Çeku i reagon ambasadorit gjerman për shtëpinë e Xhafer Devës: Nuk po bëjmë rehabilitim të figurave

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka komentuar reagimin e ambasadorit gjerman në Kosovë për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në qytetin e Mitrovicës.

Përmes një postimi në Facebook, një ditë pas reagimit të ambasadorit gjerman, Çeku ka shkruar se monumenti është pronë publike dhe se ka vlera të mëdha estetike dhe për nga tipologjia e ndërtimit.

Dje ambasadori gjerman në Prishtinës, Joern Rohde, përmes një postimi në Twitter ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me planet e Ministrisë së Kulturës për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë. Këtë të fundit ambasadori e quajti bashkëpunëtor të nazistëve.

Çeku ka shkruar se Shtëpia e Xhafer Devës, paraqet ndër shembujt e parë në Kosovë të kalimit në arkitekturën moderne evropiane.

Sipas ministrit Çeku, shtëpia e Devës është pjesë e kujtesës kolektive të banorëve të Mitrovicës dhe së fundmi edhe simbol i rezistencës qytetare karshi betonizimit. Ndërsa ka shtuar se emri që mban monumenti është shënjuesi më i parëndësishëm krahasuar me funksionet publike dhe vlerat që përfaqëson kjo ndërtesë për qytetin dhe qytetarët.

Çeku ka kundërshtuar, pohimet e ambasadorit gjerman për falsifikim të historisë.

“Ne nuk bëjmë revizionizëm historik dhe rehabilitim të figurave. Në fakt, burimi i gjithë kësaj zhurme të panevojshme është fqinji ynë verior që revizionizmin historik e ka politikë kombëtare dhe që reagon ndaj secilit zhvillim pozitiv në Kosovë. Detyra jonë është t’i mbrojmë monumentet tona. Sepse duke i mbrojtur, ato mund t’ua vëmë në shërbim shoqërisë. Monumentet tona janë hapësira që lehtësojnë dialogun për paqe mes komuniteteve, njëherësh duke ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik të lokaliteteve. Dialogu mund të mos jetë i lehtë, historia mund të mos i pëlqej njërës apo palës tjetrës, por ekzistenca e artefaktit është parakusht për dialogun”, ka shkruar Çeku.

Sipas tij, për vite me radhë shtëpia e Devës, ka qenë cak i grupeve të caktuara të interesit, përveç që i është vënë flaka, ndërtime të reja shumëkatëshe e kanë ngufatur nga të gjitha anët.

“Nisma e fundit për restaurimin e këtij monumenti i takon verës së vitit të kaluar (faza e dytë dhe e fundit, funksionalizim), dhe është pjesë e programit të përbashkët të Ministrisë së Kulturës me Bashkimin Evropian dhe UNDP-në, ku bëjnë pjesë edhe monumente të tjera (xhami, kisha, shtëpi, kulla, muze). Përzgjedhja e këtyre monumenteve është bërë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Lajmin për këtë e kemi publikuar fillimisht në muajin qershor të vitit të kaluar dhe më pas në disa raste të tjera, ndërsa kjo temë është trajtuar gjerësisht edhe nga mediet. Është e habitshme se si muaj më pas dhe krejt papritur kjo u shndërrua në “çështje shqetësuese”, ka shkruar Çeku.

Ai ka thënë se në atë galeri mund të ekspozohen fotografi e dëshmi mbi të kaluarën e Xhafer Devës apo ndonjë personaliteti tjetër historik apo mbi historitë e hebrenjve që u shpërngulën në Kosovë e Ballkan për t’i shpëtuar Holokaustit.

“Hapësira muzeale mund t’i dedikohet vrasjeve gjatë Luftës së dytë Botërore. Mirëpo e kaluara e personalitetit përkatës nuk mund të jetë faktor përcaktues nëse ai monument e meriton të restaurohet. Monumenti i restauruar le të shërbej edhe si hapësirë e ballafaqimit me të kaluarën, ku mund të dokumentohet dhe ekspozohet edhe ana e errët e historisë sonë”, është shprehur Çeku, ndër të tjerash në Facebook.

Ai ka thënë më tej se përpjekja për ta zhvendosur debatin në rrafshin e narracionit mbi personalitetin përkatës historik dëmton rëndë përpjekjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe legjitimon dhunën ndaj arkitekturës dhe artefaktit.