Qeveria ndan 29 milionë euro për COVID-19

Edhe 29 milionë e 600 mijë euro pritet të shpenzohen nga Qeveria e Kosovës për tu përballur me pandeminë.

Kaq është shuma e cila është paraparë nga Qeveria e Kosovës në buxhetin e rishikuar, i cili ende duhet të marrë miratimin nga kuvendarët në leximin e dytë për tu zbatuar.

Qeveria e Kosovës, në buxhetin e rishikuar nuk e ka specifikuar për çfarë do të shpenzohen këto mjete, por vetëm janë lënë emërtime që lejnë hapësirë për përdorime të ndryshëm për çështje të COVID-19.

Për “Projektin emergjent COVID-19 për Kosovën” janë paraparë gjithsejtë 8 milionë euro, kurse për “Instrumentin për financim të sektorit publik për reagim emergjent ndaj COVID-19” janë paraparë edhe 21 milionë e 600 mijë euro. Pra, në total janë vetëm këtu dy instrumente të dedikuara enkas për COVID-19.

Përveç tyre, në buxhetin e Kosovës e rishikuar janë paraparë edhe 470 mijë euro për “pajisje mjekësore për departamentin e mikrobiologjisë dhe laboratorët testuese”. Në buxhet nuk ka shumë shpjegime, mirëpo ajo që dihet është që IKSHP-ja disa herë ka thënë se nuk kanë kapacitete për testime masive, madje kanë një nga aparaturat për testime për COVID-19 e ka pranuar donacion.

Pas analizimit të buxhetit fillestar, del që në fakt qeveria ka vendos që të ulë investimin në departamentin e mikrobiologjisë, pasi për të njëjtin projekt në mars ishin ndarë 1.2 milion euro.

Përvec këtyre projekteve vërehet një ndryshim i strukturës së buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë. Buxheti i miratuar në mars i kësaj ministrie ishte 50.8 milionë euro, kurse me rishikimi i njëjti do të bie në 46.9 milionë euro. Ulja do të ketë tek kategoria e subvencioneve dhe transfere pasi nga 8.5 milionë ka rënë buxheti në 2.2 milionë.

Edhe buxheti për investime kapitale ka rënë nga 13.7 milionë në 9.9 milionë euro. Ndërsa, buxheti i planifikuar për mallra dhe shërbime që ishte 19.3 milionë euro është rritur në 26.5 milionë euro.

Sipas raportit “Tenderët në pandemi” të KDI-së, Ministria e Shëndetësisë nga 4 marsi deri më 28 prill 2020, ka nënshkruar 10 kontrata me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë ,në vlerë prej 7,128,901 euro. Kontratat ishin për furnizim me pajisje e produkte medicinale mbrojtëse nga COVID-19, si dhe për shërbime dezinfektimi.

Në raportin e KDI-së të publikuar në muajin qershor thuhet se fillimisht për të realizuar blerjen e produkteve dhe pajisjeve medicinale për mbrojtje nga COVID-19, Ministria e Shëndetësisë kishte shfrytëzuar mjetet nga buxheti i saj, ndërsa më pas Qeveria e Kosovës kishte ndarë mjete shtesë për mbrojtje nga COVID-19, në vlerë prej 400 mijë euro si dhe transfer të mjeteve në shumë prej 820 mijë euro nga nën programi për Aftësim Specialistik.

Gjithashtu duke u bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 10 mars 2020 për aprovimin e Planit të veprimit për gatishmëri dhe reagim kundër corona virusit, Ministria e Shëndetësisë kishte kërkuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve që të bëjë transferim të mjeteve në vlerë prej 6,230,000 euro.

Që nga fillimi i pandemisë COVID-19, KALLXO.com ka monitoruar, hulumtuar dhe ka shkruar në lidhje me tenderët emergjentë të institucioneve të Kosovës.

Institucionet e Kosovës kanë paguar çmime të fryra për maskat për mbrojtje nga COVID-19, duke paguar deri në 12 euro për një maskë të tipit FFP2.

