Investimet direkte në Kosovë deri në gusht 2023, arritën në 514 milionë euro

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka bërë të ditur se investimet direkte në Kosovë deri në muajin gusht të 2023-ës kanë arritur në 514 milionë euro.

Sipas BQK-së, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishte 510 milionë euro, duke shënuar rritje prej 4 milionë eurove.

Ndërsa investimet direkte jashtë Kosovës kanë shënuar vlerën e 145 milionë eurove.

Në anën tjetër, bilanci tregtar në mallra deri në gusht 2023, sipas BQK-së, kishte deficit në vlerë 2.88 miliardë euro.

Eksporti për këtë periudhë është zvogëluar për 8.2% dhe ka shënuar vlerën e 566.5 milionë euro, kurse importi ka shënuar rritje të lehtë prej 1.5%, duke arritur vlerën e 3 miliardë e 447 milionë eurove.

Sipas Raportit të Bilancit të Pagesave të BQK-së, investimet në letra me vlerë jashtë, pa përfshirë letrat me vlerë në kuadër të aseteve rezervë, deri në gusht 2023 janë rritur për 322 milionë euro.

“Investimet tjera në Kosovë (investimet në depozita, kredi dhe në kredi tregtare) deri në fund të gushtit 2023 ishin 152 milionë euro (262 milionë euro ishte deri në gusht 2022), përderisa investimet tjera jashtë Kosovës deri në fund të gushtit 2023 ishin 24 milionë euro (101 milionë euro ishte deri në gusht 2022). Bilanci i investimeve të tjera deri në fund të gushtit 2023 shënoi një vlerë negative prej 128 milionë euro” – thuhet në njoftimin e BQK-së.

E asesetet rezervë, sipas Raportit, deri në gusht 2023 janë rritur për 162 milionë euro. Në periudhën e njëjtë të vitit paraprak rritja ishte për 318 milionë euro.

Në raportin e BQK-së po ashtu flitet edhe për bilancin e pagesave, që thuhet se deri në gusht 2023 është karakterizuar me një deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 220.2 milionë euro, i cili sipas BQK-së, tregon një përmirësim prej 41% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Llogaria e shërbimeve, e cila vazhdimisht ka bilanc pozitiv, deri në gusht 2023 shënoi vlerën 1,277.4 milionë euro, e cila paraqet rritje për 172.5 milionë euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022” – thuhet në raport.