Ilustrim

Ende në pritje për vaksinën që “do të vijë në shkurt”

Duke iu afruar fundit të muajit shkurt, po afrohet edhe fundi i afatit që me shumë këmbëgulësi ishte dhënë nga liderët e vendit për arritjen e vaksinës kundër COVID-19.

Kryeministria dhe Ministria e Shëndetësisë disa herë kishin deklaruar që qytetarët e parë do të vaksinohen në muajin shkurt.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, më 6 janar ka thënë se vaksinat e para anti COVID-19 pritet të vijnë në muajin shkurt, ndërsa sipas parashikimeve pritet që të vaksinohen rreth 20 mijë qytetarë brenda ditës.

“Dje janë konkretizuar bisedat për 535 mijë vaksina, janë konkretizuar bisedat më Austrinë për 600 mijë vaksina. Kemi siguruar edhe buxhetin dhe janë ndarë 40 milionë euro për vaksinën anti-COVID. Presim që vaksinat e para të vijnë në shkurt”, kishte theksuar Hoti.

Armend Zemaj. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në të njëjtën ditë tha se gjatë atij  muaji (janar) do të finalizohej marrëveshja mes MSH dhe kompanisë Pfizer në mënyrë që vaksinimi të fillojë në muajin shkurt.

“Gjatë kësaj jave MSH dhe kompania Pfizer do të finalizojë marrëveshjen dhe në muajin shkurt do të filloj vaksinimin. Me qëllim të vaksinimit të suksesshëm instituti ka përcaktuar edhe grupet për vaksinim, të gjithë qytetarët që duhet të vaksinohen do të vaksinohen dhe tanimë kjo është e siguruar, vaksina do të jepen falas për popullatën”, kishte deklaruar Zemaj.

Por, ende nuk ka një zyrtarizim të marrëveshjes për sigurimin e vaksinës anti COVID-19 nga kompania Pfizer, ndërsa nuk ka datë nga Qeveria e Kosovë as se kur do të vijnë vaksinat nga prodhuesi COVAX.

KALLXO.com kishte kontaktuar edhe me COVAX me datën 5 janar dhe të njëjtin nuk kishin dhënë informacione në lidhje me arritjen e vaksinës.

Ndërsa Pfizer dhe BioNTech nuk kishin konfirmuar nëse kanë arritur marrëveshje me Kosovën për sigurimin e vaksinës anti COVID-19 për qytetarët e Kosovës.

Në një përgjigje të datës 8 janar për BIRN, ata kanë deklaruar se diskutimet me Qeverinë e Kosovës janë konfidenciale dhe se nuk mund të thonë asgjë në lidhje me deklaratat e Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, se tashmë janë siguruar 500 mijë vaksina nga ky prodhues.

“Pfizer dhe BioNTech janë të përkushtuar për të sjellë këtë vaksinë për të ndihmuar në përmbushjen e nevojës globale të shëndetit publik. Ne jemi në diskutime me Qeverinë në Kosovë për të siguruar qasje në vaksinë. Diskutimet me Qeverinë janë konfidenciale dhe nuk kemi asgjë për të njoftuar në kohën e tanishme”, thuhej në përgjigjen e Pfizer për BIRN.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë, më 8 janar, përmes një komunikate kishte insistuar se kanë siguruar vaksinat nga prodhuesi Pfizer dhe se vaksinat e para do të vijnë në Kosovë në muajin shkurt.

“Lidhur me interesimin e mediave dhe të qytetarëve për vaksinat anti COVID-19, Ministria e Shëndetësisë informon edhe një herë se ka marrë konfirmimin nga kompania Pfizer për sigurimin e 535 000 vaksinave kundër COVID-19. Përveç vaksinave nga Pfizer, siç edhe është bërë e ditur këtë javë, 600 000 vaksina të tjera janë siguruar përmes shtetit të Austrisë, derisa 720 000 doza të tjera do të merren falas nga mekanizmi COVAX. Vaksinat e para kundër COVID-19 do të arrijnë në Kosovë në muajin shkurt për të filluar me vaksinimin e grupeve prioritare dhe mundësia për vaksinim do t’u jepet të gjithë qytetarëve sipas Planit të imunizimit për COVID-19, të hartuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike,  i cili do të miratohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

KALLXO.com kishte filluar matjen e premtimit të ardhjes së vaksinës që nga fillimi i muajit i janar, por premtimet për arritjen e vaksinës nuk kanë rreshtur. 

Zemaj kishte premtuar me datën 28 janar dhe 1 shkurt që vaksinat do të arrijnë në muajit shkurt.

Me 28 janar Zemaj ishte përgjigjur shkurt që vaksinat do të vijnë në shkurt. Në pyetjen e KALLXO.com për vaksinat ai ishte përgjigjur vetëm “patjetër”.

Ndërsa, Zemaj me 1 shkurt kishte thënë se janë duke bërë përgatitje intensive që të vaksinohen qytetarët në shkurt.

“Tash jemi në pritje të ardhjes së vaksinave. Gjatë muajit shkurt, vaksina anti-COVID do të jetë në Kosovë. Përgatitjet janë më intensive në qendrat e mjekësisë familjare”, kishte thënë Zemaj.

Prof. Dr. Naser Ramadani. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në anën tjetër, Drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, me datën 22 shkurt ka thënë se janë duke pritur kontingjentin e parë të vaksinave nga AstraZeneca, por pa specifikuar datë të saktë se kur do të arrijnë këto vaksina ën Kosovë.