KALLXO.com ka gjetur se çmimi i maskave është fryrë në tregun e brendshëm, meqë çmimi i deklaruar në Doganë, me rastin e importit të tyre, ishte shumë më i ulët.

Të dhënat e Doganës së Kosovës thonë se gjatë vitit 2020 janë importuar 36 mijë maska të tipit FFP2. Prej tyre, 31 mijë e 600 apo 87% kanë hyrë në Kosovë me një çmim prej vetëm 2 euro e 46 centë. Ky çmim i deklaruar në Doganën e Kosovës ishte me qëllim të zhdoganimit të mallit dhe i njëjti është verifikuar nga Dogana. Vendi i prodhimit të këtyre maskave, që kanë hyrë në shtatë ngarkesa të ndryshme, është Kina.

Përveç dallimeve në çmimet e maskave FFP2 që i kanë blerë institucionet e Kosovës, dallime ka pasur edhe te maskat kirurgjike.

Nga 30 marsi deri më 18 maj 2020 janë nënshkruar 6 kontrata nga institucione të ndryshme për t’u pajisur me mjete mbrojtëse për COVID-19. Edhe pse të gjitha këto institucione kanë blerë produkte të njëjta, çmimi i tyre ndryshon varësisht prej institucioneve.

Nga 6 institucionet e hulumtuara, Komuna e Prishtinës ka blerë maska kirurgjike me çmimin më të lirë krahasuar me institucionet e tjera. Përderisa Qendra e Studentëve të njëjta maska i ka blerë më së shtrenjti. Komuna e Prishtinës maskat kirurgjike i ka blerë nga 0.50 euro kurse Qendra e Studentëve nga 1 euro.

Komuna e Mitrovicës së Jugut duke tentuar të arsyetojë blerjen e maskave me një çmim prej 10 euro e kanë mashtruar opinionin duke thënë se maskat janë të prodhuara në Amerikë.

Kompania që e ka furnizuar komunën dhe Dogana e Kosovës e kanë demantuar Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe Agim Bahtirin për origjinën e maskave.

KALLXO.com ka raportuar Komuna e Mitrovicës së Jugut, e udhëhequr nga Agim Bahtiri, ka nënshkruar një kontratë për furnizim me materiale për mbrojtje nga COVID-19, me disa produkte që i kanë kushtuar më shtrenjtë se Komunës së Dragashit.

KALLXO.com ka raportuar se Komuna e Mitrovicës ka paguar shumë më shtrenjtë edhe dezinfektues.

Me kontratën e cila është nënshkruar brenda një jave, Komuna e Mitrovicës ka blerë “dezinfektues për ambiente pune” të sasisë 1 litër me çmim prej 15 euro.

Kurse Komuna e Dragashit, përmes kontratës e cila është nënshkruar brenda 8 ditëve, ka blerë “gel dezinfektues” po ashtu të sasisë 1 litër me çmim prej 5.5 euro.

Nga ana tjetër, Komuna e Podujevës një uniformë njëpërdorimshme Komunës së Podujevës i ka kushtuar 15 euro, ku ka porositur 300 të tilla në vlerë totale prej 4 mijë e 500 eurove. Në anën tjetër, Komunës së Deçanit një veshje një përdorimshe i ka kushtuar 4 euro.

Rënia e të hyrave

Buxheti i rishikuar i Kosovës parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.

Si pasojë e pandemisë COVID-19, buxheti i rishikuar, i cili pritet të miratohet në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës parasheh rënie të të hyrave dhe rritje të shpenzimeve.

Krahasuar me buxhetin e vitit 2020, i cili është aprovuar në mars të këtij viti gjatë Qeverisë Kurti, të hyrat janë rreth 13.8% më të ulëta apo rreth 232 milionë më pak. Ndërsa shpenzimet janë paraparë të jenë 263 milionë më shumë se sa që ishin paraparë në buxhetin e miratuar në muajin mars.

Sipas analizës së zhvillimeve ekonomike, parashihet që rritja ekonomike për vitin 2020 të jetë – 3% dhe pritet që në vitet 2021 dhe 2023 të kthehet në rritjen progresive prej 5%.

