Kufizimi i konkurrencës, Ministria e Shëndetësisë anulon tenderin mbi 700 mijë euro për Sistemin Informativ Shëndetësor
Ministria e Shëndetësisë ka anuluar tenderin për Sistemin Informativ Shëndetësor nëpër institucionet publike shëndetësore të Kosovës.
Anulimi i tenderit është bërë pas një raporti nga ekspertë të Bankës Botërore, ndërsa kërkesa për anulimin e tenderit është bërë nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi.
Sistemi Informativ Shëndetësor (SISH), është një sistem i të dhënave online për pacientët nëpër institucionet shëndetësore publike.
Raporti i ekspertizës, sipas arsyetimit për anulimin e tenderit, ka konstuatuar se ka pasur kërkesa që kanë kufizuar konkurrencën e të cilat në fund kanë ndikuar që vetëm një kompani të ofertojë për këtë tender.
“Bazuar në ekspertizën e Bankës Botërore, nga Zyrtari Kryesor Administrativ (sekretari) është konstatuar se disa kërkesa kanë qenë në mënyrë të panevojshme kufizuese, duke marrë parasysh edhe faktin se kemi pranuar vetëm një ofertuar, ndërkohë që ka pasur shumë operator ekonomik që e kanë shkarkuar Dosjen e tenderit në eprokurim” – thuhet ndër të tjera në arysetim.
Tutje, në arsyetim thuhet se Ministria e Shëndetësisë gjatë ritenderimit të këtij projekti, do t’i rishikojë kërkesat e tenderit, në mënyrë që të rritet konkurrenca dhe të mos ketë kufizime.
Me 7 mars 2023, Ministria e Shëndetësisë kishte hapur tenderin për “Mirëmbajtja e 70% te HW të SISH-it për Institucionet Shëndetësore”. Vlera e parashikuar e këtij tenderi ka qenë 720 mijë euro.
Edhe pse dosjen e tenderit e kishin shkarkuar 32 operatorë ekonomikë, në fund, kishte ofertuar vetëm një i tillë, ‘Infosoft Systems’, të cilit edhe i është dhënë kontrata, me çmimin e ofertuar prej 715 mijë e 999 euro, apo 4 mijë e 1 euro më lirë se sa çmimi i parashikuar nga ana e Ministrisë.
Përmes këtij tenderi Ministria e Shëndetësisë synonte mirëmbajtjen 3-vjeçare harduerike dhe shërbimit të infrastrukturës të Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), pjesës aktive dhe pasive, e cila është e shtrirë në 70% të institucioneve shëndetësore.
Mirëmbajtja harduerike dhe shërbimit, sipas Ministrisë, duhet të sigurojë funksionimin pa probleme dhe pa ndërprerje të pajisjeve në përdorim.