“Sofra”, Gjelosh Gjokaj, fondi i GKK-së. Foto:KALLXO.com
Rikthimi i Gjelosh Gjokajt në Kosovë, Galeria Kombëtare ekspozon vepra kolosale të ‘Pikasos shqiptar’
Dhjetëra vepra të piktorit Gjelosh Gjokaj janë ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Ekspozita “Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj” është hapur të mërkurën, më 15.05. 2025, në GKK-në, për nder të 90-të vjetorit të lindjes së Gjokajt.
Ekspozita është kuruar nga Shkëlzen Maliqi dhe përfshinë veprat nga të gjitha fazat e zhvillimit të artit të Gjokajt.
Stili i veçantë, motivet e mesazhet universale që shpalosen përmes pikturave e grafikave, e bëjnë Gjokajn një krijues të përmasave botërore.
Shumë prej kritikëve dhe studiuesve të arteve pamore, Gjokajn e konsiderojnë edhe si ‘Pikaso shqiptar’.
Mbi 60 veprave të ekspozuara në këtë ekspozitë janë të fondit privat të Sead Gjokaj nga Podgorica e Malit të Zi. Që nga viti 2007, në fondin e tij privat, vit pas viti Sead Gjokaj ka arritur të grumbullojë 81 vepra të piktorit Gjelosh Gjokajt, të grumbulluara vite me radhë.
Koleksionimi i veprave të mjeshtrit
Në një prononcim për KALLXO.com, Sead Gjokaj ka thënë se ka arritur të grumbullojë në koleksionin e tij vepra të rëndësishëm të kushëririt të tij, Gjelosh Gjokaj.
Sipas tij, pikturat e Gjokaj bartin motive nga fëmijëria e tij, shpërngulja si fëmijë nga vendlindja, por edhe raste të veçanta nga jeta e tij; sikurse pikturat: Refugjatët, Bariu, Lulet, gruaja me shami, etj., e që ishin edhe frymëzim për krijimin e fondit të tij.
“Disa prej veprave m’i ka dhuru vet Gjeloshi, ndërsa shumicën më është dashur të hulumtojë me vite të tëra për t’i gjet mes miqve të tij, nëpër ankande, nëpër ish-Jugosllavi dhe t’i bindi njerëzit të m’i shesin. Disa më është dashur t’i restauroj me kujdes të hatashëm, sidomos piktura ‘Kënga për Kadinjaçën’” – ka thënë Sead Gjokaj në intervistë për KALLXO.com.com.
Piktura “Kënga për Kandinjacën” është pikturë e gjatë mbi 5 metra, deri në atë masë sa Galeria e Arteve e ka ekspozuar në katin e dytë dhe e ka lënë në formë të pjerrët sepse piktura është shumë e gjatë për t’u varur në mur.
Piktura ishte e bërë për hotel specifik që ka pas mur të gjatë në një qytet në kufi të Serbisë me Bosnjën dhe Hercegovinën.
Sead Gjokaj kishte dëgjuar që hoteli po privatizohej dhe kishte shkuar ta shpëtojë pikturën gjigante nga shkatërrimi, për shkak se pronari që e kishte privatizuar hotelin “Sivonja” në Uzicës (Serbi), nuk ishte i interesuar ta mbajë pikturën gjigante që sot është ekspozuar në Prishtinë.
Ai ka thënë se fondi i tij më veprat e Gjokajt është prezantuar për publikun edhe në Shqipëri vitin e kaluar, ndërsa sipas tij, planifikohet edhe një ekspozitë në Podgoricë për vitin e ardhshëm.
Gjokaj ka thënë se është i gatshëm që ky koleksion të prezantohen nëpër ekspozita kudo që shprehet interesimi, pse jo edhe që në të ardhmen ato të sistemohen në ndonjë muze për ekspozim të përhershëm.
Sead Gjokaj është më meritori për realizimin e monografisë, “Maestro Gjelosh Gjokaj”, shqip dhe anglisht.
Kjo monografi e përgatitur dhe redaktuar nga Sead Gjokaj, është promovuar vitin e kaluar, më 04.04.2023, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në Prishtinë.
Gjokaj foli edhe për faktin se ishte pishman që s’kishte arritur të mësonte të fliste shqip ende.
Kjo për shkak se në periudhën e asimilimit të shqiptarëve në Malin e Zi, prindërit e tij, pasi që ishin bartur herët prej katundit Milesh në rrethinën e Tuzit, dhe kishin vazhduar jetën dhe shkollimin në sistemin malazez në Podgoricë, kishin folur shqip me njëri-tjetrin, por jo me fëmijët.
Jetësimi i një vlere artistike
Puna e Sead Gjokajt për seleksionimin dhe promovimin e veprave të Gjelosh Gjokajt po vlerësohet nga krijuesit dhe studiuesit e arteve pamore.
Piktorja Zake Prelvukaj tha për KALLXO.com se Sead Gjokaj, me koleksionimi e veprave po e mban gjallë dhe po e jetëson punë e Gjelosh Gjokajt. Sipas saj, përmes këtij koleksioni mundësohet kontakti vizualë me autorin.
“Një koleksionist i rryer sikurse Sead Gjokaj e pasuron shtetin dhe ekspozon veprën, duke i dhënë krijuesit (në këtë rast Gjelosh Gjokajt) një jetë të përjetshme në nivel evropian e botëror” – tha ajo për KALLXO.com.
Ndërsa e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme hapjen e ekspozitës për punën krijues të Gjokajt në GKK.
Ndërkaq, Shkëlzen Maliqi, kritika arti dhe kurator i ekspozitës “Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj” ka thënë se imazhet e artit të hershëm të Gjokajt u referohen kujtesave adoleshente të tija nga Lufta e Dytë Botërore.
Por, që sipas tij gjejnë vazhdimësi anksioze edhe që trajtojnë kërcënimet katastrofike të Luftës së Ftohtë nga mesi i shekullit XX që kërcënonte me shpërthim të luftës bërthamore dhe asgjësimin e njerëzimit.
“Ky ndikim devijues i teknicizmit të keqpërdorur më veprat e viteve 70-ta dhe 80-ta të Gjokajt, sikur trajton një temë aktuale edhe sot, mbi sfidën që njeriut i vjen nga robotët me inteligjencë artificiale” – ka shkruar, ndër të tjerash Maliqi, në tekstin kuratorial për ekspozitën e Gjelosh Gjokajt.
Biografia e Gjelosh Gjokaj
Gjelosh Gjokaj ka lindur më 25 korrik 1933 në fshatin Milesh afër Tuzit, zona e Malësisë së Madhe (në Mal të Zi).
Studimet për pikturë (grafikë) i ka mbaruar në Beograd, në vitin 1963. Në periudhën 1964/69 punon si profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, dhe ishte ndër nismëtarët për themelimin e Fakultetit të Arteve të UP-së.
Në viti 1966 ishte në grupin e shtatë piktorëve dhe katër grafikëve nga ish-Jugosllavia që morën pjesë në në Bienalen e VI të Mesdheut të Pikturës dhe Grafikës në Aleksandri.
Disa vite jetoi në Itali, ndërsa pas viti 1983 u vendos në Augsburg, në Gjermani, vend ku jetoi dhe punoi deri në fund të jetës.
Ligjëroi në disa institucione arsimore të artit në Kosovë e Mal të Zi. Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Kosovës, në atë të Malit të Zi dhe Akademisë së Shkencave, Letërsisë dhe Arteve në Palermo.
Veprat e tij janë të përfaqësuara në shumë muze dhe galeri në tërë botën. Vdiq më 25 shtator 2016 në Mynih në Gjermani.