Si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia për vitin 2020 pritet një deficit buxhetor prej 6.5% apo 4.5% më shumë se vlera e lejuar prej 2%. Për këtë do të merret leje nga Kuvendi i Kosovës.

Për të përballuar krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19, Qeveria Hoti ka paraparë “Programin e rimëkëmbjes ekonomike”, nga i cili për vitin 2020 në buxhetin e rishikuar janë paraparë 385 milionë euro.

Ndërsa në sektorin e shëndetësisë, në buxhetin e rishikuar janë paraparë 29 milionë e 600 mijë euro për “Projektin emergjent COVID-19 për Kosovën” dhe “Instrumentin për financim të sektorit publik për reagim emergjent ndaj COVID-19”.

Në përgjigje ndaj nevojave emergjente të krijuara nga pandemia, Qeveria po shqyrton edhe përfitimin nga pakot emergjente dhe instrumentet e veçanta të Institucionet Financiare Ndërkombëtare ku Kosova është e anëtarësuar.

Në vitin 2020, situata ekonomike në Kosovë ka ndryshuar për shkak të pandemisë COVID-19. Ndikimi në ekonomi i pandemisë dhe masave të ndërmarra nga qeveria kanë bërë që parashikimet fiskale për këtë vit të ndryshojnë krahasuar me projeksionet e buxhetit 2020.

Vlerësimet për të hyrat totale nga Ministria e Financave për vitin 2020 tregojnë që të hyrat do të kenë një rënie vjetore prej rreth 5.3%, krahasuar me vitin 2019. Por, rënia është më e madhe krahasuar me planin për të hyrat që ishte bërë për këtë vit.

Krahasuar me buxhetin për 2020 të aprovuar në mars të këtij viti, të hyrat janë rreth 13.8% më të ulëta apo rreth 232 milionë. Sipas buxhetit të miratuar në muajin mars, të hyrat e këtij viti ishin planifikuar të jenë 2 miliardë e 20 milionë euro (2,020,000,000 euro) ndërsa sipas buxhetit të rishikuar, të hyrat pritet të jenë 1.78 miliardë (1,788,000,000 euro).

Të hyrat tatimore pritet të kenë rënie prej 218 milionë euro për dallim nga buxheti i miratuar në muajin mars.

“Të hyrat nga detyrimi doganor deri në fund të muajit maj shënuan një rënie prej 25.9% me një rënie të theksuar në muajin prill dhe maj prej 54% dhe 41%, respektivisht. Deri në fund të vitit 2020, rënia vjetore pritet të jetë rreth 18.8%”, thuhet në Kornizën Makro-Fiskale 2020-2022.

Sipas kësaj Kornize edhe të hyrat nga TVSh kufitare gjithashtu shënuan një rënie vjetore prej 15.4% për periudhën janar-maj, me një rënie të theksuar në muajin prill prej 43.4% dhe në muajin maj prej 31.3%. Deri në fund të këtij viti, rënia vjetore pritet të jetë rreth 8.9%.

Ndërsa, të hyrat nga akciza si një ndër kontribuuesit më të lartë në të hyra, shënuan një rënie prej 6.9% deri në fund të muajit maj dhe pritet që rënia vjetore të jetë rreth 3%.

“Kjo rënie i atribuohet kryesisht rënies ekonomike në vend që ndikon drejtpërdrejtë në uljen e kërkesës për derivate, gjë e cila u reflektua në rënien e dukshme të importit të rregullt të naftës dhe benzinës në muajt mars dhe prill”, theksohet në Kornizë.

Gjithashtu, edhe rënia e importeve të cigareve dhe pijeve alkoolike shënoi rënie gjatë kësaj periudhe, si rezultat i kufizimit të aktivitetit të restoranteve dhe kafeneve për parandalimin e përhapjes së COVID-19 por edhe rënies të përgjithshme të konsumit.

