Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vaksinat anti-Covid priten të vijnë në muajin shkurt

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, ka thënë se është bërë punë e madhe në përgatitjen e strategjisë për imunizimin kundër Covid-19. Sipas tij kjo strategji, do të shkoj për miratim në qeveri.

“Aty përcaktohen qartë prioritet e vaksinimit të qytetarëve, fillimisht mjekët dhe stafi shëndetësorë, pastaj personat mbi moshën 65 vjeçare, personat që kanë rrezikshmëri të lartë. Shpërndarje në të gjithë komunat duke i integruar qendrat e mjekësisë familjare, komunat obligohen të përgatisin listat e qytetarëve duke filluar nga mjekët dhe do të bëhen publike listat e qytetarëve me emër mbiemër”, tha Hoti.

Sipas tij kapaciteti ditor është që të vaksinohen 20 mijë qytetarë brenda ditës.

“Kjo na jep mundësinë që të vaksinojmë një pjesë të konsiderueshme. Dje janë konkretizuar bisedat për 535 mijë vaksina, janë konkretizuar bisedat më Austrinë për 600 mijë vaksina. Kemi sigurua edhe buxhetin dhe janë ndarë 40 milion euro për vaksinën anti-covid. Presim që vaksinat e para të vinë në shkurt”, shtoi Hoti.

E ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se gjatë këtij muaji finalizohet marrëveshja mes MSH dhe kompanisë Pfizer në mënyrë që vaksinimi të filloj në muajin shkurt.

“Gjatë kësaj jave MSH dhe kompania Pfizer do të finalizoj marrëveshjen dhe në muajin shkurt do të filloj vaksinimin. Me qëllim të vaksinimit të suksesshëm instituti ka përcaktuar edhe grupet për vaksinim, të gjithë qytetarët që duhet të vaksinohen do të vaksinohen dhe tanimë kjo është e siguruar, vaksina do të jepen falas për popullatën”, tha Zemaj.

Këto deklarata janë bërë në konferencën e organizuar “për strategjinë e imunizimit dhe planin e vaksinimit”.