Rohde: Nuk kam asgjë rreth renovimit të shtëpisë së Xhafer Devës nëse ka vlerë arkitekturore

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar në emisionin “Kallxo Përnime” se nuk e ka problem që Kosova ta ruajë shtëpinë e Xhafer Devës.

Por, sipas tij, nëse nuk vendoset si figurë kontraverse historike, atëherë nuk është mënyra e duhur për të shkuar përpara.

“Unë e kam thënë, nuk kam asgjë rreth renovimit të shtëpisë nëse ka vlerë arkitekturore, dhe nuk kam asgjë kundër renovimit të shtëpisë së Xhafer Devës, i cili është një figurë historike. Unë as nuk e kam njohur personin në fjalë, kam lexuar pak për të. Ju duhet ta vendosni historinë në kontekst. Ju e dini që gjermanët kanë bërë gjëra të tmerrshme në të kaluarën edhe në Ballkan, masakra dhe ballafaqimi me të kaluarën është një çështje shumë e vështirë. Duhet të shkohet përmes ripajtimit, duhet të pranohet diçka dhe Xhafer Deva është një figurë historike. Ai ishte, siç thashë në Twitter, ai ishte bashkëpunëtor me regjimin nazist. Ai ishte i punësuar nga forcat e armatosura gjermane që nga 1941”, u shpreh Rohde.

“Nëse paralajmëroni diçka dhe nuk e vendosni menjëherë një figurë kontraverse historike në kontekst, atëherë kjo nuk është mënyra e duhur për të shkuar përpara. Më fal, por do të shkruaja prapë për të. Nëse thoni në Gjermani se shtëpia e Hermann Goering do të renovohet, do të ishte një lajm i madh, nga këtu do të kishim një konotacion pozitiv, ky ishte lajmi origjinal ‘Lajm i madh – Më në fund po renovohet shtëpia e Xhafer Devës’. Nëse shkruani se do të ketë një ekspozitë për figurën, po kjo nuk ishte vendosur në kontekst, dhe unë e kritikova këtë pikë. Ata duhet ta renovojnë atë”, tha ambasadori gjerman.

Xhafer Deva nga Mitrovica njihet si bashkëpunëtor i nazistëve gjermanë. Ai ishte organizator i themelimit të organizatës “Lidhjes shqiptare të Prizrenit” dhe konsiderohet si ideatori i themelimit të divizionit ushtarak SS “Skanderbeg”.

Deva shërbeu si ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë gjatë viteve 1943-1944, kur vendi ishte nën kontrollin e regjimit nazist të Adolf Hitlerit.

Plani për restaurimin e shtëpisë së Devës nxiti një valë reagimesh të ndryshme në Kosovë e Shqipëri, që e cilësonin atë si një bashkëpunëtor të nazistëve dhe të tjerëve që shohin si një kampion të mbrojtjes së kauzës kombëtare dhe shpëtues i hebrenjve.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ishte ndër të parët që shfaqi kritikën e tij.

“Shumë i shqetësuar rreth planeve për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor i njohur nazist dhe protagonist i Divizionit famëkeq SS Skënderbeu”, shkroi Rohde në Twitter.

Shtëpia e Xhafer Devës ndodhet në Listën e mbrojtjes së përkohshme të trashëgimisë kulturore 2020-2021 me numër unik 445.

Restaurimi i këtij monumenti ka nisur më 2018, pas një zjarri që e kishte kapluar më 2015.  Por, restaurimi u ndërpre për të rinisur në fillim të këtij muaji. MKRS postoi në Facebook disa fotografi të ministrit Çeku i cili inspektoi shtëpinë e Devës me rastin e fillimit të restaurimit.