Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria i hap rrugë shpërblimit të punës krijuese artistike nga transmetimet audiovizive

VAPIK, shoqata që merret me menaxhimin e të drejtave të autorit në fushën e krijimtarisë audiovizuele ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës, për caktimin e tarifave për shfrytëzimin e këtyre të drejtave në rast transmetimi.

Sipas VAPIK-ut, me vendimin e saj të datës 16.10.2020, Qeveria e Kosovës ka rregulluar një çështje e cila është zvarritur për vite të tëra.

Javë më parë Qeveria e Kosovës aprovoi kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për miratimin e tarifave të përgjithshme për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur në rastin e ritransmetimit.

Sipas këtij vendimi, gjithë shfrytëzuesit e të drejtave të autorit duhet të paguajnë nga 30 deri në 45 cent për çdo abonues.

Kallxo.com ka kërkuar edhe një koment nga shfrytëzuesit e të drejtave autovizive, por deri në publikimin e shkrimit operatorët kabllor nuk kanë komentuar vendimin e qeverisë.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për caktimin e tarifave për shfrytëzimin e të drejtave të autorit gjatë transmetimeve (ritransmetimeve) ka ardhur pas dështimit të negociatave në mes të operatorëve kabllorë dhe VAPIK-ut.

Blerim Gjoci, drejtor i VAPIK-ut, shoqatës që menaxhon të drejtat e krijuesve audioviziv, ka thënë për Kallxo.com se ardhja deri te moment i caktimit të tarifave nga qeveria ka qenë i koklavitur dhe pas dështimit për një marrëveshje me operatorët kabllorë.

Ai ka thënë se vendimi qeverisë për caktimin e tarifave është në përputhje me Ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.

Gjatë bisedimeve më se një vit në mes palëve, VAPIK-ut dhe përfaqësuesve që shfrytëzojnë të drejtat e autorit në fushën audiovizive, për caktimin e tarifave nuk u arrit një marrëveshje, kështu, sipas Gjocit, me iniciativën e Zyrës për të Drejtat e Autorit u krijua një komision ndërministror që u aprovua nga Qeveria, i cili solli një ekspert ndërkombëtar për të analizuar tarifat rajonale dhe specifikat vendore, dhe ky ekspert ndërkombëtar i propozon komisionit tarifën.

“Sipas informatave që kemi, Komisioni ndërministror pastaj ka krijuar vendimin në të cilin ka ulur pakëz tarifat që kishte propozuar eksperti ndërkombëtar dhe i propozon MKRS-ës që të kërkojë nga Qeveria miratimin e tarifave. Për sqarim ne kemi propozuat tarifa më të larta, ndërsa operatorët kabllorë më të ulëta, në krahasim me tarifat e aprovuara”, ka pohuar ai.

Po sipas Gjocit, me caktimin e tarifave përfituesit e vetëm do të jenë artistët vendor, por edhe të huaj.

“Edhe pse 0.40 Cent në muaj nuk është ndonjë tarifë e kënaqshme për ne, prapëseprapë varësisht sa herë është përsëritur vepra, autorët dhe përfituesit tjerë do të kenë një të ardhur solide që nuk varet nga kontrata, apo honorari. Ta zëmë një nga përfituesit vendore ka nënshkruar 500 EU për episode për një nga TV serialet, dhe kur nga e drejta e autorit në llogarinë e tij shfaqen edhe 2000 euro tjera”, ka pohuar për Kallxo.com, Blermin Gjoci, drejtor i VAPIK-ut.

Zyra e të Drejtave të Autorit. Foto: Facebook/ZDA

Ndërkaq, MKRS përmes një përgjigje për Kallxo.com ka potencuar se vendimi i qeverisë për tarifat për shfrytëzimin e të drejtave të autorit gjatë transmetimit të produkteve audiovizive, buron nga Ligji për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.

Sipas MKRS-së çdo subjekt, para se të përdorë një material që mbrohet me të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta është i obliguar në bazë të legjislacionit në fuqi të kërkoj leje apo të bëjë kompensimin e mbajtësve të të drejtave. E për këtë është i domosdoshëm menaxhimi kolektiv.

“Në vendin tonë tarifat janë paraparë të miratohen në procedurë e cila behet përmes marrëveshjes në mes të shoqatës kolektive (VAPIK) dhe përfaqësuesve të shfrytëzuesve në rastin konkret operatorëve kabllorë dhe IPTV-ve. Nëse nuk arrihet marrëveshje dhe dështon ndërmjetësimi, atëherë tarifat caktohen nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës gjë që ka ndodhur në rastin në fjalë. Subjektet përfituese janë të gjithë mbajtësit e të drejtave të materialeve audio vizuale të cilat ritransmetohen nga operatorët kabllorë dhe IPTV-të, ku bëjnë pjesë autorët, përformuesit dhe producentët e materialëve të cilat ritransmetohen, pa marr parasysh prejardhjen e tyre kombëtare. Kompensimi varet nga përmbajtja e ritransmetuar”, thuhet në përgjigjen e MKRS.

Menaxhimi kolektiv i të drejtave të autorit bëhet nga shoqatat kolektive për menaxhimin e të drejtave të licencuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Deri më tani janë licencuar dy shoqata kolektive që merrem me menaxhimin e të drejtave të autorit; VAPIK – shoqatë për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në fushën audio- vizuale dhe APIK, shoqata për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në fushën e muzikës.

“Fusha audiovizuale është fushë e cila menaxhohet nga VAPIK dhe me rastin e ritransmetimit të veprave audiovizuale, autorët dhe mbajtësit e tjerë të të drejtave kanë të drejtë në kompensim adekuat për veprat e tyre”, thuhet në përgjigjen e MKRS.

Foto: ZKM

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, vendimi për caktimin e tarifave për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur në rastin e ritransmetimit është marrë sipas propozimit të MKRS-së.

Sipas qeverisë, tarifat bazohen sipas grupimit të kanaleve televizive:

  1. Deri në 70 kanale televizive – 0.30 euro për abonues;
  2. Nga 71 deri në 100 kanale televizive – 0.35 euro për abonues;
  3. Nga 101 deri në 150 kanale televizive – 0.40 euro për abonues; dhe
  4. Mbi 151 kanale televizive – 0.45 euro për abonues.

“Vendimi siguron zbatimin e Ligjit për të drejtën e autorit dhe obligon të gjithë operatorët kabllorë dhe subjektet tjera që bëjnë ritransmetim të kanaleve televizive t’i përmbahen këtij vendimi”, thuhet në vendimin e qeverisë të datës 16.10.2020.