Foto: Ministria e Shëndetësisë

Përurohet renovimi i objekteve të Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Psikiatrisë Intensive

160 mijë euro ka kushtuar renovimi i objektit të Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve, e 110 mijë renovomi i objektit të Psikiatrisë Intensive në QKUK.

Këto renovime janë bërë përmes Projektit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripertëritshme, i financuar nga Banka Botërore përmes kredisë së IDA-së.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në përurimin e objekteve sot, më 14.05.2024, tha se fëmijët dhe adoleshentët do të mund të hospitalizohen, ndryshe nga deri më tani, që kanë marrë vetëm shërbime ambulantore, në mungesë të shtretërve.

Po ashtu, tani e tutje, përveç diagnostikimit janë krijuar kushtet edhe për trajtimin e autizmit.

“Në repartin për fëmijë dhe adoleshentë, me ngritjen e kapaciteteve do të lehtësohet puna e profesionistëve dhe fëmijët e adoleshentët tani e tutje do të marrin shërbime me kujdes më afatgjatë, sepse deri tani në këtë repart janë ofruar vetëm shërbime ambulantore. Po ashtu kemi shtuar shërbimin për logopedi. Në të kaluarën është bërë vetëm diagnostikimi i autizmit ndërsa tani janë krijuar kushtet edhe për trajtim” – ka thënë Vitia.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se me këto dy objekte u shënuan 90 ndërtesa publike të renovuara dhe dha detaje për aspektin e energjisë në to.

“Kur investojmë e rinovojmë ndërtesat publike gjithmonë kemi dy synime. T’i bëjmë ndërtesat tona publike sa më efiçiente, në mënyrë që të kursejmë energjinë sa më shumë që është e mundur, dhe të rrisim komforin për të gjithë stafin e qytetarët, të cilët shfrytëzojnë hapësirat e këtyre ndërtesave. Kjo e dyta është veçanërisht e rëndësishme për ne kur investojmë në objekte spitalore, e edhe më e rëndësishme në raste të tilla si ky sot, kur kemi të bëjmë me objekte të dedikuara për trajtimin e fëmijëve, e të kategorive më të cenueshme” – theksoi Rizvanolli.

Po ashtu, Rizvanolli deklaroi se tash në të dy ndërtesat do të kursehet energjia për 50 për qind, që do të thotë kursim prej 8 mijë e 627 euro në vit në faturat e energjisë.

Ndër të tjera, ministri Vitia ka thënë se ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e shëndetit mendor, me theks të veçantë për fëmijët mbetet nevojë e menjëherëshme. E për këtë tha se kanë ndarë 50 mijë euro për të mbështetur organizatat joqeveritare që merren me shëndetin mendor gjatë vitit 2024.