Viza e Fundit

E mërkurë– Mëngjes i ftohtë dhe me shi. Rendi para ambasadës së një shteti të huaj në Kosovë, tashmë ishte formuar. Im bir mërzitet duke pritur në rend. “Mami më shpejt, më shpejt”. Nuk mundemi më shpejt, i them… “Por nuk më rrihet këtu, pse s’hyjmë më shpejt… pse janë gjithë këto rrethoja hekurash në këtë vend? Pse janë gjithë këta njerëz? A mos ka këtu ndonjë thesar, dhe për këtë e kanë rrethuar vendin e s’na lënë të hyjmë!” Shumë përse dhe shumë përgjigje që një pesëvjeçar vështirë t’i kuptojë. “Mami u lodha duke pritur kështu, kam ftohtë.” Mbanim numrin 19-të. 18 persona apo grupe familjarësh para nesh.

Roja, dikur, duke e parë mosdurimin e djalit, thirri: Ju me fëmijë, ejani hyni!

E enjte– Të nesërmen m’u desh sërish të zgjohem herët e të ikë të zë rendin në ambasadë, sepse procedurat kësisoj e kërkonin. Dhe im bir sërish refuzonte të priste: “Mami pse kemi ardhur prapë këtu, nuk më pëlqen ky vend!” Kjo është hera e fundit që pret kësisoj, i them, për ty dhe për mua.

Ironia mund të përkufizohet si e madhe dhe e vogël njëkohësisht. Sa kohë pritjeje, sa nerva të prishura dhe sa shumë letra të mbledhura ndër vite për një leje qarkullim! Edhe sa shumë evente te humbura për shkak se disa nga vendet e huaja ftuese nuk e dinin se nuk e dinin se kosovarët nuk mund të lëviznin lirshëm. Ironia mund të jetë edhe më e dhimbshme kur njëjtë me radhët para ambasadës, radhë të tjera thuhej se ishin krijuar para Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës me kosovarët që tashmë të dalë nga izolimi, po ia mësynin aplikimit për pasaportat e reja ato biometrike.

Rradhë dhe shi, deri te numri ynë. Sall për qejf, e pyes vajzën që i pranonte dokumentet: Si thua do më lëshojnë Vizë një vjeçare kësaj here? Dhe ajo me gjithë pushtetin, ma kthen: Nuk e di, nuk varet nga unë…

Sidoqoftë është hera e fundit që para njerëzve të panjohshëm duhet të përbish e të përtypësh fytyrën e nderin e një qytetari të zakonshëm e t’u tregosh se në ç‘dreq vendi ke lindur, në ç‘dreq vendi banon, me kë banon, me kë je e martuar, sa fëmijë i ke e nuk i ke, sa para i ke në bankë dhe sa vlen kontrata yte e punës. A rron si qen apo si njeri! Hera e fundit që para njerëzve anonim duhet të dëshomsh se sa para ke mbledhur në fondin tënd pensional, si i harxhon e ku i harxhon, sa herë ke mundur të ikësh jashtë shtetit tënd e të “marrësh frymë”; ku do të shkosh, ku do të rrish, sa do të rrish, në cilën ditë nisesh, në cilën ditë kthehesh, kush do të paguajë, sa do të paguajë, me çfarë do të udhëtosh… Edhe pse pas gjithë këtij konfesioni mbeteshe sërish një qytetar i dyshimtë i një shteti të dyshimtë.

Një qytetar i shtetit të poshtër për të cilin liria më e vlefshme nuk është thjesht të jeshë ai që je.

Por kjo, me gjasë, është hera e fundit!

Jashtë dyerve të ambasadës, flamujt kaltër e verdhë kishin mbërthyer Prishtinën. Flamuj me yje në të dyja anët! Ma e bukur se kurrë qetësia e kosovarëve. Pas kaq vitesh izolimi edhe qetësia ka rënë në vend të vet, edhe gëzimi mund të mos jetë gëzim pas durimit kaq të gjatë.

Pjesa më e madhe e jetës sime ka kalur në izolim. Pjesa më e madhe e jetës sime ka kaluar duke dëgjuar se si thonin se liria është më e vlefshmja, por cila ishte liria e njeriut të mbërthyer pas hekurave? Cila ishte liria e kosovarit që për 17 vjet, dhe sa vjet para tyre, është dashur të presë si qen para dyerve të ambasadave vetëm për të marrë një ‘leje’ lëvizjeje…. sa shumë durim e sa shumë ulurimë për kaq kohë! Sa herë kemi uluritur o mërmëritur: Shtet i poshtër, ah shtet i poshtër!

Aq sa ishte e madhe dëshira jonë për ta parë botën përtej, po aq e madhe dukej frika e të huajve nga kosovarët, e cila i ka ngjarë një sëmundjeje mizore me të cilën qytetërimi evropian qe vaksinuar për një kohë të gjatë.

Shkodranët e kanë një thënie që thotë: “Ma mirë i shetitun se i ditun!” dhe me izolimin tonë të gjatë, neve na është mohuar e drejta e elementare për lëvizje të lirë. Na është mohuar e drejta për të parë, duke na lënë për kaq kohë vetëm të drejten e kureshtjes… çfarë ka dhe çfarë nuk ka përtej!

Tash e tutje, duket se edhe ne, edhe pse duke qenë në Evropë, megjithatë do të lëvizim të lirë. Po çfarë t’i bësh se njeriu lind njëherë e në një vend… dhe një copë jete e disa gjeneratave ka shkuar dëm, dhe me gjithë kujtimet e këqija gjer tash, gjenerata të tjera s’do të detyrohen të presin në ankth dhe kureshtja e tyre s’do mbetet vetëm kureshtje. Gëzuar!shengen