Qeveria e Kosovës/ Foto: ZKM
Qeveria e Kosovës zyrtarisht mbyll COVID-19
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për mbylljen e Emergjencës së Shëndetit Publik që ishte shpallur pas fillimit të pandemisë COVID-19.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha kërkesa e dikasterit që ai drejton është bazuar edhe në deklaratën e OBSH-së të datës 5 maj, kur edhe e shpallën të përfunduar emergjencën globale shëndetësore COVID-19.
“Pas tre vitesh nga marsi i 2020-tës, Ministria e Shëndetësisë duke marrë parasysh situatën epidemiologjike në Kosovë, në zbatim të IKSHPK-së dhe deklaratën e OBSH të datës 5 maj 2023 për heqjen e gjendjes emergjente të shëndetit publik, kërkon nga Qeveria të nxjerrë vendim për mbylljen e emergjencës së shëndetit publik”- deklaroi Vitia.
Ai tha se MSh do të vazhdojë të përcjellë situatën epidemiologjike në vend.
“Natyrisht MSh me insticuonet do të vazhdojë të përcjellë me kujdes situatën epidemiologjike në vend dhe në përputhje me këtë varësisht për këtë do të marrë masa që kërkojnë. Me kënaqësi kërkoj që ky vendim të aprovohet nga kabineti”- theksoi Vitia.
Në mbledhjen e Qeverisë si pikë shtesë u miratua edhe largimi i të gjitha masave anti-COVID-19.
“OBSH me datën 5 maj ka hequr gjendjen emergjente, MSH ka analizuar edhe masat për gjendjen. MSH vlerson se nuk ka arsye për masa anti-Covid dhe si rrjedhojë kërkon shfuqizimin e vendimit për masat”- ka thënë ministri Vitia.
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, më 5 maj ka njoftuar se virusi COVID-19 më nuk paraqet emergjencë globale shëndetësore.
Ghebreyesus ka deklaruar se Komiteti i Emergjencave i ka rekomanduar që të shpallë të përfunduar emergjencën globale shëndetësore COVID-19.
Komiteti për Emergjenca i OBSH-së fillimisht më 30 janar 2020 kishte shpallur COVID-19 sëmundje që paraqiste kërcënim të nivelit më të lartë.
Sipas të dhënave të OBSH-së, numri i viktimave nga COVID-19 ka rënë. Në janar të vitit 2021, bota regjistronte mbi 100.000 viktima në javë nga kjo sëmundje, ndërkaq sipas të dhënave të prillit të këtij viti, ky numër është mbi 3.500.
OBSH shpall të përfunduar emergjencën globale shëndetësore COVID-19