Foto:Facebook/MPJD

Kosova me import dhjetëramilionësh nga vendet e CEFTA-s, prin Shqipëria

Ndonëse pati rënie të shkëmbimit të mallrave të Kosovës me vendet anëtare të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA), vlera e mallrave të shitura e të blera mbeti dhjetëra miliona euro. Shqipëria del të jetë e para në shkëmbimin e mallrave me Kosovën në dhjetorin e vitit 2023.

Në muajin dhjetor të vitit që shkoi, importet e Kosovës nga vendet anëtare të CEFTA-s arritën vlerën 69,1 milionë euro, ose 12,7 për qind të importeve të përgjithshme, që paraqet një rënie prej 25,5 për qind.

Me pjesëmarrje më të lartë në importin e Kosovës prin Shqipëria me 5.4 për qind, pastaj Maqedonia e Veriut me 4,4 për qind dhe Serbia me 1,8 për qind.

Rënie për 5.9 për qind pati edhe në eksportin e Kosovës drejt vendeve të CEFTA-s. Vlera e mallrave që Kosova u shiti këtyre vendeve ishte 28 milionë euro, ose 42,7 për qind të eksporteve të përgjithshme.

Edhe tek eksporti i mallrave të Kosovës, Shqipëria mbetet partneri kryesor me pjesëmarrjen më të lartë 18,3 për qind, Maqedonia e Veriut 12,5 për qind, Serbia 5,8 për qind dhe Mali i Zi 4,9 për qind.

Ndryshe, të dhënat për tregtinë e jashtme të përgjithshme të Kosovës për muajin dhjetor të vitit 2023 tregojnë se u importuan mallra në vlerë 543.1 milionë euro, që paraqet një rritje 4.1 për qind, ndërsa u eksportuan mallra në vlerë 65.4 milionë euro, që është një rënie 9.3 për qind, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2022.

Statistikat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se deficiti tregtar është më i lartë për 6,3 për qind në muajin dhjetor të vitit 2023 në krahasim me muajin dhjetor të vitit paraprak, gjegjësisht në vlerë prej 477,7 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 449,5 milionë.

Në muajin dhjetor eksporti arriti të mbulojë importin me 12,0 për qind.

Kosova shiti mallra kryesisht metale bazë e artikuj prej tyre, artikuj nga plastika e goma, produkte ushqimore dhe të tjera.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18,5% e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar; 13,9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 13,4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5,8% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.”- thuhet në njoftim të ASK-së.

Në anën tjetër, në importin e mallrave 13,6 për qind e përbëjnë produktet minerale, 13,1 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12,1 për qind mjetet e transportit, 11,5 për qind makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike, 8,8 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.