Ilustrimi:KALLXO.com

"Hiking"-u diplomatik i Rohdes

Rrugëtimi i tij, i gjatë dhe plot ngjarje, nuk kaloi pa polemika. Me qëndrime të forta, ai ndezi debate, duke krijuar dy imazhe krejtësisht të ndryshme: në njërën anë, atë të një diplomati të përkushtuar, e në anën tjetrën, të një figure të diskutueshme.

Diplomati gjerman, Jorn Rohde, që në Kosovë arriti në verën e vitit 2020, dhe pritet të largohet në vjeshtën e vitit 2025, brenda këtyre pesë viteve u shqua si një ndër ambasadorët më aktivë në debatin publik, duke mos hezituar të shprehej për pothuajse çdo çështje që preku vendin pritës.

Për gati katër vjet, reagimet e tij në Twitter- që më pas u bë “X”- i pati të shpeshta, deri tetë muaj më parë kur vendosi të heq dorë e të kalojë në rrjetin social “Bluesky.” Anash nuk i la as paraqitjet e shpeshta televizive për tema të ndryshme që përfshinë vendin.

Rohde mbahet mend më së shumti për kritikat ndaj restaurimit të Shtëpisë së Xhafer Devës dhe për qëndrimin e tij në debatin rreth dhënies së 24 hektarëve tokë për Manastirin e Deçanit – si një ndër kushtet për përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Ndryshe nga periudha e mëparshme e mandatit të tij, e cila ishte më e fokusuar në komente politike, në fund të qëndrimit Rohde nisi të përdorte rrjetet sociale për të promovuar bukuritë natyrore dhe gastronominë e Kosovës.

Veçanërisht të dallueshme ishin aktivitetet e organizuara në formë hiking-u në malet e vendit, videot ku shijonte fli-n dhe replikat në faqen e Ambasadës Gjermane ndaj komenteve që thoshin se “Kosova është Serbi”, duke u kujdesur që të theksohej se Kosova është një shtet i pavarur.

“Kryengritja” e Rohdes

Tri vite më parë, një qëndrim i ambasadorit gjerman Jorn Rohde mori vëmendje të madhe në Kosovë dhe nxiti përplasje të ashpra publike që zgjatën disa ditë.

Në të nxehtin e korrikut 2022, kur shpërtheu debati për restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës, ambasadori gjerman ishte një ndër të parët që u rreshtua ndryshe prej autoriteteve në Kosovë. Ai ishte kundër restaurimit të kësaj shtëpie, që tashmë tri vite pas, veçse është rinovuar.

“Shumë i shqetësuar rreth planeve për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor i njohur nazist dhe protagonist i Divizionit famëkeq SS Skënderbeu”- pati kritikuar Rohde planin për restaurimin e shtëpisë më të përfolur në pesë vitet e fundit.

Qëndrimin e tij, Rohde ishte munduar ta shpjegojë në një intervistë për “KallxoPërnime”, ku thoshte se nuk ka asgjë kundër renovimit të shtëpisë nëse ajo ka vlerë arkitekturore, mirëpo insistonte se: “Ju duhet ta vendosni historinë në kontekst.”

“Ju e dini që gjermanët kanë bërë gjëra të tmerrshme në të kaluarën edhe në Ballkan, masakra dhe ballafaqimi me të kaluarën është një çështje shumë e vështirë. Duhet të shkohet përmes ripajtimit, duhet të pranohet diçka dhe Xhafer Deva është një figurë historike. Ai ishte, siç thashë në Twitter, ai ishte bashkëpunëtor me regjimin nazist. Ai ishte i punësuar nga forcat e armatosura gjermane që nga 1941”- pati thënë Rohde.

Me një qëndrim të tillë nuk ishte pajtuar Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku,  i cili kishte ripërsëritur se restaurimi ka për qëllim t’i shërbejë komunitetit dhe jo rehabilitimit të figurave historike.

“Pas restaurimit, monumenti është planifikuar t’i shërbejë komunitetit dhe, përveç akomodimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë, do të ketë hapësirë për galeri arti, funksion muzeal dhe ngjarje të tjera kulturore”- shkroi Çeku pa polemikave që ishin ngritur atëkohë.

Plani për restaurimin e shtëpisë së Devës pati nxitur një valë reagimesh të ndryshme në Kosovë e Shqipëri, që e cilësonin atë si një bashkëpunëtor të nazistëve dhe të tjerëve që shohin si një kampion të mbrojtjes së kauzës kombëtare dhe shpëtues i hebrenjve. 

Deva nga Mitrovica njihet si bashkëpunëtor i nazistëve gjermanë. Ai ishte organizator i themelimit të organizatës “Lidhjes shqiptare të Prizrenit” dhe konsiderohet si ideatori i themelimit të divizionit ushtarak SS “Skanderbeg”. Ai shërbeu si ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë gjatë viteve 1943-1944, kur vendi ishte nën kontrollin e regjimit nazist të Adolf Hitlerit.

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, UNDP-ja dhe MKRS-ja patën deklaruar përmes një deklarate të përbashkët për media se iniciativa për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës është në kuadër të atij që njihet si Instrument i Bashkimit Europian që kontribuon në stabilitet dhe paqe (IcSP).

Si rrjedhojë, sipas këtyre institucioneve, projekti ka për qëllim që të shërbejë në ruajtjen dhe rehabilitimin e trashëgimisë kulturore në Kosovë.

