Ambasadori gjerman i shqetësuar me planet për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës

Ambasadori gjerman në Prishtinës, Jörn Rohde ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me planet e Ministrisë së Kulturës për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.

Xhafer Deva nga Mitrovica, njihet si bashkëpunëtor i ngushtë nazistëve gjerman gjatë Luftës së  Dytë botërore.

Në fillim të këtij muaji, Ministria e Kulturës njoftoi për fillimin e restaurimeve të shtëpisë së Xhafer Devës. Shtëpia e Xhafer Devës është monument në mbrojtje të përkohshme.

Për planet e MKRS për restaurimin e këtij monumenti ka reaguar përmes një postimin në Twitter ambasadori gjerman Rohde.

Ambasadori Jörn Rohde, thotë se është i shqetësuar me planet për restaurimin e shtëpisë së Devës, siç ka potencuar ai, bashkëpunëtorit të nazistëve gjermanë.

Ai kërkon nga autoritete të zbardhin të vërtetën dhe të mos harrohen krimet që janë kryer nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre.

“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skanderbeg Div. Asnjë zbardhje e historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas #MbroFaktet”, ka shkruar në Twitter, ambasadori Rohde.

Xhafer Deva nga Mitrovica, njihet si bashkëpunëtor i nazistëve gjermanë. Ai ishte organizator i themelimit të organizatës, “Lidhjes shqiptare të Prizrenit” dhe konsiderohet si ideatori i themelimit të divizionit ushtarak SS “Skanderbeg”.

Zyrtarë të MKRS nuk janë përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me shqetësimet e  ambasadorit Rohde, deri në publikimin e artikullit.

Ndërsa, historiani Haxhi Ademi ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se me ardhjen e (pushtimin  e territoreve shqiptare në ish Jugosllavi), italianëve dhe gjermanëve, shqiptarët fituan një lojë lirie, në krahasim me atë çfarë po përjetonin në Mbretërinë Jugosllave.

Ai ka thënë se edhe figura e Devës i ka dritëhijet e saj.

“Shqiptarë nuk e kishin idenë e konceptin të nazizmit, bashkëpunuan me gjermanët se ata u ofruan atë çfarë u mungonte, deri atëherë. Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe bashkëpunimi i Xhafer Devës me gjermanët”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Shtëpia e Xhafer Devës ndodhë në Listën e mbrojtjes së përkohshme të trashëgimisë kulturore 2020-2021 me numër unik 445.

Restaurimi i këtij monumenti ka nisur në 2018, pas një zjarri që kihet kapluar në 2015.  Por, u ndërprenë për të rinisur në fillim të këtij muaji. MKRS postoi në Facebook disa fotografi të ministrit Çeku i cili inspektoi shtëpinë e Devës në me rastin e fillimit të restaurimit.