Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti numëron ngjarjet e javës së parë të janarit: Janë rezultate të një pune të gjatë

Kryeministri Albin Kurti ka përmendur disa zhvillime që kanë ndodhur në javën e parë të janarit, të cilat, sipas tij, shënojnë fillime të reja për qytetarët dhe shtetin e Kosovës.

Kurti përmendi faktin se për herë të parë qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në zonën Schengen pa viza.

Po ashtu, ai përmendi edhe fundin e targave ilegale të Serbisë në Kosovë, duke theksuar se atyre u erdhi fundi 24 vjet pas çlirimit.

Në këtë drejtim, ai përmendi edhe faktin tjetër – njohjen nga Serbia të targave RKS, zhvillim që ka ndodhur për herë të parë 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë.

“Filloi regjistrimi i energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit, pas më shumë se dy dekadave. Ndërkaq në prag të 16-vjetorit të Pavarësisë, Spanja iu bashkua shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës” – vazhdoi tutje i pari i Qeverisë.

Kurti tha se fillimet që po shënohen dhe festohen tani janë rezultate të një pune të gjatë e vendosmërie të madhe të institucioneve të vendit, duke shtuar se kjo vazhdon edhe më tej.

“Falënderoj të gjithë kabinetet politike dhe punonjësit e shtetit dhe qeverisë për kontributin e tyre, dhe partnerët tanë ndërkombëtar për rolin që kanë luajtur” – tha shefi i ekzekutivit.

.