“Ne jemi duke e pritur kontigjentin e parë të vaksinës së Oksfordit/AstraZeneca”, ka thënë Ramadani në mbledhjen e Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me COVID-19.

KALLXO.com ka provuar ta kontaktojë edhe AstraZenecan rreth arritjes së vaksinës, por të njëjtit nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje ende.

Kosova e fundit në rajon sa i përket vaksinave

Organizata Botërore e Shëndetësisë më 15 shkurt dha dritën jeshile për përdorimin emergjent të një vaksine kundër koronavirusit, të prodhuar nga kompania farmaceutike AstraZeneca, në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Kjo është vaksina e dytë që autorizon OBSH-ja, pas autorizimit të vaksinës Pfizer/BioNTech në muajin dhjetor.

Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxfordit kundër koronavirusit, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra. Sipas një raporti të publikuar më herët gjatë këtij muaji, Kosova do të marrë nga COVAX-i 100,800 doza të kësaj vaksine.

Kujtojmë se në Kosovë kanë arritur frigoriferët për mirëmbajtje të vaksinave anti- COVID.

Në anën tjetër, pothuajse të gjitha shtetet në rajon kanë filluar vaksinimin.

Në Shqipëri tashmë ka filluar arritja e kontingjenteve të vaksinës së Pfizer-it pothuajse çdo javë, kurse në prill, siç ka paralajmëruar kryeministri, Edi Rama, pritet të arrijë kontingjenti i parë i 360.000 dozave të vaksinës së kompanisë britanike, AstraZeneca dhe Universitetit të Oxford-it nga “një shtet mik”.

Maqedonia e Veriut po ashtu ka filluar vaksinimin me vaksinat e dhuruara nga Serbia, kurse Serbia tashmë u ka mundësuar qytetarëve të vetë të zgjedhin në mes katër vaksinave dhe ka vaksinuar mbi një milion njerëz.

Vaksinimi ka filluar edhe në Malin e Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë, po ashtu me vaksina të dhuruara nga Serbia.

Personat që vaksinohen të parët  

Edhe qytetarët e Kosovës pritet që sipas zotimeve të qeverisë në muajin shkurt të mund të nisin me marrjen e vaksinës anti-COVID-19.

Target grupet e para të cilat do të vaksinohen janë:

Punëtorët shëndetësorë, personat e moshës mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike të traktit respiratorë, siç janë astma, sëmundjet pulmonare obstruktive kronike (COPD) ose bronkitet, personat më sëmundje kronike të zemrës, veshkëve, mëlçisë, sëmundjet kronike neurologjike, personat me nevoja të veçanta, me diabet, disfunksion splenik ose aspleni.

Gjithashtu, do të vaksinohet personat me imunitet të dobët, personat me obezitet, familjarët e pacientëve me rrezik të lartë, personat të cilët përkujdesen për të moshuarit ose ofrojnë shërbime në shtëpi të pleqve, personat mbi 40 vjeç.

Në këtë mes janë të përfshirë edhe punëtorët e arsimit, Policia, Ushtria dhe stafi në institucionet e rëndësishme shtetërore, punëtorët e sektorit publik, shtatzënat, punëtorët e shërbimeve të sigurisë dhe shërbimeve të cilat janë të ndërlidhura me menaxhimin e COVID-19.

Listës për marrje të vaksinës nuk do i bashkëngjiten fëmijët nën moshën 17 vjeç, ndërsa prioritet janë stafi shëndetësorë dhe të moshuarit mbi 65 vjeç.

“Fëmijët nën 16 vjeç nuk do të vaksinohen, sepse ata gëzojnë imunitet më të mirë, dhe se deri në moshën 17 vjeçare ata janë në proces të vaksinimit të rregullt sipas programit të Zgjeruar të Imunizimit i cili tek ata përfundon në moshën 17 vjeçare”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë për KALLXO.com.

“Secila QKMF ka listën e personave të moshës prioritare të vaksinimit kundër COVID-19, përfshirë personat mbi 65 vjeç dhe personelin shëndetësor. Pastaj vazhdohet me kategoritë e tjera”, thuhet tutje në përgjigje.

Shtatë spitalet rajonale në vend si dhe klinikat në QKUK kanë pritur pacientë të infektuar me koronavirus që nga fillimi i përhapjes së infeksionit në vend.

Ministria e Shëndetësisë gjithashtu bën të ditur se vaksinimi i qytetarëve do të bëhet në QKUK, IKShPK dhe në njësitet e vaksinimit të QKMF- ve.

Sipas Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, në territorin e Kosovës, thuhet se Qeveria e Kosovës obligohet që të sigurojë për të gjithë qytetarët vaksina të mjaftueshme kundër koronavirusit të ri.

Shpenzimet për vaksinën kundër COVID-19 dhe për vaksinimin e detyrueshëm, sipas këtij ligji, i mbulon Qeveria e Kosovës nga buxheti i saj, nga donatorët apo përmes kredive që i merr shteti.

 

Projekti “Rritja e standardeve të gazetarisë përmes kontrollimit të fakteve” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.

 Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Internews Kosova/KALLXO.com dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo apo Fondacionit për Informim, Media, Dialog dhe Edukim (KosovaLive/KIMDE).