I lartësuar dhe i demonizuar: Kush ishte Xhafer Deva, aleati nazist i Kosovës?

Muret janë plasaritur dhe pothuajse asgjë brenda nuk ka mbetur nga ajo që u bë e njohur për publikun si shtëpia e Xhafer Devës, në Mitrovicë, qytetin verior të Kosovës.

Por debati për dhe kundër tij është më i freskët se kurrë.

Kohët e fundit, 118 vjet pasi Deva lindi në këtë vend, shtëpia është bërë fokusi i polemikave nëse ish-pronari i saj, që bashkëpunoi me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte një hero apo një inkriminuar, dhe nëse ndërtesa duhet të restaurohet.

Shtëpia u rindërtua për herë të parë në vitin 1930, por në vitin 1946 u konfiskua nga regjimi komunist jugosllav dhe më pas shërbeu si depo dhe qendër shëndetësore deri në vitin 1999, kur aty u vendosën disa të pastrehë të zhvendosur në luftën e fundit.

Valdet Deva, një nga pasardhësit e Xhafer Devës asnjëherë më parë nuk e kishte ndjerë peshën e përbuzjes dhe lartësimit mbi familjen e tij deri në janar të këtij viti, kur Ministria e Kulturës e Kosovës, në kudër të një projekti të mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Programi i OKB-së për Zhvillim, vendosi ta rinovonte shtëpinë dhe shfrytëzimin e si qendër kulturore.

Deva, që shërbeu si ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë gjatë viteve 1943-1944, kur vendi ishte nën kontrollin e regjimit nazist të Adolf Hitlerit, u bë shpejt lajmi kryesor në Ballkan.

Plani për restaurimin e shtëpisë së Devës nxiti një valë reagimesh të ndryshme në Kosovë e Shqipëri, që e cilësonin atë si një bashkëpunëtor të nazistëve dhe të tjerëve që shohin si një kampion të mbrojtjes së kauzës kombëtare dhe shpëtues i hebrenjve.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde ishte ndër të parët që shfaqi kritikën e tij.

“Shumë i shqetësuar rreth planeve për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor i njohur nazist dhe protagonist i Divizionit famëkeq SS Skënderbeu”, shkroi Rohde në Twitter.

“Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët lokalë”, kërkoi Rohde.

Valdet Deva i thotë se reagimet pro dhe kundër Xhafer Devës janë të pritshme përderisa shoqëria shqiptare vazhdon të mbetet e ndarë në disa çështje të historisë.

Disa shqiptarë si ai, sidomos nga e djathta politike, mohojnë se Xhafer Deva ka persekutuar hebrenjtë. Ata këmbëngulin se ai bashkëpunoi me regjimin nazist gjerman vetëm për të ndihmuar në mposhtjen e partizanëve komunistë dhe për të siguruar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, dhe jo të jetë pjesë e shtetit jugosllav të dominuar nga serbët.

“Akuzat ndaj Xhafer Devës për gjoja bashkëpunim në deportimin e hebrenjve nuk mund t’i verifikojë askush,” këmbëngul Valdet Deva.

Në Kosovë, historiani Jusuf Buxhovi e përshkruan si tejet komplekse figurën e Devës.

“Deva besonte se gjermanët do ta rikthejnë në normalitet çështjen shqiptare (përkrahin bashkimin e Kosovës dhe zonave të tjera me Shqipërinë) dhe ai ishte bashkëpunëtor i gjermanëve për interesa të kombit shqiptar”, thotë Buxhovi për BIRN.

“ Prandaj ai (Deva) nuk duhet anatemuar. Ka fakte historike që Deva jo që nuk ka lejuar ndjekjen e hebrenjve, por i ka mbrojtur ata”, shton ai.

Por Paskal Milo, historian në Tiranë dhe një figurë e njohur e së majtës politike në Shqipëri, thotë se Deva është një nga figurat më të komprometuara pro-naziste shqiptare. “Si ministër i Brendshëm ai ishte përgjegjësi kryesor i të gjitha forcave të xhandarmërisë shqiptare që bashkëpunonin hapur me forcat pushtuese gjermane nga nëntori 1943 deri në qershor 1944 kundër partizanëve shqiptarë dhe antifashistëve”, thotë Milo për BIRN.

Ai thotë se Arkivi Qendror Shtetëror i Shqipërisë ka me qindra dokumente që provojnë “aktivitetin kriminal të Xhafer Devës kundër antifashistëve dhe civilëve në Tiranë”.

“Ai është organizatori dhe zbatuesi direkt i masakrës së 4 shkurtit 1944 në Tiranë kundër antifashistëve e qytetarëve të pafajshëm të Tiranë. Dokumentet tregojnë se Regjimenti i sjellë nga Kosova nga Xhafer Deva u bë tmerri i shqiptarëve,” thotë ai.

“Dokumentet naziste tregojnë se ai ishte bashkëpunëtori i nazistëve jo vetëm i gjeneralëve në Shqipëri, por edhe i të dërguarit të posaçëm të Hitlerit në Evropën Juglindore , Herman Nojbaher,” shton Milo

Ndarjet rreth historisë së përbashkët

I lindur në Mitrovicë të Kosovës, kur vendi ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane, Xhafet Deva studioi në një kolegj amerikan në Stamboll dhe në Vjenë. Në vitet 1930, u kthye në Mitrovicë si sipërmarrës dhe në vitin 1943, pas kapitullimit të Italisë në luftë, u bë ministër i Brendshëm i Shqipërisë, në një qeveri besnike ndaj Gjermanisë naziste, të udhëhequr nga Rexhep Mitrovica.

