27 vjet procedura gjyqësore për 24 hektarë tokë në çështjen e Manastirit të Deçanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që të ekzekutohet vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese 8 vjet më parë në lidhje me 24 hektarë tokë që iu dhuruan Manastirit të Deçanit mbi dy dekada më parë.

Problematika e kësaj toke nisi në vitin 1946, kur Manastirit i Deçanit u shpronësua nga disa ngastra toke.

27 vjet më parë, Qeveria serbe me Sllobodan Millosheviqin në krye, lidhi një marrëveshje me Manastirin e Deçanit me të cilën këtij manastiri i fali 24 hektarë tokë.

Ky vendim i vitit 1997 ishte zanafilla e një problematike e cila ende sot nuk është shuar.

Toka në fjalë, atë kohë kishte qenë në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore “APIKO” dhe “Iliria”, njëra hotel e tjetra fabrikë e mjaltit.

Pasi përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, “APIKO” dhe “Iliria”, me datë 16.10.2000, u drejtuan në Gjykatën Komunale me kërkesën që kjo marrëveshje mes Serbisë me Manastirit të Deçanit të anulohet. Të paditur në këtë procedurë ishin Manastiri i Deçanit. Komuna e Deçanit dhe Republika e Serbisë.

Gjykata doli me vendim dy vjet më vonë, me datë 28.06.2002, me të cilin vendim marrëveshja u anulua duke konstatuar se prona e dhuruar nuk ka qenë asnjëherë pronë e Manastirit.

Në këtë aktgjykim, Gjykata kishte theksuar se për gati një vjet i ka ftuar të paditurit të marrin pjesë në seanca gjyqësore, por të njëjtit nuk janë paraqitur kurrë.

Vendimi i tillë u rrëzua nga Gjykata e Qarkut me datë 25.10.2005, pasi i pakënaqur kishte parashtruar ankesë Manastiri i Deçanit. Kështu, çështja u kthye në rigjykim në kompetencë të Gjykatës së Deçanit.

Mirëpo, ky gjykim nuk ndodhi pasi gjatë procesit, çështja kaloi në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Supreme. Kjo erdhi pas kërkesës së parashtruar nga Agjencia Kosovare për Mirëbesim.

Në këtë instancë gjyqësore u trajtua çështja e përfaqësimit të ndërmarrjeve shoqërore “APIKO” dhe “Iliria”. Dilema ishte në mes të Agjencisë Kosovare për Mirëbesim dhe Agjencisë Kosovare për Privatizim.

Më 10.03.2010, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme vendosi që këtë të drejtë e ka Zyra Ligjore e UNMIK – ut, me arsyetimin se edhe Agjencia Kosovare për Mirëbesim e edhe Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ishte themeluar nga UNMIK përmes Rezolutës 1244.

Ky vendim ishte marrë nga trupi gjykues ndërkombëtar i kryesuar nga Richard Winkelhofer dhe anëtarët Torsten Frank Koschikna, Eija Liisa Helin.

Pasi mori të drejtën e përfaqësimit, zyra ligjore e UNMIK-ut lidhi një ujdi gjyqësore me Manastirin e Deçanit. Përmes kësaj ujdie, zyra ligjore e UNMIK-ut ka deklaruar se Agjencia Kosovare për Mirëbesim nuk do të kundërshtonte të drejtat e pronësisë së Manastirit sa i përket 24 hektarëve, e kështu hoqi dorë nga paditë e dy shoqatave shoqërore.

Ligji i ri mbi dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës hyri në fuqi më 01.01.2012 sa i përket çështjeve të Agjencisë Kosovare për Privatizim, kështu ishin themeluar kolegjet e specializuara dhe lënda u gjykua nga kolegji për çështje pronësore. Këtu, padia e “APIKO” dhe “Iliria” u refuzuan kurse marrëveshja mes UNMIK-UT dhe Manastirit u vërtetua si e ligjshme dhe detyruese.

Përveç kësaj, u vendos se Zyra Ligjore e UNMIK-ut ka të drejtën e vetme për përfaqësim.

“APIKO” dhe “Iliria”, Komuna e Deçanit dhe Agjencia Kosovare për Privatizim kishin atakuar këto vendime dhe çështja kaloi në trajtim të Kolegjit të Apelit të Dhomave të Posaçme të Gjykatës Supreme.

Kolegji ka vendosur me datë 27.12.2012 në përbërje prej gjyqtarëve Sahit Sylejmani, Sabri Haliti, Shkelzen Syla, Gertraud Marx Leitenberger dhe Vladimir Kanev.

