Takimi në Bruksel/ Foto: BE

Çështja e dinarit, Kosova mes interesit dhe pasojave nga (mos)pjesëmarrja në takimin e Brukselit

Kosova dhe Serbia pritet të kenë një përballje në Bruksel më 27.02.2024 për çështjen e dinarit serb. Ndonëse kryenegociatori, Besnik Bislimi e ka refuzuar ftesën e BE-së, në Kosovë ka mendime të ndara se kush duhet të marrë pjesë në këtë takim. Me futjen e dinarit si temë të bisedimeve në Bruksel, po konsiderohet se palët sikur po futen në një “Dialog 2.0”.

Ka mbetur veç edhe një ditë nga takimi i thirrur nga Bashkimi Evropian për të diskutuar për çështjen e dinarit. Ftesa për këtë takim është refuzuar nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili publikisht ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në një takim ku flitet për dinarin, ndonëse e ka lënë ta hapur mundësinë që dikush nga Kosova megjithatë do të jetë i pranishëm në Bruksel.

Bislimi, para mediave është shprehur se ftesa e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak përbën shkelje të parimeve, sepse sipas praktikave të mëhershme, sipas tij, “asnjë temë nuk mund të vendoset në agjendë të një takimi, pa pajtimin paraprak të të dyja palëve”.

Derisa mediat serbe kanë raportuar se Serbia do të përfaqësohet nga kryenegociatori, Petar Petkoviq, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të procesit të dialogut në Kosovë nuk ndajnë mendime të njëjta lidhur me atë se kush nga pala kosovare duhet të marrë pjesë në këtë takim.

Profesori në universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë, Dorajet Imeri argumenton se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me sistem unik financiar, sistem ky që krahas me Bankën Qendrore të Kosovës, janë paraparë edhe me Planin e Ahtisaarit. Dhe, nisur nga kjo, sipas tij është e udhës që të respektohen vendimet e institucioneve të pavarura, në këtë rast BQK-së.

“BQK-ja është institucion i pavarur dhe ka mundësinë që në nivel ekspertesh të komunikojnë me koleget e tyre serbë, për modalitetet e fillimit te zbatimit të këtij vendimi, e gjitha për të treguar angazhim se vendimi nuk është i drejtuar kundër asnjë komuniteti në Kosovë”- thotë  Imeri për Kallxo.com.

Ndërsa,Visar Xani, ish- anëtar i ekipit të dialogut teknik në kohën kur ky ekip drejtohej nga Edita Tahiri, vlerëson se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, me pozicionin që ka është i pazëvendësueshëm, kështuqë nuk mundet dikush tjetër përveç tij apo kryeministrit, Albin Kurti, të përfaqësoj Kosovën në dialog.

“Në ekipin e Bislimit mundet me marrë pjesë edhe Guvernatori dhe dikush nga pozicionet e tjera profesionale të rëndësishme në kuadër të sistemit shtetëror. Por, mandatin të cilin e ka Bislimi nuk mund të çoj një person tjetër. Çdo delegim i një personi tjetër është refuzim për të marr pjesë në këtë proces të dialogut dhe është vetëm tentim i kotë në njëfarë mënyre për të përfituar ose për t’u munduar për t’u mbrojtur nga kjo çështje”- ka deklaruar Xani për Kallxo.com

Lidhur me vendimin e Bislimit për të mos marrë pjesë në takimin e thirrur nga Lajçak, profesori Imeri, nga ana tjetër thotë Kosova duhet të rishikoj veprimet e brendshme, të flas me partnerët strategjikë dhe të koordinohet për veprimet vijuese.

“Negociatat me Serbinë kanë një listë temash, të cilat edhe mund të negociohen, por jo gjithçka, prandaj kjo nëse ndodh do t’i jap Serbisë mundësinë për të ngritur alibi për secilin vendim qe mund të marrë Kosova ne te ardhmen”- thekson Imeri.

Ai shpjegon se Serbia ka dashur që të paraqes këtë veprim si të drejtuar kundër serbëve të Kosovës, për të thelluar mosbesimin e tyre nga Kosova dhe të paraqes atë si armiqësor dhe konflikt-nxitës.

“Shembulli i njëjtë ka qenë edhe te rasti i targave, madje situata ishte tensionuar aq shumë sa kishte edhe atëherë mundësi tensionimi. Marrëveshja për targat zbatohet, por shumë vite pas arritjes së saj. Kjo nënkupton se Serbia dëshiron të nxis probleme, t’i negocioj ato dhe të jetë hisedar i secilit funksionim të shtetit të Kosovës, prandaj parimisht negocimi i këtyre çështjeve në rangje diplomatike e negociatore është e panevojshme dhe e dëmshme, por me sa duket edhe e pashmangshme”- shtjellon Imeri.

Sipas tij, rreth çështjes së dinarit janë dy gjëra që duhen pasur parasysh: e para askush nuk e ka paraqitur si të kundërligjshëm vendimin e BQK-së, dhe e dyta, ka konsekuenca politike të cilat duhet të diskutohen.