“Sherri” për tokë

Rohde ishte ndër figurat kryesore diplomatike në Kosovë që kërkoi me ngulm anëtarësimin e vendit në Këshillin e Europës, duke theksuar se kjo mund të ndodhë vetëm nëse Kosova respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese – veçanërisht atë për dhënien e 24 hektarëve tokë për Manastirin e Deçanit.

Kritika e tij ndaj institucioneve të Kosovë, mbërriu deri në pikën që u raportua se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës- tashmë në detyrë, Donika Gërvalla, kishte kërkuar largimin e tij nga Kosova. Mirëpo, një gjë e tillë ishte mohuar nga ai.

“Nuk shoh ndonjë të vërtetë në këtë sepse e kam parë demantimin publik nga ana e ministres. Kjo është e tëra që mund ta them lidhur me këtë”- kishte thënë Rohde në një intervistë për “KallxoPërnime”.

Rohde thoshte se Kosova mund të anëtarësohet në Këshillin e Europës, vetëm nëse zbaton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për dhënien e 24 hektarëve për Manastrin e Deçanit.

“Tani jemi futur në një rreth ku gjërat po përsëriten, ne po flasim për një shtet që dëshiron të bëhet anëtar dhe nëse doni të bëheni anëtar ju duhet të dëshmoni që nuk e minoni autoritetin e Gjykatës suaj dhe kjo gjë është e thjeshtë”- thoshte Rohde.

Sidoqoftë, në mars të vitit 2024, Qeveria e Kosovës për t’i hapur rrugë anëtarësimit në Këshillin e Europës (KiE) i dha dritën e gjelbër kadastrit të Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, për t’ia dhënë hektarët Manastirit të Deçanit.

Pas këtij vendimi, vendi mori dy drita të gjelbra, e në të tretën u “kurthua”. Ishte kërkesa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ajo që e la Kosovën jashtë agjendës për dy vite radhazi. 

Disa shtete anëtare kërkuan dorëzimin e Projekt-statutit për themelimin e Asociacionit – si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim. Kosova ka aplikuar në Këshill të Europës në vitin 2022.

Rohde, vazhdimisht ka kërkuar që Kosova duhet të bëjë hapa konkret për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me asryetimin se ky veprim është thelbësor për integrimin e serbëve në institucionet kosovare.

“Ajo çfarë na duhet është integrimi dhe kompromisi. Rruga për ta arritur këtë në tavolinë. Kosova duhet të bëj hapa konkret në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ky është veprimi thelbësor për integrim të serbëve në Kosovë. Dhe kjo kallxon për Kosovën që marrëveshja është e gjallë”- theksonte Rohde.

Në mars të vitit 2024, u shënuan dy vjet që kur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Alsesandër Vuçiq, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore. Megjithatë kjo marrëveshje ende ka mbetur e pazbatuar.

Ambasadori promovues i bukurive natyrore të Kosovës

Edhe pse vazhdimisht për komunikime politike, Rohde përdori rrjetet sociale për t’iu drejtuar masës për qëndrimet e tij, në vitin e fundit të mandatit, nisi t’i rikthejë në platforma për të promovuar bukuritë e traditën e Kosovës. 

Ndryshe prej viteve paraprake, Rohde në vitin e fundit përpos reagimeve të shpeshta politike u përpjekë që të tregojë një anë tjetër të tij para se të shkojë.

Ai lansoi një ide “Hiking With the Ambassador”, ku ftonte qytetarët që t’i bashkoheshin për t’u ngjitur në malet e Kosovës. Përmes kësaj iniciative, të shpeshta ishin postimet për ngjitje si për shembull në Majën e Gjeravicës, në atë të Konjushës, të Rovicës e të tjera.

Rohde, i njohur për përdorimin e “X”, në fillim të vitit 2025, kishte vendosur të largohet përgjithmonë nga platforma me arsyetimin se kjo platformë është “degjeneruar”, duke u kthyer në një vend “të përmbytur nga gjuha e urrejtjes, dezinformimi dhe teoritë e konspiracionit”.

Ai kishte njoftuar se prej tani do të kalojë në rrjetin social “Bluesky”– llogari të cilën prej shkurtit 2025, shpërndau përditshmërinë e tij dhe qëndrimet e tij si ambasador.

Rohde në veprimtarinë e tij  prej diplomati ka një përvojë të gjatë në shtete të ndryshme.

Në bazë të biografisë së tij të publikuar në Ambasadën Gjermane, ai është lindur më 16 janar 1959, në Bernë të Zvicrës. Fillimisht Rohde përfundoi shkollimin në vitin 1979 dhe më pas shërbeu në ushtrinë gjermane. Ai ndoqi studime në histori, ekonomi dhe shkenca politike nga viti 1981 deri në vitin 1985, e më pas një vit në Kolegjin e Europës në Bruges. 

Ai iu bashkua Shërbimit të Jashtëm Gjerman në vitin 1991, me detyrat e tij të hershme që përfshinin poste në Xhakarta, Bruksel, Osaka-Kobe dhe Ottawa. Midis viteve 2001 dhe 2006, shërbeu si këshilltar për politikën e jashtme në Bundestagun Gjerman dhe mbajti pozicione brenda Ministrisë së Jashtme. 

Nga viti 2006 deri në vitin 2009, ai ishte Zëvendës Shef i Misionit në Ottawa. Më pas, drejtoi Konsullatën e Përgjithshme Gjermane në Bangalore të Indisë, nga viti 2013 deri në vitin 2016. 

Përpara emërimit të tij në Kosovë, Rohde ishte ambasadori i Gjermanisë në Sri Lanka nga viti 2016 deri në vitin 2020.