Në anën tjetër, të hyrat nga tatimet direkte kishin një rënie prej rreth 17.5% në terma vjetorë për periudhën janar-maj. Deri në fund të vitit, rënia vjetore në tatimet direkte pritet të jetë rreth 3.4%.

Rritja e shpenzimeve

Në anën tjetër, shpenzimet buxhetore totale në vitin 2020 priten të kenë një rritje prej rreth 25.2% krahasuar me vitin e kaluar. Shpenzimet janë paraparë të jenë 263 milionë më shumë se sa që ishin paraparë në buxhetin e miratuar në muajin mars të këtij viti.

Në buxhetin e miratuar në mars në Kuvendin e Kosovës, shpenzimet për vitin 2020 ishin paraparë të jenë 2.3 miliardë euro (2,357,000,000 euro) ndërsa me rishikimin e buxhetit këto shpenzime janë paraparë të jenë 2,6 miliardë euro (2,620,000,000 euro).

Tek struktura e shpenzimeve rrjedhëse të rregullta nuk ka ndryshime të mëdha krahasuar me buxhetin fillestar. Kategoria e “mallrave dhe shërbimeve” shënon rënie krahasuar me buxhetin fillestar, si rezultat i kursimeve të identifikuara, rreth 43 milionë euro, në mënyrë që të lejohet hapësirë për shpenzimet që adresojnë pasojat negative të situatës pandemike COVID-19.

Kategoria e “subvencioneve dhe transfereve” është rreth 18 milionë me e lartë se shuma e planifikuar në buxhetin fillestar, si rezultat i adresimit të nën-buxhetimit në disa skema sociale në buxhetin fillestar.

Ndërsa, kategoria “paga dhe shtesa” qëndron pothuajse në të njëjtin nivel si në version fillestar të buxhetit, rreth 620 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 0.6% krahasuar me vitin e kaluar. Në total, shpenzimet rrjedhëse të rregullta priten të rriten me rreth 5.5% krahasuar me vitin 2019.

Në anën tjetër, shpenzimet kapitale totale në 2020 priten të jenë më të ulëta se sa ato të planifikuara në buxhetin 2020 të miratuar në muajin mars, megjithatë, ato priten të shënojnë rritje krahasuar me vitin 2019. Gjatë vitit 2020, shpenzimet kapitale priten të arrijnë vlerën prej 735 milionë euro, prej të cilave 403 milionë euro priten të financohen nga buxheti i rregullt.

Ndikimi i pandemisë në rënien e ekonomisë

Masat e ndërmarra deri tani në Kosovë për të kufizuar përhapjen e virusit COVID-19 priten të kenë ndikim të dyfishtë në ekonominë e Kosovës sipas Ministrisë së Financave.

“Nga njëra anë, ndalimi i përkohshëm i aktivitetit biznesor për disa sektorë ka çuar në uljen e ofertës së mallrave dhe shërbimeve në treg. Nga ana tjetër, karantinimi dhe kufizimi i qarkullimit në ekonomitë e jashtme do të ulë kërkesën në ekonomi nëpërmjet kanaleve të remitancave apo të udhëtimit në Kosovë”, thuhet në Kornizën Makro-Fiskale 2020-2022.

Gjithashtu, situata e ngjashme në Kosovë pritet të ndikojë në kërkesë më të ulët për mallra dhe shërbime, në të ardhura më të ulëta dhe në investime më të ulëta nga ana e sektorit privat.

“Në kushtet e një ambienti që karakterizohet me pasiguri, është mjaft e vështirë të kuantifikosh impaktin e këtyre masave në situatën ekonomike, edhe pse është e qartë që ato do të çojnë në një kontraktim të ndjeshëm të prodhimit, shpenzimit të ekonomive familjare, investimit të korporatave dhe tregtisë ndërkombëtare”, ka theksuar Ministria e Financave në Kornizën Makro-Fiskale.

Duke marrë parasysh të gjitha këto, pritet të ketë një rënie ekonomik prej 3.0% në vitin 2020.

Remitanca historikisht kanë përbërë një nga burimet kryesore të financimit të jashtëm në Kosovë apo mbi 10% të Bruto Produktit Vendor. Sipas Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2020, remitancat priten të bien ndjeshëm, me mbi 12% krahasuar me vitin e kaluar.

