Këshilli i Europës në Strasburg, Francë. Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com

Këshilli i Europës në Strasburg, Francë. Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com

Franca e Gjermania inkurajojnë Kurtin që ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese

Franca dhe Gjermania po presin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ta bëj “hapin që po i kërkohet” dhe ta dërgojë draft-statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që Kosova të arrijë të sigurojë shumicën e votave për anëtarësim në Këshillin e Europës (KiE).

Në ditën kur e dha lajmin se Qeveria nuk zmbrapset nga qëndrimi për të mos e dërguar këtë draft-statut në Kushtetuese, shefi i ekzekutivit kosovar u shpreh që nuk e ka pritur një qëndrim të tillë pikërisht nga këto dy shtete mike.

“Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga shtetet të cilat deri më tani nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, por asesi nuk e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim, e më herët ishin krah nesh për çlirim e pavarësim”- tha Kurti, më 08.05.2024.

Megjithatë, të dy shtetet ende kanë pritje që kryeministri Kurti mund të ndërrojë mendje para 16 ose 17 majit – data gjatë të cilave është planifikuar të mblidhet Komiteti i Ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës, për sa kohë që deri më tani Kosova nuk është pjesë e agjendës së këtij takimi, ashtu siç edhe kanë konfirmuan për Kallxo.com nga KiE.

Franca ka rekomanduar Qeverinë e Kosovës ta dorëzojë për interpretim në Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit e Komunave me Shumicë Serbe, “në një mënyrë të pranueshme për këtë gjykatë”, gjë qe do të ishte sinjal i fortë nga Kosova.

Në këtë mënyrë shprehu qëndrimin e Francës, Ambasada e këtij shteti në Kosovë, përmes një përgjigjje për KALLXO.com. Franca përkujton se ky statut është miratuar plotësisht nga vendet që mbështesin dialogun e udhëhequr nga BE, dhe deri më tani ofron bazën më të mirë dhe të vetme për krijimin e Asociacionit.

“Dërgimi i draft statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për interpretim do të dërgonte një sinjal të fortë të përkushtimit të Kosovës për të përmbushur këtë çështje dhe do të demonstronte më tej përkushtimin e Kosovës për të drejtat e pakicave, që është një nga shtyllat e Këshillit të Europës, dhe do të ishte prandaj një hap i mirëpritur për të siguruar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës”- shkruan në përgjigjen e ambasadës më 10.05.2024.

Çështjen e zbatimit të Asociacionit të ndërlidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, presidenti francez Emmanuel Macron e kishte përmendur edhe gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Albin Kurti më 23.04.2024.

“Presidenti (Macron) nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”- thuhej në njoftimin e Presidencës franceze.

Në linjë të ngjashme mendimi me francezët, edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde thotë se nuk e ka pritur që kryeministri Albin Kurti të befasohet me qëndrimin e Gjermanisë dhe të Francës. 

Rohde thekson se Kurti ka qenë në dijeni se për Gjermaninë dhe Francën dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese është hapi i vetëm për të siguruar shumicën e votave të nevojshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës.

“Edhe unë jam i befasuar që ai u befasua. Sepse kryeministri Kurti ka folur me presidentin francez Macron, ai foli me kancelarin tim, ai takoi ministrin tim të jashtëm dhjetë ditë më parë në Berlin, dhe ne kishim të njëjtin mesazh për të: Bëj diçka për Asociacionin dhe kjo ndihmon për të siguruar një shumicë”- tha Rohde në një intervistë për KALLXO.com, më 09.05.2024.

Ndër tjerash, ai shtoi që dërgimi i draftit në Kushtetuese është mënyra e vetme, duke shpresuar që kryeministri Kurti të ndërrojë mendje para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare të Këshillit të Europës, që pritet të mbahet më 16 ose 17 maj 2024.

“E para, a do të votohet? Sepse ne kemi thënë dhe kemi shprehur mendimin tonë se një votim i dështuar do të ishte fatkeqësi. Kosova ka një shans unik për t’u anëtarësuar së shpejti. Dhe ajo që do të donim është që Kosova të marrë vendimin e duhur, kështu që unë do të preferoja të mos kisha një vendim tani, nëse Kosova nuk po bën hapin e pritur që presim prej tyre”- shtoi Rohde, kur u pyet nëse Kosova hyn në agjendën e Komitetit të Ministave, a do e marrë votën e Gjermanisë.

Megjithatë, Kurti nuk pajtohet me qëndrimet e këtyre dy shtetve. Asociacioni si kusht, sipas tij është refuzuar tri herë edhe nga vetë instancat e Këshillit të Europës.

“Nëse me datë 26 tetor 2023 do të nënshkruhej në Bruksel vetëm atëherë do të dërgohej në Gjykatë Kushtetuese. Si i tillë është një non-paper dhe jo një dokument” – shtoi shefi i ekzekutivit.

Asociacioni u tentua tri herë të futet parakusht për anëtarësim në Këshillin e Europës: dy herë në komitetin për çështje politike dhe demokraci, më 27 mars 2024 në Paris, dhe më 16 prill në Strasburg dhe po ashtu gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme po atë ditë. Por këto amandamente të propozuara nga Serbia dhe njëra nga disa delegatë italianë dhe një hungarez, u refuzuan nga shumica e delegatëve.

Përndryshe,  ndryshe nga Gjermania dhe Franca, Mbretëria e Bashkuar në një përgjigjje për Kallxo.com, tha se e përkrah anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës pa parakushte.

Kosova ngriti shpresat e saj për anëtarësim në Këshillin e Europës muajin e kaluar kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, votoi për të rekomanduar anëtarësimin për Kosovën.

Raportuesja e Këshillit të Europës Dora Bakojanis, vendi i së cilës- Greqia, është një nga pesë anëtarët e Bashkimit Europian që nuk e njohin Kosovën si të pavarur, hartoi “opinionin statutor” që rekomandon pranimin e Kosovës në KiE.

Me miratimin e opinionit, Asambleja ia përcolli në mënyrë efektive vendimin përfundimtar Komitetit të Ministrave.

Kosova aplikoi për t’u bashkuar më 12.05.  2022 pasi Rusia u dëbua pas pushtimit të Ukrainës, duke rritur shanset e Prishtinës për të siguruar shumicën e dy të tretave të nevojshme për anëtarësim.

Shanset e Kosovës u përmirësuan më tej në mars kur qeveria autorizoi Agjencinë Kadastrale që t’ia bartte 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Europës ka 46 shtete anëtare, duke përfshirë të gjithë 27 anëtarët e vetë BE-së.

Në raportin e saj, Bakoyannis vuri në dukje “rrethanat e paprecedentë” që rrethojnë pranimin e Kosovës – një referencë për faktin se një numër i anëtarëve të Këshillit të Europës nuk e njohin atë si shtet.

Kosova arriti të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar më 16.04.2024. Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.