Efraim Zuroff, drejtor i Qendrës Simon Wiesenthal për ndjekjen naziste në Jerusalem, ka shkruar së fundi se Deva ishte “simbol” i bashkëpunimit të regjimit shqiptar të kohës së luftës me nazistët dhe i krimeve të kryera kundër hebrenjve dhe serbëve, duke thënë se nuk është e udhës që kjo shtëpi të kthehej në qendër kulturore.

Por, Valdet Deva është skeptik. “Si familje i kemi kërkuar fakte qendrës “Simon Wiesenthal”, për pohimet e Zuroff, por deri më sot nuk na është ofruar asnjë fakt i vetë”, këmbëngul ai.

“Ne kemi dëshmi të të mbijetuarve të Holokaustit për ndihmën që ai ua dha dhe humanizmin ndaj hebrenjve”, shton Deva.

Stevan Radojkovic, një hulumtues i historisë në Beograd, thotë se kontradiktat mbi figurat si Deva tregojnë se sa të ndarë janë njerëzit në Ballkan për historinë e tyre të përbashkët. Ai thotë se materialet arkivore tregojnë se ai ndihmoi në persekutimin e hebrenjve nga nazistët gjatë kohës Holokaustit.

“Një dokument nga Komiteti Shtetëror Jugosllav për përcaktimin e krimeve të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre thotë se kur gjermanët hynë në Mitrovicë, në prill 194, Deva urdhëroi konfiskimin e aseteve të hebrenjve”, thotë Radojkovic për BIRN.

“Arkivat tregojnë gjithashtu se hebrenjve iu dhanë shirita të kuq me mbishkrimin “Juda”… ndërsa u urdhërua që dyqanet e hebrenjve të mbanin mbishkrimin “Judengeschäft” (“biznes hebre”), një shenjë se çdo gjerman ishte i lirë t’i plaçkiste”, shton ai.

Fushata antikomuniste

Noel Malcolm, profesor i historisë në Universitetin e Oksfordit në Britani, në librin e tij “Kosova: Një histori e shkurtër”, thotë se shpesh pretendohej se Deva kishte punuar për inteligjencën gjermane për një kohë para Luftës së Dytë Botërore.

Malcolm thotë se Deva ishte “shërbyesi më besnik ” i regjimit gjerman dhe se qeveria e Tiranës ku ai shërbeu ishte “përzgjedhur dhe kontrolluar me kujdes nga autoritetet gjermane”, të cilët po “përdornin retorikën e nacionalizmit shqiptar” për të fituar simpatinë e popullsisë vendase.

Kur Deva mbërriti në Tiranë, “ai filloi të rekrutonte një forcë sigurie shqiptare për të luftuar kundër komunistëve dhe kryengritësve të tjerë”, thotë Malcolm.

Njësia e Devës kishte rreth 1600 njerëz dhe megjithëse pati pretendime se kreu krime lufte kundër e partizanë komunistë, është ende e paqartë nëse ndonjë prej tyre është ndjekur penalisht ndonjëherë.

Romeo Gurakuqi, një profesor i Historisë në Universitetin e Tiranës, thotë se roli i Devës ishte kyç në luftën ndaj partizanëve. “Për shkak të divizionit të Devës dhe mbështetjes gjermane lëvizja partizane në Kosovë asnjëherë nuk arriti përmasa të konsiderueshme”, thotë Gurakuqi për BIRN.

Në shtator të vitit 1944, derisa kontrolli i Gjermanisë mbi Ballkanin po dobësohej, Deva më u bë një nga udhëheqësit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, një lëvizje e nacionalistëve shqiptarë të Kosovës që donin të ndalonin komunistët jugosllavë që të merrnin kontrollin mbi Kosovën dhe të bashkonin të gjitha territoret ku shqiptarët përbënin shumicën.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore me humbjen e nazistëve, Deva u largua në Austri, pastaj në Siri dhe më në fund emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku drejtoi Lidhjen e Tretë antikomuniste të Prizrenit derisa vdiq në vitin 1978 në SHBA. Më vonë u pretendua se u mbështet nga CIA në përpjekjet e tij antikomuniste.

Historiani Milo thotë se historiografia shqiptare vazhdon të vuajë nga ideologjitë politike kur bëhet fjalë për interpretimet e figurave historike, veçanërisht atyre të periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe pasojave të saj.

Ai argumenton se “nacionalizmi primitiv dhe patriotizmi folklorik” nuk duhet të lejohen të pengojnë vlerësimin shkencor të fakteve historike.

Pas dualizmave rreth rolit të Devës në historinë shqiptare, që u rishfaqën gjatë debatit për punën e rinovimit të shtëpisë së tij të mëparshme në Mitrovicë, dhe kritikave nga Qendra Simon Wiesenthal dhe ambasadori gjerman në Prishtinë, BE dhe UNDP pezulluan mbështetjen për projektin.

Ministria e Kulturës e Kosovës ka thënë se e konsideron shtëpinë si një vend të trashëgimisë kulturore që meriton të ruhet për shkak të rëndësisë së saj arkitektonike, si ndërtesa e parë në stilin modern perëndimor-evropian në Mitrovicë, duke shtuar se renovimi nuk e nderon Devën si një figurë historike. Por ministria nuk ka dhënë ndonjë përgjigje se çfarë do të ndodhë me projektin.