berisha, nënkryetar i AKB-së, tregoi se AKB ka shprehë përkrahje për këtë Marrëveshje në vitin 2005 duke menduar se do të ketë rritje, megjithatë sipas Berishës ekonomia kosovare nuk e realizoi atë që pritej.

“AKB gjithmonë e ka shprehë shqetësimin për këtë Marrëveshje në krijimin e këtij bilanci negativ tregtar, ne shpresojmë që në vitet e ardhshme të përmirësohet kjo gjendje”, tha Berisha.

Sipas këtij hulumtimi, gjatë periudhës 2005-2015 Kosova ka importuar mbi 7.2 miliardë euro, apo 88.2 për qind të gjithë bilancit tregtar, ndërsa eksporti ka arritur në 860 milionë euro.

Në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Serbinë, Kosova ka rritur eksportin vetëm me Shqipërinë nga viti në vit, në anën tjetër është rritur importi nga Serbia, ndërsa Maqedonia vazhdimisht në këto vite ka humbur tregun e Kosovës si pasojë e rritjes së pranisë së prodhimeve serbe në Kosovë.

Importi në vendet e CEFTA-së në periudhën 2005-2015, sipas strukturës së përqindjes në vitin 2005 nga Maqedonia është importuar 53 për qind krahasuar me 1.7 për qind që është në vitin 2015. Ndërsa, importi me Serbinë në vitin 2005 ka qenë 36.7 për qind, kurse në vitin 2015 importet janë rritur në 49.7 për qind.

Sipas një pasqyre reale të eksportit për vitin 2005 krahasuar me vitin 2015 me vendet anëtare të CEFTA-së është shumë jopropocionale. Eksporti me Maqedoninë në vitin 2005 ka qenë 37.4 për qind, ndërsa në vitin 2015 kjo ka arritur në 27 për qind. Me Serbinë eksporti për vitin 2005 ishte 28.2 për qind krahasuar me 26.1 për qind në vitin 2015. Rritje të eksporteve ka pasur me Shqipërinë, nga 20 për qind që ka qenë në vitin 2005 kjo është ngritur në 32.5 për qind.

Më 6 prill 2006, në Samitin e Kryeministrave të Evropës Juglindore në Bukuresht është nënshkruar deklarata e përbashkët mbi zgjerimin e CEFTA-së ndërmjet Shqipërisë, Bosnjës dhe Herzegovinës, Moldavisë, Serbisë, Malit të Zi dhe UNMIK-ut në emër të Kosovës.

Marrëveshja hyri në fuqi më 26 korrikut 2007 për Shqipërinë, Kosovën (atëherë UNMIK), Maqedoninë, Moldavinë dhe Malin e Zi, më 22 gusht për Kroacinë, më 24 tetor për Serbinë dhe më 22 nëntor 2007 për Bosnjën dhe Hercegovinën.

Qëllimi i marrëveshjes ishte që të krijojë një zonë të tregtisë së lirë në rajon deri më 31 dhjetor 2010.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, UNMIK-u ka vazhduar të përfaqësojë Kosovën në të gjitha takimet e CEFTA-s. Në fund të vitit 2008 Kosova ka ndryshuar vulat e saj doganore zëvendësuar UNMIK-un me Kosovën.

Edhe sot, në sajtin zyrtar të CEFTA-s, Kosova figuron vetëm si UNMIK.

cefta anetaret