“Dialogu 2.0”

Për takimin e së martës, njohësi i integrimeve evropiane, Visar Xani konsideron se çdo debat i madh që është hapur për çështje të caktuara e ku përfshihet edhe BE-ja, në mënyrë të domosdoshme në një të ardhme jo shumë të largët, patjetër është shtruar në dialog.

Kjo, sipas tij, ka qenë praktikë edhe në të kaluarën.

Xani tregon se tashmë kjo ka ndodhur- pra çështja e dinarit është futur edhe në tryezën e bisedimeve në dialog.

“Edhe kjo pothuajse është një praktikë e ngjashme. Gabimet e Kosovës në njëfarë mënyre janë që ka bërë debate në një momentum kur nuk i konvenojnë tema të reja në procesin e dialogut, por që në raste të tilla duhet të ketë maturi me qëllim që problemet e ngjashme mos të shtohen edhe më shumë, për shkak se nëse vazhdojmë edhe më tutje të fusim tema të reja, qofshin ato në një farë mënyrë edhe teknike, atëherë nuk mund të presim edhe për një periudhë të gjatë të kemi asi vendimesh politike të temave të mëdha të cilat garantojnë normalizim marrëdhëniesh”, thotë ai në një bisedë me KALLXO.com.

Përkundrazi, sipas Xanit, po kthehemi në një dialog teknik 2.0 dhe në një praktikë të keqe për Kosovën ku për çdo pakënaqësi të serbëve të negociohet dhe diskutohet në Bruksel”- ka deklaruar Xani.

Ai thotë se Kosova do duhej të parashikonte një gjë të tillë dhe të mos merrte vendime të cilat mund të nxisin debate diplomatike apo kërkesa diplomatike. Xani beson se refuzimi për të marrë pjesë në takim, nuk është mençuri, pasi sipas tij,  më shumë do të shtohet presioni ndërkombëtar.

“Konsideroj që qysh në momentin e parë edhe pse jopozitive për Kosovën për të marrë pjesë dhe për të diskutuar për dinarin, por meqë është kërkesë dhe presion ndërkombëtar, është e pamundshme për ta tejkaluar, atëherë dëmi është më i madh nëse nuk marrim pjesë, se sa nëse marrim pjesë. Pra nuk duhet të jemi refuzues në momentin që na vijnë ftesa për dialog, por përkundrazi përmes lobimit, përpjekjeve politike është mirë me ndikuar në agjendë që të mos kemi tema të ngjashme”- thekson Xani për Kallxo.com

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano më 22.02.2024 ka deklaruar se Kosova dhe Serbia janë ftuar në Bruksel më 27.02.2024 për të diskutuar për dinarin, duke ua lënë në dorë që të vendosin se kush do t’i përfaqësojë.

Ai tha se ftesa e dërguar nga emisari Lajçak, nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën e kush Serbinë, por se kjo u ishte lënë palëve të vendosin.

“Zakonisht, ne nuk i komentojmë shkëmbimet me partnerët tanë. Megjithatë, ftesa përmes letrës nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë, kjo u ishte lënë palëve të vendosin”- ka sqaruar Stano.

Ndërkaq, Klisman Kadiu, këshilltar politik i kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se do të njoftojnë me kohë se kush do të jetë pjesëmarrës në takimin e thirrur nga BE-ja këtë javë.

Mirëpo ai ka përjashtuar mundësinë që Bislimi apo dikush tjetër nga ekipi negociator vendës, të marrë pjesë në një takim ku flitet për dinarin.

Refuzimi i Bislimit dhe mesazhet nga jashtë

Në një deklaratë për media, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi më 21.02.2024, e pranoi se ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim nga java e ardhshme për çështjen dinarit, por tha se personalisht nuk merr pjesë.

“Ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim nga java e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit nga Serbia për në Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori, për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike, kështu që do shohim se kush mund të shkojë të bisedojë për dinarin, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”- është shprehur Bislimi.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme.

Ditëve të fundit, Kosova po përballet me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në, shkaku i refuzimit të kërkesës për moszbatim të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk e lejon asnjë valutë tjetër pos Euros, që të përdoret si mjet pagese.

Njëri prej zyrtarëve më të lartë amerikan të shtetit tha prerazi se nëse nuk trajtohen si partnerë, atëherë as SHBA-ja nuk do ta trajtojë Qeverinë e Kosovës si të tillë.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”- tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, më 13.02.2024 në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Pavarësisht kësaj deklarate, kryeministri Albin Kurti vazhdon të jetë i bindur se partneriteti me SHBA-të nuk është vënë në rrezik.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke u rrezikuar pas hyrjes në fuqi të Rregullores së BQK-së, e cila e përcakton që e vetmja valutë që mund të përdoret si mjet pagese në Kosovë është Euro.

Në anën tjetër, Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.