Programi i rimëkëmbjes ekonomike

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm parasheh futjen në ekonomi të një shume financiare prej 1.2 miliard euro si infuzion për zhvillim ekonomik për shkak të pasojave të COVID-19.

Përmes rishikimit të buxhetit në programin për rimëkëmbjen ekonomike për këtë vit janë paraparë 385 milionë euro. Për “paga dhe shtesa” janë paraparë 14 milionë euro, për “mallra dhe shërbime” 13 milionë euro, për “subvencione dhe transfere” gjithsej 131 milionë euro, për “kontigjenca për subvencione dhe transfere” 74 milionë euro të tjera, për “kontigjenca kapitale nga fondet e likuidimit (AKP) janë paraparë 100 milionë euro ndërsa për “shpenzimet kapitale përmes Klauzolës Investime dhe Nën-huazimet” 53 milionë euro.

Hoti ka prezantuar 9 masat që janë paraparë në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike siç janë:  1. Lehtësimi i qasjes në financim; 2. Zvogëlimi i barrës tatimore; 3. Masat për mbështetje të punësimit; 4. Bujqësia; 5. Masat për stimulim të kërkesës agregate; 6. Mbështetje për ndërmarrje publike për operim të rregullt dhe investime kapitale të rëndësisë strategjike; 7. Rishikimi i Buxhetit për 2020 dhe relaksimi i kufizimeve fiskale dhe i borxhit publik; 8. Masa mbështetëse për ekonomi nga sektori financiar; 9. Mobilizimi për financimin e masave.

FMN në muajin prill 2020 ka aprovuar dhe disbursuar Instrumentin për Financim të Menjëhershëm në shumën rreth 52 milionë euro, për të lehtësuar nevojat urgjente që rrjedhin nga kriza. Kosova pritet të përfitojë edhe shumën prej 50 milionë euro nga Banka Botërore, po ashtu rreth 100 milionë euro në formë të kredive me kushte të favorshme nga Bashkimi Europian për përballje me efektet e krizës (vetëm kreditë).

Burimet shtesë që priten të financojnë Programin e Rimëkëmbjes përfshijnë: 20 milionë euro nga Fondi për ri-kapitalizimin e Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive si dhe 1 milion nga BB (te rinjtë dhe ndërmarrësia MAPL) dhe një transh i dytë nga FMN-ja, 14 milionë euro nga BERZh, 22.3 milionë euro nga BB nga Instrumenti për Forcimin e Sektorit Financiar.

Rritja e deficitit buxhetor për shkak të COVID-19

Më 5 qershor, Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën për tejkalim të përkohshëm të kufirit të deficitit buxhetor deri në 6.5% të Bruto Produktit Vendor dhe ulja e kufirit të bilancit të shfrytëzueshëm bankar deri në 3% të Bruto Produktit Vendor për shkak të përkeqësimit të gjendjes nga situata e pandemisë COVID-19.

Rrjedhimisht, në vitin 2020, si rezultat i rënies së të hyrave buxhetore për shkak të rënies ekonomike dhe si rezultat i rritjes së shpenzimeve buxhetore për shkak të implementimit ende jo të plotë të Pakos Emergjente Fiskale dhe një sërë masash të tjera në kuadër të Programit për Rimëkëmbje Ekonomike, të miratuar nga Qeveria në mars 2020, deficiti fiskal, sipas rregullës fiskale në vitin 2020 pritet të arrijë nivelin prej -6.5% të BPV-së, ndërsa bilanci i shfrytëzueshëm bankar do të jetë rreth 3.1 e BPV-së.

Në dy vitet e ardhshme, 2021 dhe 2022, parashihet që deficiti buxhetor gradualisht të ulet në -4.1% dhe 2.7%, respektivisht. Ndërsa, bilanci i shfrytëzueshëm bankar pritet të jetë 3.4% e BPV-së në 2021 dhe 2.7% e BPV-së në 2022.