Deputetet, PDK

Grupi Parlamentar i PDK-së. Foto: Kuvendi i Kosovës

Opozita akuzon Qeverinë për degradim të shëndetësisë në vend

Deputetët opozitarë kanë hedhur një mori akuzash në adresë të Qeverisë së Kosovës gjatë seancës së jashtëzakonshme për gjendjen në sistemin shëndetësor në vend.

Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës tha se kryeministri, Albin Kurti do duhej të ishte në këtë seancë për të dhënë llogari për Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, që ishte themeluar nga Qeveria, më 14.09.2022.

“Në këtë debat do duhej të ishte prezent kryeministri Kurti, i cili themeloi komitetin ekzekutiv për shëndetësi sepse deklaronte se është pak me e udhëheq këtë punë veç një ministër” – tha Haxhiu.

Me këtë trend të qeverisë, sipas tij, qytetarët nuk mund të presin sigurime shëndetësore para vitit 2030.

Deputeti Haxhiu shtoi se qeveria nuk ka dhënë asnëherë llogari e as përgjegjësi për skandalet në shëndetësi, prandaj sipas tij, është normale kur auditori evidenton mbi 15.6 milionë euro hajni e keqpërdorime në këtë sektor.

“S’ka llogari as kur pacientja – gruaja shtatzënë vritet para gjinekologjisë, as kur gjymtohet trupi i foshnjës së vdekur në lavatriqen e Spitalit të Pejës, e as kur digjet pacienti në Klinikën e Psikiatrisë” – tha ai.

Ai përmendi disa probleme të sektorit të shëndetësisë duke përfshirë listën e pritjeve, uljen e kapaciteteve, mosmiratimin e ligjeve dhe mos zhvillimin e Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh).

Mjekimi Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sipas Haxhiut ishte inauguruar në vitin 2019 me 32 shtretër, e sot i ka në  funksion vetëm 21 sosh. Ulja e kapaciteteve sipas tij bëhet për përfitim të klinikave private.

“Si është e mundur që me dy aparatura të rezonancës magnetike (në vitet 2019-2020) nuk ka pasur listë të pritjes e sot me tri të tilla në QKUK, 1 në Pejë e 1 në Prizren, lista e pritjes është 5-6 muaj. Pra, në njërën anë po vidhet duke u blerë aparatura, në anën tjetër zhvaten pacientët duke i detyruar të shkojnë në spitale private” – deklaroi ai.

Deputeti i PDK-së tha se për zhvillimin e SISh-it qeveria ka planifikuar 17.5 milionë euro për vitet 2022-2025, por ka shpenzuar 0 euro.

“Investimi i fundit parashihet 3.2 milionë euro në vitin 2025. Nëse ju keni planifikuar që zhvillimin e SISh-it me e përfundu në vitin 2025, atëherë mbledhja e premiumeve do të zgjasë edhe 2 vite dhe sigurimet shëndetësore qytetarët më këtë punë të kësaj qeverie nuk munden me i prit para vitit 2030” – shtoi Haxhiu.

Sikurse Haxhiu, edhe deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, njëherësh ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj akuzoi Qeverinë për degradim të shëndetësisë.

“Shëndetësia në Qeverinë Kurti është sektori më i nëpërkëmbur. Keni arritur të aprovoni vetëm një ligj me votat e opozitës – atë të çmimit të barnave, e të cilin e keni lënë pa u zbatuar tash e sa muaj” – tha Zemaj.

Për sigurimet shëndetësore, ai tha se Vetëvendosje i kishte ranguar lartë në agjendën politike sa ishte në opozitë, por i hodhi poshtë kur erdhi në pushtet.

Ai përmendi edhe protestat e specializantëve, që tha se erdhën për shkak të injorimi të kërkesave të tyre.

Armend Zemaj tha se ka mungesë të investimeve kapitale, mungesë të barnave, penjve kirurgjikë e letrave higjienike në institucionet shëndetësore, përderisa tha se listat pritjes janë kthyer në ankth.

Lidhur me këto akuza, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se në vitin 2019, VV-ja ka thënë që Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk mund të funksionalizohet pa 4-5 vitesh punë intensive.

Sistemi Informativ Shëndetësor (SISH), është një sistem i të dhënave online për pacientët nëpër institucionet shëndetësore publike.

Ministria e Shëndetësisë ka anuluar tenderin në vlerë mbi 700 mijë euro për Sistemin Informativ Shëndetësor nëpër institucionet publike shëndetësore të Kosovës, gjatë vitit të kaluar.

Përmes këtij tenderi Ministria e Shëndetësisë synonte mirëmbajtjen 3-vjeçare harduerike dhe shërbimit të infrastrukturës të Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), pjesës aktive dhe pasive, e cila është e shtrirë në 70% të institucioneve shëndetësore.

Ish-Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi pati thënë më 15.04.2022 se ky ligj duhet të jetë funksional, të paktën pjesërisht brenda dy viteve.

Sipas Latifit ky ligj është obligativ pasi ndryshe nuk mund të realizohet dhe ndërtohet shëndetësia në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë, e cila tani udhëhiqet nga Arben Vitia në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, në nëntor 2023 kishte thënë se draft Projektligji për Sigurime Shëndetësore është në procedura finale.

Grupi punues për këtë projektligj ishte formuar në shkurt 2023 dhe ka përfunduar draftin në muajin korrik 2023.

MSh ka thënë se ka angazhuar edhe ekspertë ndërkombëtarë për mbështetje në hartimin e draftit të këtij projektligji.

Me Ligjin e ri për Sigurimet Shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë thotë se synon të transformojë mekanizmin e financimit të sistemit shëndetësor dhe të përshpejtojë arritjen e mbulimit shëndetësor universal dhe si rrjedhojë të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e kosovarëve dhe të zvogëlojë varfërinë e pabarazinë e shkaktuar nga shpenzimet shëndetësore.

Një pjesë e qytetarëve të Kosovës paguajnë sigurimin e tyre shëndetësor përmes kompanive private.