Iustrimi: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Tentativa e tretë e Arben Vitisë

Pas gati 3 muajve pritje, kryeministri Albin Kurti e gjeti një “zot shtëpie” për Ministrinë e Shëndetësisë, duke ia falur për herë të tretë besimin për të drejtuar njërin nga dikasteret më të rëndësishme të qeverisë, Ministrinë e Shëndetësisë, Arben Vitisë.

Vitia ishte dorëhequr nga detyra e ministrit, pak javë para se të mbaheshin zgjedhjet lokale të te tetorit të vitit të kaluar, në një kohë kur situata me COVID-19 ishte ende aktuale.

Ndonëse menaxhonte me ministrinë e Shëndetësisë, Lëvizja Vetëvendosje kishte nxjerrë Vitinë kandidat për të udhëhequr me kryeqytetin.

Në balotazh, Vitia nuk arriti të triumfojë karshi Përprim Ramës, një kandidati të ri i nxjerrë nga LDK, që tani e 1 vit udhëheq me kryeqytetin.

Për herë të parë, Vitia ishte emëruar ministër i Shëndetësisë në Qeverinë Kurti 1 me koalicionin LVV-LDK.

Në kohën kur Vitia ishte emëruar ministër, COVID-19 nuk kishte prekur asnjë kosovarë, derisa në botë veçse kishte nisur t’i lë pasojat e para.

Pak javë pas marrjes së detyrës, Vitia ishte njëri nga figurat kryesore të qeverisë Kurti 1, për shkak të shpërndarjes me virusin COVID-19, që në atë kohë ishte pothuajse krejtësisht i panjohur.

Dorëheqjen Vitia e kishte menduar edhe në një moment tjetër, kur më 3 maj 2020, një 26-vjeçar që ishte kthyer nga Gjermania dhe ishte karantinuar në konviktet e qendrës së studentëve kishte vdekur në rrethana të pasqaruara.

“Sa i përket përgjegjësisë time, si Arben Vitia, qysh mbramë kur kam dëgjuar për rastin, kam menduar për dorëheqje. Edhe në momentin që po flas tash, si Arben Vitia jam duke e menduar një gjë të tillë. Mirëpo po flas si Ministër i Shëndetësisë, i cili ka një përgjegjësi shumë dimensionale në këtë drejtim, e një nga përgjegjësitë kryesore të mia tani do të jenë zbardhja e plotë e të gjitha rrethanave që ka ndodhur në këtë rast”, -kishte thënë ai në një konferencë për media.

Atëherë, me vendim të Vitisë konviktet ishin shndërruar në vend për karantinë për qytetarët që vinin nga jashtë vendit.

Gjatë kohës kur gjendja me Covid-19 ishte në fillimet e saj në Kosovë, Vitia si ministër i shëndetësisë kishte marrë edhe masa të tjera parandaluese, të cilat u diskutuan shumë nga opinioni publik.

Ndërprerja e procesit edukativo -arsimor në të gjitha nivelet, angazhimi i stafit mjekësor vullnetarë, orët policore, mbyllja e qendrave tregtare, gastronomisë, teatrove, kinemave, ndalimi i mbajtjes së ahengjeve, mbyllja e pikave kufitare, lejimi i lëvizjes vetëm për 90 minuta gjatë orarit të përcaktuar në bazë të numrit të parafundit personal në letërnjoftim ishin disa prej masave që Vitia kishte marrë për luftimin e Covid-19.

Ballafaqimi i tij me situatën emergjente shëndetësore nuk zgjati shumë.

Në ditën e 52-të të qëndrimit në pushtet, më 25 mars 2020, përmes mocionit të mosbesimit të iniciuar nga partneri i koalicionit, LDK, qeveria Kurti, e bashkë me të edhe ministri Arben Vitia u shkarkuan nga detyra.

Megjithatë, ai vazhdoi ta ushtrojë detyrën e ministrit deri më 3 qershor 2020, kur në pushtet erdhi një qeveri e re e një ministër i ri, të dalë nga koalicioni LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe.

Në vend të Vitisë, ministër i Shëndetësisë ishte emëruar Armend Zemaj.

Por “pushimi” i Vitisë nuk ishte i gjatë.

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit 2021, të cilat koalicioni LVV-Lista Guxo i fituan me mbi 50%, në mars Arben Vitia u emërua për herë të dytë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjatë qeverisjes Kurti 2, kur Vitia mori për herë të dytë drejtimin e shëndetësisë, në Kosovë kishin ardhur edhe variantet delta e Omicron të COVID-19 dhe kishte filluar vaksinimi kundër tij.

Vitia udhëhoqi shëndetësinë në Kosovë deri më 1 tetor 2021, kur dha dorëheqje nga pozita e ministrit për të kandiduar për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale. Nga kjo garë ai nuk doli fitues.

Në balotazh, zgjedhjet në kryeqytet përfunduan me 49.02% të votave të fituara nga Arben Vitia dhe me 50.98% të votave të fituara nga Përparim Rama, duke e bërë këtë të fundit kryetar të kryeqytetit.

Pas kësaj humbjeje, Vitia u largua nga përditshmëria politike, e u pa pak në media.

Ai vazhdoi të mbetet kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në pikën e saj në Prishtinë.

Disa muaj pas dorëheqjes dhe humbjes në garën zgjedhore, Vitia u punësua si menaxher në Klinikën dhe Laboratorin Privat “Olive”.

Zëvendësimi i Vitisë në ministri u bë me një doktor shqiptar që jetonte dhe vepronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti vendosi të ia besojë detyrën e ministrit, ish-këshilltarit të ish-kryeministrit Hashim Thaçi dikur, Rifat Latifit.

Ai u emërua si ministër më 16 nëntor 2021 dhe u largua përmes dorëheqjes, 11 muaj më vonë, më 6 tetor 2022.

Ndonëse, Arben Vitia në nëntor të vitit të kaluar kishte deklaruar se nuk ka plan të rikthehet më në ministri, pak ditë më parë, ai vendosi të ndërrojë qëndrim, kur pranoi ofertën e kryeministrit Kurti për të drejtuar për herë të drejtë shëndetësinë.

Ministria e Shëndetësisë mbeti pa ministër për 82 ditë, deri më 26 dhjetor të këtij viti, kur Arben Vitia u riemërua për të tretën herë si Ministër i Shëndetësisë.

Gjatë kësaj kohe, zëvendësministrja Dafina Gexha – Bunjaku udhëhoqi këtë ministri si ushtruese e detyrës.

Arben Vitia kishte drejtuar drejtorinë e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës gjatë qeverisjes së Shpend Ametit nga 2013 deri në 2017.

Ai kishte vazhduar mandatin si drejtor i shëndetësisë edhe në mandatin e dytë të Ahmetit, derisa u shkarkua në 2018 nga ky i fundit pas problemeve të brendshme politike të Vetëvendosjes në atë kohë.

Vitia është mjek i përgjithshëm. Që nga viti 2010 është aktivist në LVV, ku është angazhuar dhe ka drejtuar Komitetin për Shëndetësi.

Në vitet 2013-2018 ka qenë drejtor në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës.