Një pjesë e hapësirës së Spitalit të Gjilanit jepet në shfrytëzim për ndërtimin e dy objekteve
Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Komunës së Gjilanit për shfrytëzim të hapësirës së Spitalit të Gjilanit për të ndërtuar shkollën e mesme të mjekësisë dhe objektin për qëndrim ditor për të moshuarit.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se miratimi i kësaj kërkese është i rëndësishëm meqenëse kjo shkollë zhvillon mësimin në objektin e një shkolle tjetër, e për pasojë të dyja punojnë pa pjesën laboratorike e praktike.
“Meqenëse kjo hapësirë në shumë drejtime do të shërbejë edhe për shëndetin dhe mirëqenien e pensionistëve dhe për mjekët e ardhshëm, konsiderojmë se do të jetë në dobi të qytetarëve. Gjilani është një nga qytetet që ka një numër të konsiderueshme të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë” – tha Vitia.
Kjo kërkesë e kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, ishte aprovuar më 26.01.2026 fillimisht nga Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, i cili ka nën mbikëqyrje Spitalin e Gjilanit, e më pas edhe nga Ministria e Shëndetësisë.
Në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, Vitia foli edhe për investimet në shëndetësi, duke premtuar se së shpejti do të ofrohen shërbime të reja në sektorin publik shëndetësor, konkretisht në klinikat e Gjinekologjisë, Neurokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare.
Këto investime, Vitia tha se po bëhen me intensitet të shtuar për të lehtësuar kushtet e punës dhe marrjen e shërbimeve nga pacientët.
“Në Gjinekologji shpejt pritet të aktivizohen tri shërbime të reja: frytnimi i asistuar mjekësor, amniocenteza dhe mjekësia fetale, për të cilat gratë janë detyruar t’i marrin në institucione private ose jashtë vendit” – tha Vitia.
Ai përmendi transportin neonatal për foshnjat e sapolindura që ka filluar nga dje pas furnizimit me autoambulancë neonatale.
Në muajin maj, Vitia tha se pas një analize disamujore, do të hapet një konkurs për pranimin e 330 profesionistëve shëndetësorë, prej të cilëve 200 do të jenë infermierë dhe 80 specialistë. Sipas tij, shumica e specialistëve të papunë do të punësohen përmes këtij konkursi.