Ujdia mes UNMIK-ut dhe Manastirit u rrëzua nga Kolegji i ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme me arsyetimin se kompetente për shqyrtimin dhe trajtimin e çështjes është Gjykata e Deçanit, e jo Dhoma e Posaçme.

“Ne vendimin e vet, Kolegji i Apelit theksoi se ankesat e parashtruesit ishin te bazuara dhe se Dhoma e Posaçme nuk është kompetente për të gjykuar këtë çështje” – thuhet në vendimin e Kolegjit.

Mirëpo, as kësaj here çështja nuk u gjykua nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Deçan, pasi kësaj radhe lënda kaloi në Gjykatën Kushtetuese.

Lëndën në Kushtetuese e kishte çuar Manastiri i Deçanit përmes kryemurgut Dragutin (Sava) Janjiq. Gjykata Kushtetuese me vendimin e datës 20.05.2016 vendosi në favor të Manastirit të Deçanit.

Vendimi i Kushtetueses ishte marrë nga nëntë gjyqtarë – Robert Carolan, Almiro Rodrigues, Snezhana Botusharova, Arta Rama Hajrizi, Bekim Sejdiu, Selvete Gërxhaliu-Krasniqi dhe Gresa Caka Nimani, Ivan Cukaloviq dhe Altay Suroy. Gjyqtari Bekim Sejdiu ishte i vetmi që votoi kundër pranimit të trajtimit të rastit nga Gjykata Kushtetuese.

Me këtë vendim Kushtetuesja i konstatoi si të pavlefshme vendimet e Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme kurse vendimet e Kolegjit të Specializuar për Pronësi, që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit i ka konsideruar përfundimtare dhe të detyrueshme.

Kështu, 8 vjet nga marrja e këtij vendimi, Komuna e Deçanit nuk e ekzekutoi atë duke mos regjistruar 24 hektarët në kadastër.

mbledhjen e Qeverisë Kurti të mbajtur më 13.03.2024, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që vendimi i Kushtetueses të zbatohet.

“Sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese kurse ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës”- tha Kurti para kabinetit të tij.

Kosova ka aplikuar në Këshill të Europës më 12.05.2022. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla. Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës që t’i jepen pronat Manastirit të Deçanit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ramosaj ka thënë se Deçanit është goditur “përsëri padrejtësisht” por sipas tij, kësaj radhe nga një urdhër ekzekutiv i kryeministrit Albin Kurti.

“Deçani së pari është goditur padrejtësisht në vitin 2008, kur u krijua ‘Zona e Veçantë e Mbrojtur’, e cila bëri ndalimin e plotë dhe kufizimin e pajustifikueshëm në: ndërtimin e rrugës; ndërtimin e shtratit të Lumbardhit; në ndalimin e shfrytëzimit të ‘Pushimores së Fëmijëve’; e ndaloj plotësisht zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin në prona private brenda kësaj zone” – ka deklaruar Ramosaj më 13.03.2024.

Vendimin e Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, e ka quajtur vendim të rëndësishëm.

“Vendimi i sotëm për Manastirin, sa ishte i vështirë është edhe i rëndësishëm, dhe i falënderoj institucionet për këtë hap” – nisi fjalën e tij Escobar në konferencën e përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, më 13.03.2024.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për Manastirin e Deçanit. Hovenier tha se një hap i tillë demonstron përkushtimin e Kosovës për të ruajtur sundimin e ligjit.

“Siç tha sot në mëngjes Zëvendësndihmës sekretari Gabriel Escobar, vendimi i sotëm për Manastirin e Deçanit ishte një hap i domosdoshëm dhe falënderojmë liderët kosovarë për përpjekjet e tyre për ta çuar këtë përpara”- ka shkruar ai në platformën ‘X’.

Vendimin e Qeverisë së Kosovës e ka mirëpritur edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport. Davenport ka thënë se me zbatimin e këtij vendimi ruhet respektimi i sundimit të ligjit.

“E përshëndes vendimin e sotëm të Qeverisë që udhëzon Agjencinë Kadastrale të zbatojë verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 duke regjistruar 24 hektarë tokë në pronësi të Manastirit të Deçanit, siç kërkohet. Me zbatimin e këtij vendimi ruhet respektimi i sundimit të ligjit”- ka thënë ai.

Zanafilla e kontestit për 24 hektarët përreth Manastirit të Deçanit