Ministri Vitia kritikon qeveritë e kaluara lidhur me Fondin për Sigurime Shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është deklaruar sot në Kuvendin e Kosovës lidhur me funksionalizimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore.

Ai ka thënë se ky Fond s’ka pas asnjëherë kapacitet për të bërë sigurimet shëndetësore.

Vitia kritikoi edhe veprimet e qeverive të kaluara lidhur me funksionalizimin e tij.

“Ky Fond nuk ka pasur asnjëherë kapacitet për të bërë sigurimet shëndetësore. Aty vetëm është grumbulluar një borxh, rreth 30 milionë euro, rast i cili është në prokurori dhe jemi në pritje të shohim procesin gjyqësor” – tha ministria Vitia.

Sipas tij, qeveritë e kaluara kanë proceduar tutje pa bërë përgatitje dhe pa bazë ligjore.

“Qeveritë e kaluara janë përpjekur t’ia nisin edhe me mbledhjen e premiumeve pa asnjë përgatitje dhe pa bazë ligjore. Mbi të gjitha paramendojeni duke ia marrë paret qytetarëve nga paga e tyre edhe duke mos siguruar asnjë shërbim të ri, apo cilësi, rritje cilësie të këtyre shërbimeve. Ne kemi qenë kundër atëherë, për besë jemi kundër edhe tash” – ka thënë ai.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje në fushatë ka thënë se Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk mund të funksionalizohet pa katër deri në pesë vite punë intensive.

“Subjektet tjera politike mbajë mend dhe ish-ministrat e tyre në fushatë duke anashkaluar faktin se edhe ata kanë qenë në pushtet dhe kanë qenë kontribuues të kësaj gjendje premtonin se Fondin do ta funksionalizonin për 18-24 muaj, bile bëhej garë se cili 18 e cili 24. Madje ju keni qenë edhe më të informuar sesa ne për gjendjen që ka qenë dhe e keni sjell Fondin, e se më pak mund të bazoheshim në të për sigurimet shëndetësore”- ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë të jashtëzakonshme lidhur me gjendjen në shëndetësi.

Kërkesa për këtë seancë është paraqitur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.