(Ilustrim) Bislimi- Petkoviq- Lajçak FOTO: Twitter

Çështja e dinarit, BE-ja i thërret kryenegociatorët të mërkurën në Bruksel

Bashkimi Europian ka ftuar kryenegociatorin e Kosovës dhe atë të Serbisë për t’u takuar më 15.05.2024 në Bruksel lidhur me çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e përcakton euron si valutë të vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme, duke filluar nga 01.02.2024.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka bërë të ditur se palët do të takohen për t’i vazhduar bisedimet në gjetjen e zgjidhjes në lidhje me vendimin e BQK-së.

“Përfaqësuesi special për dialogun ka ftuar kryenegociatorët nga të dyja palët që të vazhdojnë diskutimet. Do të takohen të mërkurën në Bruksel dhe do të vazhdojmë diskutimet për të gjetur zgjidhje të përkohshme të qëndrueshme, për njerëzit e prekur nga vendimi i BQK-së. BE-ja pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet e gatishmëri për të arritur kompromis”- ka thënë Stano.

Ndërsa tutje ai ka shtuar se kjo çështje po e zhvendos vëmendjen nga përparimi në zbatim të Marrëveshjes së Ohrit.

“Në secilin takim shpresojmë të jetë i fundit që merremi me këtë çështje. Po zhvendoset vëmendja nga ajo që është e nevojshme- zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe Ankesi i implementimit. Shpresojmë që palët do të sillen në mënyrë evropiane dhe të arrijnë marrëveshje kompromisi”- tha ai.

Në takimin e fundit të mbajtur më 25.04.2024, mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nuk është gjetur ndonjë zgjidhje.

Kryenegociatori i Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se pala serbe ka kërkuar që të lejohet financimi i çfarëdo strukture paralele të Serbisë në Kosovë “deri në themelimin e Asociacionit (të komunave me shumicë serbe).

Sipas Bislimit, pala serbe nuk ka treguar se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë.

“Ideja e tyre që ka qenë që këto duhet të financohen derisa të themelohet Asociacioni se pastaj ato kalojnë në kompetenca të Asociacionit. Natyrisht që propozimi i tij nuk ka hasur as në mirëkuptimin e z. Lajçak e as tonin” – ka thënë kryenegociatori i Kosovës, bazuar në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Kryenegociatori i Kosovës ka shtuar se propozimi i Lajçakut është një përafrim apo një tendencë për përafrimin e qëndrimeve dhe se shkon në drejtimin e duhur.

Por, Bislimi ka deklaruar se kjo kërkon kohë nga të dy palët që t’i analizojnë elementet brenda tij, qoftë implikimet ligjore apo të ngjashme.

Më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Për çështjen e dinarit serb, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar edhe takime në të kaluarën, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

Me rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave.